Sopoti bën tripletë, Turbina akuzon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2015 | 14:54

Sopoti bën tripletë, Turbina akuzon

SopotiSOPOTI-TURBINA 3-1
GOLAT: Çota 9′, Bërdufi 45′, Lezi 91’/ Steven 50′
SOPOTI: Lamellari, Pere, Selimaj, Pashaj, Llakaj, Kastrati, Cake, Llambi (Lezi 60′), Çaushaj (Jaupaj 74′), Çota, Bërdufi (Gjeci 46′). Trajner: A.Bozhani
TURBINA: Muymuynov, Metaj, Begaj, Ferati, Sharko, Goga, Kelvin, Kamami, Allamani, Steven, Koçi. Trajner: S.Bardhi
KARTONË TË VERDHË: Rroshi 7′, Pashaj 15′, Çota 62′, Duda 73′, Cake 79′
GJYQTARË: O.Ferataj, E.Pashaj, N.Rrapaj
VËZHGUES: A.Lulaj

Kanë vulosur fitoren e radhës në kampionat librazhdasit e Ardi Bozhanit, që kanë mundur bindshëm Turbinën e Cërrikut. Sopoti ngjitet në vendin e tretë me 10 pikë, në një kohë që cërrikasit mbeten në fund. Ndeshja – Sopoti ka kaluar në avantazh që në fillim me Çotën, për të vulosur në fund me kapitenin Lezi rezultatin 3-1. Ndeshja bëhet interesante që në minutat e para ku i përhershmi Kastrati për vendësit, si një motor në fushën e lojës, depërton në zonë dhe fiton një 11-metërsh. Preciz tregohet sulmuesi Mirel Çota nga pika e bardhë, që mposht lehtësisht Muymuynovin.

Ky gol që në minutën e 9-të hap lojën mes skuadrave që krijojnë hapësira. Librazhdasit zotërojnë topin dhe kërkojnë golin e dytë me aksione të organizuara mirë, ndërsa miqtë cërrikas synojnë kundërsulmet në dy raste me Steven, i cili nuk është i saktë përballë Lamellarit. Për të ardhur në minutën e 45-të, kur elbasanasi Odeon Bërdufi tregon se është i vlefshëm për sulmin librazhdas. Në të dytën cërrikasit janë më këmbëngulës, po përsëri me Steven, i cili u jep zemër miqve duke shënuar në fillim të pjesës së dytë dhe duke rihapur lojën.

Bozhani bën ndryshime në formacion, duke futur kapitenin Lezi, i cili e nisi ndeshjen në stol si për çudi, por nuk mungon me protagonizmin e tij në fushë duke shënuar në fund të takimit golin që vulos gjithçka. Pas ndeshjes, trajneri i Sopotit, Bozhani, u shpreh: “Ndeshje e fituar me meritë prej nesh dhe për këtë përgëzoj djemtë që bënë një lojë të shkëlqyer”. Ndërsa Sinan Bardhi i Turbinës deklaroi: ” Nuk kam dyshime që një gjykim i tillë vjen si pasojë e një ryshfeti që kryesori mund të ketë marrë nga ekipi librazhdas”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"