Skënderbeu “peshkon” në turin e dytë Kamzën. Gola për të tërë ndaj Olimpikut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2012 | 14:04

Skënderbeu “peshkon” në turin e dytë Kamzën. Gola për të tërë ndaj Olimpikut

Olimpik-Skenderbeu 1-2, e vlefshme per Kupen e Shqiperise

SKËNDERBEU – OLIMPIKU 7-2
GOLAT: Pejiç 12′, 70′, Çaushaj 41′, Shkëmbi 53′ (11-m), Lilaj 82′, Fernando 85′, Dimo 88’/ Fuçia 43′, Kotobelli 89′ (11-m)
SKËNDERBEU: Shehi, Bicaj, Gvozdenoviç, Vrapi, Kërçiku (Tomiç 75′), Lilaj, Shkëmbi, Çaushaj, Plaku, Kuli (Dimo 65′) Pejiç (Fernando 75′). Trajner: M.Josa
OLIMPIKU: Pjetri, Kotobelli, Rrapo, Cfarku, E.Shima, Mara, F.Shima (Duka 83′), Myftaraj (Karamuça 63′), Jonuzi (Strakosha 73′), Lamaj, Fuçia. Trajner: I.Qurku
GJYQTARË: E.Demiraj, A.Mema, V.Tola (Pogradec)
KARTONË TË VERDHË: Çaushaj 8’/ Rrapo 47′, Cfarku 51′, Fuçia 78′, Karamuça 79′
KARTON I KUQ: S.Lilaj 86′
DELEGAT: Jovan Gugu (Librazhd)
VËZHGUES: Sami Elezi (Peqin)

Skënderbeu mposht me rezultatin e thellë 7-2 Olimpikun e Tiranës, duke kaluar lehtësisht në turin tjetër të Kupës së Shqipërisë. Pas barazimit 2-2 në sfidën e parë, korçarët kanë shpërthyer në shtëpi, duke shënuar shtatë herë. Ka qenë një lojë e dominuar tërësisht nga bardhekuqtë, të cilët kanë kërkuar me ngulm zgjidhjen e rezultatit që në fillim të takimit. Të futur në fushë me një skemë të re (3-4- 3), ekipi i drejtuar nga Josa e shndërroi këtë ndeshje në një stërvitore.
Pjesa e parë – Loja nis me Skënderbeun në kërkim të golit, por në start sulmuesit shpërdorojnë disa raste. Në minutën e 12-të sulmuesi Pero Pejiç kalon në avantazh Skënderbeun. Fillimisht është Plaku që godet drejt portës, por grushton Pjetri dhe topin e kthyer kroati e dërgon në rrjetë. Që nga ky moment Skënderbeu fillon të administrojë lojën, por goli i dytë vonon. Në minutën e 41-të është Çaushaj që dyfishon shifrat, pas një harkimi të bukur nga krahu i djathtë të Kërçikut. Vetëm dy minuta më vonë Olimpiku ngushton diferencën me anë të Fuçisë, i cili përfiton nga grushtimi i Shehit, pas goditjes së fuqishme të mesfushorit Myftaraj. Me rezultatin 2-1 mbyllet pjesa e parë.
Pjesa e dytë – Që në minutat e para të pjesës së dytë Skënderbeu tregon sërish superioritetin e tij, por edhe kujdesin për të mos u lodhur, pasi në fundjavë e pret ndeshja kundër Shkumbinit për kampionat. Në minutën e 53-të Pejiç fiton një 11- metërsh, pas një kontakti me portierin kundërshtar. Nga pika e bardhë kapiteni Shkëmbi nuk gabon, dhe 3-1 për korçarët. Pikërisht ky gol i çorienton modestët e Olimpikut, të cilët nuk arrijnë t’i rezistojnë presionit të ushtruar nga Skënderbeu. Në minutën e 70-të Pejiç, pas një kombinimi me Lilajn dhe Çaushajn, arrin të realizojë një supergol. Kroati godet fuqishëm nga jashtë zone dhe topi përplaset një herë në shtyllën e djathtë dhe më pas në atë të majtë, për të përfunduar në rrjetë. Brenda 7 minutash Skënderbeu shënon edhe tre gola të tjerë me anë të Lilajt, Fernandos e Dimos. Ndërkohë, Skënderbeu e mbyll takimin me 10 lojtarë, pasi S.Lilaj ndëshkohet me kartonin e kuq për shkak të një përplasjeje në mesin e fushës me një nga futbollistët miq. Në fund kryesori Demiraj akordon një penallti në favor të Olimpikut dhe nga pika e bardhë Kotobello vulos rezultatin 7-2.

Josa, elozhe për Tomiç dhe kapitenin Shkëmbi
Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, nuk i kurseu elozhet për paraqitjen e kapitenit Bledi Shkëmbi, si dhe mesfushorit kroat, Zeljko Tomiç. Ja si u shpreh ai pas ndeshjes: “Mendova të aktivizoj ata që do të luajnë në ndeshjen kundër Shkumbinit, për të testuar formën e tyre. Jam i kënaqur nga loja që zhvilloi ekipi. Duke u nisur nga futbollistët që kam në dispozicion, nuk mund të përjashtoj një skemë identike edhe ndaj Shkumbinit, por gjithçka do të vendoset në ditët në vazhdim. E vetmja mundësi që kemi për të luajtur me tre sulmues është kjo skemë tani për tani. Jam i kënaqur me paraqitjen e Shkëmbit, pasi diti ta shpërndajë mirë lojën, duke na krijuar mjaft raste për shënim. Gjithashtu, kam marrë sinjale pozitive edhe nga Tomiç, i cili në ato minuta që pati në dispozicion, dha më të mirën. Ai do të jetë një mundësi më shumë për krahun e djathtë të mesfushës. Më dha sinjale të mira se ka arritur formën fizike, pasi kishte shumë kohë që nuk luante dhe kishte gjendje të dobët”, – është shprehur trajneri Josa.

Qurku: Gjyqtari na prishi ëndrrën
Trajneri i Olimpikut, Irakli Qurku, ka rezerva për gjykimin. Pas ndeshjes ai deklaroi: “Për rreth 60 minuta ekipi im ka qenë pothuajse i barabartë me kundërshtarin, aq sa ka arritur ta rivalizojë denjësisht Skënderbeun. Deri në momentin e penalltisë ishim thuajse në lojë për kualifikimin, por më pas favorizimi i arbitrit në dhënien e 11-metërshit prishi ëndrrën tonë. Ajo ishte pika kulmore e takimit që na demoralizoi. Megjithatë, i uroj suksese Skënderbeut në vazhdimësi. Unë jam i kënaqur nga puna që kanë bërë djemtë. E rëndësishme është që ne të paraqitemi denjësisht dhe të ngjitemi në Kategorinë e Parë”.
LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"