Skënderbeu blindon portën, merkatoja e bllokuar nuk shqetëson

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 10, 2024 | 17:39

Skënderbeu blindon portën, merkatoja e bllokuar nuk shqetëson

Ndonëse merkatoja mbetet e bllokuar për tri hapësira transferimesh, në Korçë duket se janë të qetë për sa u përket lëvizjeve në merkato dhe mënyrës së zhbllokimit të penalitetit të vendosur nga Komisioni i Etikës dhe Disiplinës së FSHF-së.

skenderbeu

Burime zyrtare në klubin bardhekuq konfirmojnë që ende nuk është shlyer pjesa e prapambetur ndaj Dejvi Bregut dhe Leonit Abazit, por me sa duket kjo nuk përbën asnjë shqetësim, pasi po priten të ardhurat e transferimeve të fundit për të mbyllur gjithçka sa i përket borxheve të pashlyera. Të njëjtat burime thanë për gazetën se pritet që brenda muajit korrik Skënderbeu të mbyllë gjithçka për të zhbllokuar merkaton. Me të bërë këtë në ditët e para të gushtit do të depozitohen edhe lista e lojtarëve, të cilët kanë firmosur kontratë me Skënderbeun për t’u federuar në FSHF. Për momentin në Korçë sigurojnë se nuk ka asnjë çështje që pazgjidhur dhe se çdo gjë do të mbyllet shumë shpejt, duke mos vënë në rrezik merkaton e bardhekuqve edhe këtë sezon.

AFRIMET – Skënderbeu siguron portën për sezonin e ardhshëm, duke “blinduar” repartin më ekstrem të lojës me plot katër portierë, dy prej të cilëve mund të alternohen edhe tek ekipi i U-19. Pas largimit të Herdis Alliut nga Korça në ekip kishin mbetur vetëm Marko Alia, titullar i padiskutueshëm edhe për këtë sezon, si dhe Amarildo Dervishaj, portieri i ekipit U-19. Në kushte të tilla u pa e arsyeshme që korçarët të afronin edhe një tjetër gardian për të mos e larguar tërësisht Dervishajn nga Akademia edhe për këtë sezon, si dhe për të pasur garancinë e portës në rast se Alia do të mungojë gjatë sezonit të ardhshëm, ashtu siç ndodhi në dy raste kampionatin e kaluar.

Në Korçë vjen Kristian Rroku, portieri i Kukësit të sezonit të kaluar dhe do të jetë pikërisht ky zëvendësuesi i Marko Alias. Rroku, 21 vjeçar, ka luajtur vetëm katër takime si titullar te Kukësi sezonin e kaluar, teksa para një viti ka qenë pjesë e Tomorit të Beratit në Kategorinë e Parë. Me Rrokun duket se janë mbyllur lëvizjet sa i takon portës, ndërsa bashkë me të, Alian dhe Dervishajn momentalisht nën drejtimin e trajnerit Erjon Llapanji është duke u stërvitur edhe Elior Dermirsha, një portier i ri, i cili mund të luajë edhe tek ekipi U-19 i Skënderbeut, duke u bërë kështu portieri i katërt për Gvozdenoviç.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"