Skënderbeu “peshkon” të rinj, afron dy lojtarë krahu kosovarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 2, 2024 | 9:44

Skënderbeu “peshkon” të rinj, afron dy lojtarë krahu kosovarë

Oniks Grezda dhe Erolind Krasniqi janë dy afrimet e para zyrtare të Skënderbeut që në ditën e parë të grumbullimit në Korçë për nisjen e fazës përgatitore.skenderbeuJanë të dy lojtarë të rinj në moshë, që klubi korçar në fakt i ka si pjesë të rëndësishme të strategjisë së tij për të ardhmen. Bëhet fjalë për një talent 17-vjeçar mjaft premtues dhe një sulmues të krahut të majtë që ka kaluar në kategoritë inferiore të futbollit gjerman. Këto janë të rejat e fundit që vijnë nga lëvizjet e Skënderbeut në ditën e parë të stërvitjes. Oniks Grezda është një nga talentet më premtuese të Kosovës.

Lojtari 17-vjeçar ka qenë sezonin e fundit në radhët e Ferizajt, por potencialin e tij e ka vlerësuar edhe Kosova U-19, pjesë e së cilës ai është. Ky fakt ka ngjallur interesin e Skënderbeut, që ka arritur të sigurojë shërbimet e tij dhe të firmosë një kontratë trevjeçare me futbollistin në fjalë. Grezda pritet që të jetë një pikë e fortë te Skënderbeu, për shkak të cilësive që ka si lojtar krahu, atje korçarët në këto momente janë më të zbrazur se kurrë. Pikërisht për këtë qëllim klubi jugor ka këmbëngulur që të jetë pjesë e ekipit që prej ditës së parë të fazës përgatitore. Nga ana tjetër, afrimi i dytë është Erolind Krasniqi, edhe ky sulmues i krahut të majtë që do të shtojë alternativat e Skënderbeut në këtë repart. Krasniqi është 24 vjeç dhe ka luajtur sezonin e kaluar te Suberelbe në kategoritë inferiore të Gjermanisë.

I dalë nga akademia e Hamburgut, Krasniqi ka provuar të veshë fanellat e Esen, Dinamos dhe Teutonias, teksa vjen në Korçë për të gjetur ambientin e duhur për rritjen e mëtejshme. Këta janë dy lojtarët që për momentin janë bashkuar me ekipin korçar, duke u vënë nën urdhrat e trajnerit Ivan Gvozdenoviç.

MUNGESAT – Nisja e fazës përgatitore në Korçë është shoqëruar edhe me disa mungesa për shkak të vonesave në udhëtim. Janë lojtarë që të paktën për momentin janë të konfirmuar si pjesë e Skënderbeut për sezonin e ardhshëm, pasi kanë kontratë me klubin. Bëhet fjalë për portierin Marko Alia, mbrojtësit Andrea Gërço, Randi Dumfur dhe Markos Ramos, mesfushorët Mario Rabiu dhe Juri Merlim, si dhe dy sulmuesit Ermir Rashica, Ardit Nikaj dhe Uçe Sebastine. Këta lojtarë nuk kanë qenë e ekipit ditën e parë të përgatitjeve në Korçë. Burime në klub thanë për gazetën se bëhet fjalë për vonesa si pasojë e biletave të udhëtimit dhe skuadra do të jetë më e kompletuar ditët në vijim. Skënderbeu ka pasur një grup të gjerë lojtarësh në daljen e parë zyrtare, ku pjesë e ekipit kanë qenë edhe disa lojtarë të akademisë korçare.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"