Skënderbeu “shkrin” Kukësin mes acarit. Dygolësh i Pejiçit, sfidohet edhe dëbora…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 16, 2012 | 12:05

Skënderbeu “shkrin” Kukësin mes acarit. Dygolësh i Pejiçit, sfidohet edhe dëbora…

SKËNDERBEU-KUKËSI 4-2
GOLAT: Arapi 10′, Pejiç 28′, 59′, Shkëmbi 74’/ Hoxha 27′, Popoviç 80′
SKËNDERBEU: Shehi, Vrapi, Gvozdenoviç, Bicaj, Ademir, Arapi, Orelesi, Shkëmbi, Tomiç (Radas 89′), Pejiç, Plaku (Dimo 80′). Trajner: M.Josa
KUKËSI: Halilaj (Koci 70′), Peqini (Lila 31′), Brahja, Malakarne, Hallaçi, Progni, Allmuça, Alikaj (Malindi 46′), Musolli, Hoxha, Popoviç. Trajner: A.Cungu
KARTONË TË VERDHË: Vrapi 18′
DELEGAT: Prek Pjetrushi (Lezhë)
VËZHGUES: Sokol Jareci (Tiranë)
GJYQTARET: E.Sino, I.Tartari, O.Grabova (Fier)

MINUTAT
10′ Plaku ul bukur një top me kokë për Arapin, i cili del i lirë brenda zonës dhe gjuan fort me të majtë, duke shënuar golin e parë, 1-0 për Skënderbeun.
27′ Gafë e mbrojtjes korçare dhe aty përfiton Allmuça, që shërben brenda zonës për Popoviç, i cili gjuan dhe topi grushtohet nga Shehi, por më pas është Hoxha që e dërgon në rrjetë, 1-1.
28′ Plaku kroson nga e djathta për Pejiç, që e ul bukur topin dhe i vetëm përballë Halilajt nuk e ka të vështirë të shënojë, 2-1.
59′ Tomiç jep një asist për Pejiçin, i cili brenda zone arrin ta shmangë edhe portierin dhe më pas realizon lehtësisht, 3-1.
74′ Aksion i gjatë i korçarëve, topi shkon te Vrapi, i cili e kroson në zonë dhe, pas një devijimi të mbrojtjes kuksiane, është kapiteni Shkëmbi që shënon golin e katërt.
80′ Skënderbeu lëshon shumë terren dhe Progni përfiton, duke pasuar për Popoviç, i cili afër portës shënon lehtësisht, 4-2.

Skënderbeu “shkrin” Kukësin mes acarit të Korçës. Kampionët në fuqi të Shqipërisë u kanë bërë një mbyllje fantastike ndeshjeve të luajtura në shtëpi për këtë vit, teksa dje mposhtën veriorët me rezultatin 4-2. Në një fushë të mbuluar pjesërisht nga dëbora, korçarët e zgjidhën më së miri ndeshjen. Terreni i vështirë nuk u bë pengesë për ekipin e Josës, që arriti të tregonte forcë karakteri edhe kur Kukësi barazoi përkohësisht rezultatin. Tek të dyja skuadrat u bënë gabime në mbrojtje, por gjithsesi ata që përfituan më shumë ishin sulmuesit e Skënderbeut. Pero Pejiç ishte heroi i takimit, duke shënuar dy gola, ndërkohë që fitoren e plotësuan edhe rrjetat e Arapit dhe Shkëmbit. Kukësi dje u dënua jo vetëm për gafat në mbroje, por veçanërisht edhe nga rastet e humbura përballë Shehit. Tashmë, pas dy ndeshjeve të para të fazës në grupe, Skënderbeu e shikon veten në krye me 6 pikë, 3 më shumë se ndjekësi më i afërt, Kastrioti. Tri pikë ka edhe Kukësi.
Pjesa e parë – Takimi nis me një rast të artë të Kukësit, teksa Popoviç pason tek Allmuça dhe ky i fundit del i vetëm përballë Shehit, por gjuan në mënyrë të gabuar. Loja është e ekuilibruar, derisa korçarët arrijnë ta zhbllokojnë rezultatin me anë të Arapit. Plaku shërbeu bukur për durrsakun, i cili përfitoi edhe nga vendosja e gabuar e Peqinit. Në këtë ndeshje Arapi luante si mesfushor i majtë, ndërsa në vendin e tij të zakonshëm në mbrojtje ishte rikthyer Vrapi. Goli çliron korçarët, por Kukësi nuk mbetet pas, teksa “kërcënon” portën e Shehit në disa raste. Nga një mosmarrëveshje e Arapit me Gvozdenoviçin përfiton Allmuça, i cili shërben në zonë dhe Hoxha nuk fal, duke e barazuar rezultatin. Mirëpo, kur nuk kishin kaluar as 60 sekonda nga festimi i golit, Skënderbeu godet në momentin më të mirë të Kukësit. Pejiç del i lirë brenda zone dhe shënon golin e dytë. Në minutat në vijim vendësit janë më të qartë, por nuk shënojnë më.
Pjesa e dytë – Kukësi e nis me një ndryshim, teksa në fushë futet Malindi dhe nga loja del Alikaj. Më parë trajneri Cungu kishte larguar Peqinin për mbrojtësin Lila. Me qetësinë e avantazhit korçarët janë më të qetë në lojë dhe arrijnë shpejt te goli i tretë. Asisti perfekt i Tomiçit shfrytëzohet më së miri nga Pejiç. Kukësi kërkon të tregojë se nuk është dorëzuar, por mundësitë që i shfaqen me Allmuçën, Prognin apo Popoviçin nuk shfrytëzohen siç duhet. Për të “vrarë” ndeshjen mendon kapiteni Shkëmbi, i cili me një gjuajtje precize shënon golin e katërt. Në fund niveli i lojës bie dhe Skënderbeu lëshon terren. Kukësi shkurton diferencën e golave me Popoviçin, por vetëm kaq, pasi në minutat e fundit Skënderbeu administron rezultatin dhe ndeshja mbyllet 4-2.

