Skënderbeu kërkon të shesë yjet, drejtori niset me mision në Turqi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 24, 2024 | 22:45

Skënderbeu kërkon të shesë yjet, drejtori niset me mision në Turqi

Në klubin bardhekuq gjithçka është e përqendruar te merkatoja dhe lëvizjet e mundshme sa u përket lojtarëve, të cilët prej muajsh janë në pritje të një oferte për të ndryshuar fanellë sezonin e ri.

ARDI GJANCI

Nisur nga kjo situatë, burime të gazetës bëjnë me dije se drejtori sportiv i Skënderbeut, Ardi Gjançi, ka qenë në një udhëtim disaditor në Turqi, ku ka folur pikërisht për çështjet e merkatos. Gjançi ka lënë pushimet dhe është totalisht i angazhuar për të gjetur ofertat më të përshtatshme për disa prej lojtarëve të ekipit korçar që janë kërkuar në këtë merkato.

Ai ka pasur takime jo vetëm me drejtues klubesh të Superligës turke, por edhe me ata të ekipeve të tjera që janë duke zhvilluar fazën përgatitore në Turqi. Për momentin emrat e ekipeve nuk bëhen me dije, por qartazi është diskutuar për elementë të rëndësishëm të Skënderbeut, si kapiteni Liço, Rashica dhe Nikaj. Tre futbollistë këta që prej kohësh flitet se do të jenë gjenerim të ardhurash për klubin e Skënderbeut.

Të njëjtat burime tregojnë se Liço është pranë kalimit te një ekip turk, që ka pritshmëri të mëdha në sezonin e ardhshëm dhe kërkon elementët e duhur për të realizuar objektivat. Dhe një nga të piketuarit është Liço. Diskutime ka pasur edhe për dy sulmuesit Rashica dhe Nikaj. Fakti që në Turqi janë duke zhvilluar fazën përgatitore disa ekipe është shfrytëzuar nga drejtori i klubit korçar për të promovuar lojtarët e Skënderbeut dhe për të gjetur ndonjë mundësi lëvizjeje në periudhën e mbetur të merkatos. Me shumë mundësi, njëri nga tre emrat që lakohen në merkaton në dalje, do të lërë Skënderbeun shumë shpejt.

AFRIMET – Edhe pse afrimet kanë qenë më të shumta në numër se lojtarët e larguar, klubi bardhekuq është i hapur për të tjerë lojtarë të rëndësishëm, që mund të afrohen për sezonin e ri. Nëse një prej emrave të mësipërmlargohet nga Skënderbeu në ditët në vijim, drejtuesit bardhekuq do të rifuten në merkato për të afruar lojtarë të tjerë, sepse duhet të mbushin hapësirat e lëna bosh nga largimet. Pritet që fundi i merkatos të jetë i nxehtë në Korçë, me lëvizje jo vetëm në hyrje, por edhe në dalje.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"