Skënderbeu pa frena, bën poker ndaj Bylisit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2015 | 11:28

Skënderbeu pa frena, bën poker ndaj Bylisit

skenderbeuSkënderbeu-Bylis 4-0
Golat:
Progni 41′, Abazi 64′, Berisha 79′, Salihi 90′

Formacionet zyrtare
SKËNDERBEU: Shehi, Ademir, Jashanica, Osmani, Abazi, Progni, Xhair, Shkëmbi, Berisha, Olajinka, Salihi. Trajner: M. Josa.
BYLIS: Mushica, Basriu, Simiç, Haliti, Peposhi, Hyshmeri, Asani, Adekunle, Gava, Mbella, Hoxha. Trajner: E. Nexhipi.
Gjyqtarë: K. Kola, D. Myftari, A. Shkreta.
KARTONË TË VERDHË: Basriu 36′
DELEGAT: Sami Elezi (Peqin)/
VËZHGUES: Petrit Brahja (Tiranë)

 

 

Skënderbeu i kundër përgjigjet rivalit për titullin kampion me një katërgolësh kundër Bylisit vetëm 24 orë më pas, duke ruajtur diferencën prej 4 pikësh nga të kuqtë kryesues. Ndeshja e djeshme ka folur për korçarët, të cilët, pasi hasën vështirësi në pjesën e parë, arritën të shpërthenin në 45 minutat e dyta. Goli i Gerhard Prognit në limit çoi të qetë në pushim bardhekuqtë, të cilët kishin hasur në një rezistencë të fortë të ballshiotëve. Miqtë mbronin me shumë forca, ndërsa dilnin shpejt në kundërsulm, duke tentuar të kapin në befasi mbrojtjen korçare. Megjithatë, në fund diferencën e bënë kualitetet e kampionëve, teksa Abazi, Berisha dhe i përhershmi Salihi plotësuan pokerin. Tashmë, skuadrës së Mirel Josës i duhet të mendojë për sfidën ndaj Laçit, sërish në shtëpi, e më pas për ndeshjen e fundit në grupin H të Ligës së Europës kundër Lokomotivës së Moskës, në “Elbasan Arena”.

Pjesa e parë – Josa kishte bërë rotacion në formacion, teksa në mbrojte riktheheshin titullarë Ademir, Osmani e Abazi, ndërsa në mesfushë nga minuta e parë ishin Shkëmbi dhe Zhair. Lilaj ishte lënë pushim për shkak të ngarkesës së madhe në këtë periudhë dhe nga ana tjetër, në stol ishin ulur Radas, Vangjeli dhe Arapi. Loja është e ekuilibruar në minutat e para dhe jo me raste të rrezikshme. Bylisi është i vendosur mirë në mbrojtje dhe lë pak hapësira për dyshen SalihiOlainka. Pas minutës së 20-të, korçarët shtojnë presionin në portën e Mushicës, por gabojnë në finalizimin e aksioneve. Duheshin pritur 44 minuta për golin e avantazhit. Pas një aksioni që lind nga këmbët e Berishës, është Progni që ndodhet në vendin e duhur, duke përfituar edhe nga një hutim i portierit Mushica dhe mbrojtësit Peposhi. Me shifrat 1-0 mbyllet pjesa e parë, që nuk i kënaqi ata pak të pranishëm në stadium.

Pjesa e dytë – Bylisi vendos të ndryshojë, duke aktivizuar Pepën në sulm dhe nxjerrë nga fusha Mbellën. Ballshiotët hapen dhe kësisoj Skënderbeu e ka më të lehtë për të çarë në zonën mike. Në momentin më të mirë të Bylisit, korçarët shënojnë golin e dytë me autor Leonit Abazin, i cili nuk fal brenda zonës pas kombinimit fantastik me Olainkën. Këtu, miqtë thuajse dorëzohen dhe shthuren totalisht në repartin e prapavijës. Progni dhe Berisha janë shumë aktivë dhe bëjnë çfarë të duan nga krahët. Goli i tretë nuk vonon dhe protagonist bëhet Berisha, i cili shtyn topin në rrjetë pas insistimit të Salihit brenda zonës. Josa hedh në fushë edhe Eskuerdinjën e Vangjelin, në një kohë që Salihi kërkon me çdo kusht të shënojë. Sulmuesi shkodran, pas disa tentativash, gjen golin në kohën shtesë, ku sërish protagonist u bë Berisha, që arriti të fuste një top në zonë dhe bomberi nuk e pati të vështirë për të realizuar. Nuk ka më histori dhe gjithçka mbyllet me triumfin e kampionëve në fuqi, që koleksionojnë 34 pikë në 14 javë kampionat, duke qëndruar të dytët në renditje. Edhe Bylisi mbetet në vendin e tetë me 9 pikë, vetëm një më shumë se pozicioni që të zbret nga Kategoria Superiore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"