MË I MIRI
Sulmuesi kroat i Skënderbeut, Pero Pejiç, ishte pa dyshim lojtari më i mirë në fushë në takimin e djeshëm. Jo vetëm se shënoi dy gola, por shtatlarti në çdo aksion ishte rreziku numër një për portën kuksiane. Në një ditë të mirë ishin edhe dy lojtarët e krahut të majtë, Vrapi dhe Arapi, por gjithashtu edhe Tomiç.

MË PAK AKTIVI
Mbrojtësi i Kukësit, Roland Peqini, ka qenë në një ditë të errët gjatë ndeshjes së djeshme. Lojtari nuk u përshtat aspak me terrenin dhe në aksionet e dy golave të parë të Skënderbeut ka një pjesë të fajit. Duke parë që Peqini ishte larg formës, trajneri Armando Cungu e zëvendësoi me Lilën që në pjesën e parë.

“Goli i dytë na dha siguri”
Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, pas takimit të djeshëm deklaroi: “Pavarësisht vështirësive të terrenit, nuk mund të dilnim nga natyra jonë e lojës edhe në këtë takim. Jemi një ekip që e qarkullojmë mirë topin dhe bëjmë një lojë me mendim, duke qenë taktikisht aty ku duam. Në pjesën më të madhe të lojës bëmë gjithçka mirë, por duhet të kemi parasysh se përballë kishim një skuadër të fortë si Kukësi. Gjithsesi, edhe pas barazimit me kuksianët nuk e humbëm qetësinë. Goli i dytë na dha siguri dhe mund të them se ishte vendimtar për ne. Megjithatë, më duhet të theksoj se terreni nuk i lejoi lojtarët të tregonin më të mirën e tyre. Nuk më shqetësojnë golat që pëson skuadra, pasi ne nuk jemi të pathyeshëm. Unë jam i kënaqur që arritëm të merrnim tri pikët dhe për më tepër që kemi vazhdimësi edhe në kupë”.

“Nuk më shqetëson kjo humbje”
Trajneri i Kukësit, Armando Cungu, deklaroi pas ndeshjes se nuk e shqetëson humbja në Korçë. “Nuk e prisja një rezultat kaq të thellë, pasi dihet që jemi një ekip që pësojmë pak. Sot (dje) në Korçë terreni favorizoi kundërshtarin, ndonëse golat e Skënderbeut u bënë edhe për gabime tona. I kishim të gjitha mundësitë që të shënonim gola të tjerë, qoftë në pjesën e parë, qoftë në të dytën, mirëpo diferencën e bënë lojtarët e Skënderbeut, të cilët nuk falën përpara portës. Në aspektin sulmues, ekipi ynë vazhdon të jetë tolerant, pasi humbim shumë raste. Sa i përket golit të dytë që pësuam, më duhet të them se nuk kishte faj asnjë prej lojtarëve, pasi ndikoi shumë terreni. Megjithatë, kjo humbje nuk më shqetëson aspak, edhe pse kishim mundësi të bënim më mirë. Unë nuk e diskutoj kalimin e turit çerekfinal”, – deklaroi Cungu.

Takaj: S’falim asnjë trofe këtë sezon
Kreu i klubit korçar, Ardian Takaj, pas ndeshjes së djeshme deklaroi: “Jam i kënaqur nga paraqitja e ekipit, që nuk po toleron dhe po shfaqet superior, si në ndeshjet e kupës dhe në ato të kampionatit. Nuk kishte mbyllje më të bukur të vitit, sesa një fitore në fushën tonë. Këtë sezon nuk do të falim asnjë prej trofeve të mundshëm. Do t’i marrim të dyja, si kupën, ashtu edhe kampionatin, sepse i kemi mundësitë dhe të gjitha shanset për të fituar. Tani po hyjmë pak nga pak në fazën e merkatos dhe për momentin jemi duke biseduar me disa klube. Do të mundohemi të tregohemi të kujdesshëm në vlerësimin e situatës, qoftë për Plakun, Orelesin apo ndonjë lojtar tjetër”.

Tifozët, rekord negativ
Kushtet e vështira atmosferike bënë që dje në stadiumin e Korçës të shënohej një rekord negativ për sa i përket pjesëmarrjes. Nuk ishin më shumë se 1500 shikues, në një kohë që stadiumi “Skënderbeu” mban rekordin në Superiore për një prani të madhe të tifozëve në ndeshjet e skuadrës korçare. Gjithsesi grupimi “Ujqërit e dëborës”, si zakonisht, e mbështeti skuadrën, e cila dje u bëri dhuratën më të bukur në ndeshjen e fundit për këtë vit.

Kampionët, sot “show”
Ekipi i Skënderbeut do të udhëtojë sot drejt Tiranës, teksa pritet të marrë pjesë në shoun televiziv “E Diela Shqiptare” në “TV Klan”. Më pas, skuadra do të drejtohet drejt Durrësit për të vazhduar përgatitjet për ndeshjen e radhës kundër Kastriotit, e cila do të luhet të mërkurën në Krujë. Pas këtij takimi, që është i fundit për këtë vit kalendarik, lojtarët do të shpërndahen, për t’iu rikthyer më pas përgatitjeve në ditët e para të muajit janar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"