Skuadra ballshiote përgatitjet, kërkon triumfin e mbijetesës ndaj Kukësit
Bylisi nuk ka bërë pushim dhe direkt pas ndeshjes së Durrësit, ku skuadra e Naxhi Shensoit fitoi 1-2 me Erzenin, është nisur drejt Ballshit. Dje Bylisi ka analizuar sfidën me shijakasit, ku natyrisht jo gjithçka ka shkuar perfekt, edhe pse tri pikët kanë më shumë rëndësi.
Më pas trajneri Naxhi Shensoi dhe stafi i tij, bashkë me lojtarët, kanë dalë në fushën e stërvitjes dhe kanë nisur përgatitjet për sfidën e radhës me Kukësin, që do ta luajnë në stadiumin “Adush Muçaj”. Në këtë sfidë trajnerit Naxhi Shensoi i kthehet në dispozicion edhe mesfushori Xhoele Maçolli, i cili lë pas pezullimin e sfidës me Egnatian, ndërsa ballshiotët do të jenë të plotë, madje nuk është çudi që skema e lojës të ndryshojë ndaj Kukësit. Bylisi tashmë ka 36 pikë dhe gara e mbijetesës tashmë është kthyer në një rebus. Kjo është një tjetër finale për skuadrën nga Mallakastra, pasi Kukësi është një rival direkt në betejën e mbijetesës. Nëse e fitojnë këtë sfidë, e bëjnë edhe më të fortë betejën e mbijetesës në këto javë të fundit të kampionatit të Superiores.
Kujtojmë që Bylisi, është mundur në dy sfidat e zhvilluara me Kukësin në “Zeqir Ymeri”, ndërsa në Ballsh kanë barazuar. Kalendari ka rezervuar tri finale, me Kukësin në shtëpi, Tiranën në transfertë dhe në fund me Vllazninë në Ballsh. Gara është më e hapur se kurrë, ndaj tashmë ballshiotët duhet që të bëjnë më së miri llogaritë e mbijetesës në favorin e tyre. Ndërkohë që në Ballsh bëjnë thirrje për mbështetjen e tifozëve në sfidën me Kukësin, teksa kërkohet një pjesëmarrje masive për të mposhtur verilindorët. Skuadra nga Mallakastra luan sezonin, ndaj edhe kërkon lojtarin e 12-të në këtë duel shtëpie.
ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"