Skënderbeu, poker me Tomorin e dorëzuar. Josa ka rezerva: Po pësojmë shumë gola

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 10, 2013 | 14:17

Skënderbeu, poker me Tomorin e dorëzuar. Josa ka rezerva: Po pësojmë shumë gola

Skenderbeu-Tomori 4-2SKËNDERBEU-TOMORI 4-2
GOLAT: Lilaj 34′, Çaushaj 38′, Plaku 45′, 48’/ Elmazi 32′, Mitraj 63′
SKËNDERBEU: Shehi, Radas (Fagu 73′), Bici, Gvozdenoviç, Vrapi, Soza, Shkëmbi, Orelesi (Nimaga 89′), Lilaj, Çaushaj (Pejiç 86′), Plaku. Trajner: M.Josa
TOMORI: Llani, Sandi, Ofejen, Bejko (Myzyri 78′), Rexha (Karamani 46′), Sulejmani, Elmazi, Isufi, Xhejms, Muxhaj, Mitraj. Trajner: M.Muzhaj
KARTONË TË VERDHË: Gvozdenoviç 87′, Lilaj 88′, Pejiç 88’/ Rexha 16′, Llani 90′
DELEGAT: Petrit Brahja (Tiranë)
VËZHGUES: Ilirjan Kristo (Tiranë)
GJYQTARET: L.Alla, D.Korreshi (Lushnjë), N.Rrapaj (Patos)

MINUTAT
32′ Kundërsulm i Tomorit me protagonist Mitrajn, i cili hyn në zonë nga e djathta e sulmit dhe pason bukur për Elmazin, që godet me të djathtën dhe Shehit i shpëton topi nga duart, 0-1.
34′ Lilaj godet nga një pozicion me të majtën dhe shënon, 1-1.
38′ Radas lëshon një predhë nga jashtë zone dhe topi gjen kokën e Çaushajt, i cili e devijon bukur dhe e dërgon në rrjetë, 2-1.
45′ Plaku, pasi merr një asist nga Çaushaj, i vetëm përballë Llanit nuk e ka të vështirë të shënojë, 3-1 për Skënderbeun.
48′ Vrapi nxjerr të lirë Plakun në krahun e majtë dhe me një goditje brenda zonës shënon golin e dytë personal, 4-1.
50′ Mitraj nxjerr të lirë Muxhajin, që i vetëm përballë Shehit bën më të vështirën duke humbur një rast të pastër.
63′ Mitraj merr një top në thellësi dhe kalon Gvozdenoviç, e më pas godet me një gjysmëparabole, duke mposhtur Shehin dhe 4-2.
77′ Vrapi harkon për Plakun, i cili godet me kokë, por vetëm shtyllë.

Skënderbeu bën detyrën në fushën e vet, duke mposhtur me rezultatin 4-2 Tomorin. Ka qenë një ndeshje, e cila ka dhuruar spektakël dhe gola të shumtë. Kalimi në avantazh i beratasve u duk sikur do ta intrigonte sfidën, por nuk ndodhi kështu, pasi kampionët në fuqi dominuan totalisht dhe nuk e diskutuan për asnjë moment fitoren. Pas këtij triumfi, Skënderbeu e gdhin +12 nga Teuta, duke pritur tashmë i qetë takimin që kundërshtari ka sot në transfertë ndaj Flamurtarit. Tifozët kanë shijuar dje një ndeshje të bukur, pasi u shënuan 6 gola, mirëpo në ndryshim nga takimet e tjera këtë herë Skënderbeu shfaqi pasiguri në mbrojtje. Portieri Shehi, i padiskutueshëm te korçarët, gaboi te goli i parë, ndërsa në një ditë jo të mirë ishte Gvozdenoviç.
Pjesa e parë – Loja nis me korçarët në sulm. Plaku dhe Radas kanë shansin të shënojnë, por nuk janë të saktë në finalizim. Në momentin më të mirë të Skënderbeut miqtë dalin në një kundërsulm me Mitrajn, i cili pasi i shpëton bukur mbrojtjes, më pas jep një asist për Elmazin, që arrin të shënojë. Megjithatë, nuk kanë kohë për të festuar miqtë nga Berati, pasi reagimi i korçarëve është i menjëhershëm me anë të Lilajt. Vetëm dy minuta më pas mesfushori arrin të barazojë rezultatin. Pas golit të barazimit korçarët hidhen në sulm për të shënuar sërish dhe avantazhi nuk do të vononte. Radas tenton me të djathtën, por goditja e tij merr një trajektore të gabuar dhe përfundon në kokën e Çaushajt, i cili e devijon topin mrekullisht në rrjetë. Tomori duket i brishtë në mbrojtje dhe nuk ka forcën e duhur për t’i përballuar korçarët. Para mbylljes së pjesës së parë shënohet një gol tjetër, këtë herë me protagonist Plakun, që i vetëm përballë Llanit nuk e ka të vështirë ta çojë topin në rrjetë.
Pjesa e dytë – Ndeshja rinis me gol për Skënderbeun dhe për më tepër me të njëjtin autor. Plaku në hyrje të zonës përfiton nga një harkim i Vrapit nga e majta dhe mposht për të katërtën herë Llanin, duke shënuar golin e dytë personal. Me qetësinë që të krijon avantazhi, Skënderbeu kërkon të shënojë sërish, por goditja me kokë e Bicit ndalet vetëm nga shtylla. Pjesa e mbetur e lojës ka vend edhe për një gol të miqve. Mitraj merr një top pas shpinës së mbrojtjes dhe përballë Shehit shkurton diferencën në 4- 2. Ky do të ishte dhe goli i fundit i takimit, edhe pse në minutat e mbetura Plaku përpiqet të realizojë. Sulmuesi është i pafat në fund, pasi arrin të godasë edhe shtyllën. Në minutat e fundit protagonistë bëhen lojtarët korçarë, të cilët ndëshkohen me kartonë të verdhë nga gjyqtari, duke lënë jo pak dyshime.

