“S’na intereson çfarë i ndodh Juves”, Zhiru: Gati për dy finale, të mundim rivalët direkt
Ndaj Sampdorias er dhi tripleta e parë në karrierën milaniste, por edhe goli i 16-të sezonal, çka do të thotë se është duke bërë më mirë se vitin e titullit. Olivie Zhiru është pranë 37 viteve, por te Milani po përjeton një rini të dytë të kurorëzuar nga shtyrja e kontratës deri në qershor të vitit të ardhshëm. Sulmuesi të dielën në mbrëmje ka dhënë edhe një intervistë për televizionin e klubit.
Rezultati me Sampin flet vetë, por ju si e gjykoni sfidën?
Njerëzit prisnin një Milan të zhgënjyer, por donim të tregonim forcën tonë pas atij zhgënjimi të madh në derbi. Duhej të ringriheshim sa më shpejt, pasi vendi i katërt është synimi që na ka mbetur e nuk mund të lëmë më pikë rrugës.
E të mendosh që ju mund të bënit edhe poker…
Ishte më shumë se i përkryer ai krosim i Kalabrias, por nuk ma zuri siç dëshiroja. Doja të shënoja dhe kërkova falje për rastin e humbur.
Si i shpjegoni kritikat në drejtim të Milanit dhe tuajin?
Nuk i lexoj sepse e di vetë kur duhet të punojmë më mirë. Kisha disa javë që nuk shënoja, por prisja një ndeshje të tillë për të treguar urinë time e që dua të bëj të pamundurën për këtë skuadër e për një vend në Champions.
Ju pamë në lot pas derbit…
Isha shumë i zhgënjyer. Vërtetë jam pothuajse 37 vjeç, por ndeshjet i përjetoj si fëmijë. Dua të fitoj gjithçka me këtë fanellë e cila ka shumë domethënie për mua. Uroj që ajo ndaj Interit të mos ketë qenë ndeshja e fundit në Champions.
E morët topin siç i takon autorit të tregolëshi?
Patjetër. Ishte një ndeshje që e nisëm mirë. Edhe pas golit të barazimit reaguam si duhej dhe shënuam disa herë, diçka që na rezultonte e vështirë së fundmi. Kemi fituar pak besim, por duhet ende punë.
Si do ta përshkruanit këtë sezon?
Në kampionat e kemi pasur të vështirë, ndërkohë që në Europë avancuam shumë. Do të kishim dashur t’i lumturonim tifozët me një finale, por shpresoj që të mbërrijmë mes katër të parave sivjet e në sezonin e ardhshëm të bëjmë edhe më mirë në Champions.
Si është gjendja e skuadrës përpara ndeshjes me Juven?
Duhet të luajmë me shpirt të lartë gare për t’i fituar dy ndeshjet që na ka mbetur. Ajo me Juven ka për të qenë si një finale pasi është përballje direkte për një vend në Champions. Nuk duhet të mendojmë se çfarë do të ndodhë me Juven e a do t’i hiqen pikë, kështu që duhet të mendojmë për lojën tonë.
Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"