MË I MIRI
Sebino Plaku ishte lojtari më i mirë në fushë për të dyja skuadrat gjatë ndeshjes së djeshme. Sulmuesi shënoi dy gola dhe krijoji disa raste të tjera për shënim. Gjatë gjithë takimit ai ka qenë një rrezik konstant për beratasit. Një paraqitje për t’u admiruar bënë edhe mesfushorët e krahut Soza dhe Çaushaj.

MË PAK AKTIVI
Dyshja e qendrës së mbrojtjes së Tomorit, Rexha e Bejko, gabuan shumë gjatë ndeshjes me Skënderbeun. Ata ishin lojtarët më pak aktivë, bashkë me nigerianin Sandi. Në pjesën e dytë, duke parë paraqitjen e dobët të tyre, trajneri Muxhaji i zëvendësoi të dy mbrojtësit.

Josa ka rezerva: Pësojmë shumë gola
Përtej fitores së thellë ndaj Tomorit, trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, duket i shqetësuar për faktin se skuadra e tij pëson shumë gola. Kjo dukuri ka ndodhur gjatë fazës së dytë, pasi duke futur këtu edhe dy golat e pësuar në ndeshjen ndaj Bylisit (Skënderbeu e fitoi në tavolinë 3-0), ekipi korçar është ndëshkuar 5 herë në po kaq takime. “Kemi fituar me lehtësi ndaj Tomorit, në një ndeshje që nuk ka nisur mirë, por reagimi ka ardhur në kohën e duhur. Në pak minuta kemi shënuar tri herë, çka tregon për forcën që ka skuadra. Megjithatë, në këtë fazë të dytë kemi pësuar jo pak gola. Kjo tregon se duhet të jemi më të përqendruar në lojë si skuadër, diçka më tepër kur luajmë me kundërshtarë që nuk janë në vendet e para. Megjithatë, 5 gola të pësuar në këtë fazë të dytë duhet të jenë shqetësim për të gjithë skuadrën. Tashmë do të fillojmë të mendojmë për ndeshjen e radhës me Shkumbinin, tek e cila duhet të marrim një fitore për të qëndruar me këto diferenca deri në fund. Duhet që patjetër të ruajmë këtë hap dhe jam i sigurt se, nëse e bëjmë punën tonë ashtu siç e kemi bërë deri më tani, do të arrijmë shumë shpejt te titulli kampion”, – është shprehur Josa në konferencën për shtyp.

Gjyqtarët mbërrijnë me vonesë, u rrezikua shtyrja
Treshja e gjyqtarëve, e përzgjedhur për ndeshjen Skënderbeu- Tomori, ka mbërritur vetëm 15 minuta para fillimit të takimit në stadiumin e Korçës. Arbitri kryesor, Laver Alla, si dhe dy ndihmësit e tij, Devis Korreshi e Nuri Rrapaj, mësohet se janë ngatërruar me orarin zyrtar të takimit. Burime pranë tyre tregojnë për “Panorama Sport” se arbitrat janë njoftuar dy ditë më parë se ndeshja do të luhej në orën 17:00. Mirëpo klubi korçar dhe FSHF kishin rënë dakord që ta afronin takimin në orën 14:00. Pasi ora kishte kaluar 13:00 dhe arbitrat nuk ishin paraqitur, delegati dhe vëzhguesi i takimit kanë telefonuar menjëherë treshen e gjyqtarëve dhe më pas ata kanë mbërritur përpara orës 14:00. Ndeshja nisi në orarin e caktuar, edhe pse rrezikoi të shtyhej. Megjithatë, arbitrat u futën në fushë pa bërë nxehmjen e zakonshme, që është e detyrueshme para ndeshjeve.

Dyshime për tri kartonët e korçarëve
Ivan Gvozdenoviç, Sabjen Lilaj dhe Pero Pejiç janë ndëshkuar në takimin kundër Tomorit me kartonë të verdhë. Në një kohë që këta të fundit duhet të ishin lojtarët më të kujdesshëm në fushë, pasi kishin nga dy kartonë dhe një i tretë do t’i penalizonte për sfidën e ardhshme, ka ndodhur krejt e kundërta. Gvozdenoviç, Lilaj dhe Pejiç do të jenë mungesa të sigurta të Skënderbeut në transfertë ndaj Shkumbinit, ndërsa veprimet e tyre në fushë gjatë takimit të djeshëm stonuan jo pak. Veçanërisht Pejiç në fundin e takimit la të kuptohej se më shumë e kërkoi kartonin, se sa e mori atë si rrjedhojë logjike e lojës. Sulmuesi kroat u fut në fushë në minutën e 86-të dhe u ndëshkua vetëm 120 sekonda më pas.
LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"