‘Sparkatë’ e Gentian Muçës: Ky, momenti im. Ndaj Besës do shkojmë për t’u konfirmuar
Ishte lënë në hije për shumë javë, mirëpo emërimi i trajnerit Dede e ka rikthyer në formacion. Mendon se ky është momenti i tij dhe është gati të shpërthejë. Flasim për Gentian Muçën, i cili në takimet e fundit ka qenë ndër më të mirët në fushë. I etur për futbollin e luajtur, ka gjetur momentin që të tregojë se çfarë di të bëjë. Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, mesfushori bardheblu rrëfen gjithçka, duke filluar nga stoli, rikthimi në 11-she dhe sigurisht nuk nguron që të flasë edhe për Tiranën dhe objektivat e saj. “Fjala ‘shpërthej’ ndoshta është shumë, por mendoj se ky është momenti im. Rikthehem në formacion pas një shkëputjeje relativisht të gjatë, ndaj ndihem i lumtur që trajneri besoi tek unë. Do bëj të pamundurën që ta justifikoj atë besim që më dha. Kam qenë i etur për të luajtur, fakt që nuk mundem kurrsesi që ta mohoj. Prandaj, tani që m’u dha rasti, po bëj atë që kam për detyrë”, – u shpreh fillimisht Muça.
Kthesa Tirana fitoi, duke sigluar kështu fitoren e parë nën drejtimin e trajnerit të ri. Një fitore sa e bukur, aq edhe e vuajtur. Madje për katër minuta u përhap paniku, pasi u duk sikur do të merrnin një tjetër barazim. “Pati disa momente frike në fakt, por edhe këtë herë ne dëshmuam karakter dhe grintë. Dëshira që kemi për të fituar është shtuar ndjeshëm, ndërsa falë kualiteteve ia dolëm. Ishim përgatitur për ta fituar këtë takim, pasi e dinim që veç Luftëtarit, do të kishim kundërshtar edhe terrenin, i cili ishte i rënduar. Tashmë nuk na mbetet gjë tjetër veçse të mendojmë për Besën, një takim që vlerësohet maksimalisht ndaj nesh. Mendoj se kjo sfidë do të ketë një histori ndryshe nga ajo e fazës së parë, kur ne barazuam në shtëpi. Atje do fitojmë bindshëm dhe do blindojmë vendin që kemi aktualisht”, – tha më tej mesfushori.
Objektivat Synohet Europa, çka është më e rëndësishmja. Vendi i dytë është sekondar për momentin, duke parë edhe ngjeshjen e krijuar. Për bardheblutë 9 takimet e mbetura do të trajtohen si finale. “Objektivi kryesor është Europa, e cila është totalisht e arritshme. Kemi pasur oshilacione në rezultate, por tashmë i kemi hedhur pas krahëve. Jemi në rrugë të mbarë. Megjithëse, nëse do të kapim vendin e dytë, do të ishte ideale. Por edhe për këtë ka kohë, kemi edhe 9 javë përpara, prej të cilave duhet të marrim maksimumin e mundshëm”, – përfundoi Muça.
Në Kavajë, pa Dushkun dhe Pashajin
Tirana do të shkojë e cunguar drejt Kavajës. Plot pesë kartonë të verdhë u morën kundër Luftëtarit, fakt që penalizoi dy nga mbrojtësit e kësaj skuadre. Erjon Dushku dhe Entonio Pashaji kanë plotësuar numrin e të verdhëve, ndaj në fundjavë nuk do të jenë në dispozicion të trajnerit. Mirëpo, veç pezullimeve, mund të ketë ende probleme me infermierinë, teksa Erando Karabeci është në dilemë. Mesfushori ka akoma probleme me kaviljen dhe është në proces rikuperimi. Gjithsesi, deri në fundjavë pritet që të qartësohet diçka më tepër edhe për formën e tij, por edhe të Fortunatit, Xhutit dhe Pigonit.
Bardheblutë, stërvitje edhe të dielën
Tirana nuk di të pushojë. Në fakt, në programin e Nevil Dedes është përcaktuar qartë se pas çdo ndeshjeje ekipi do të zhvillojë një seancë stërvitore. Kështu ndodhi edhe dje, teksa në orën 08:30 ekipi ishte në kompleksin “Skënder Halili”. Skuadra u nda në dysh, teksa ata që luajtën zhvilluan vetëm disa cirkuite 10-minutëshe me vrap nën drejtimin e zv.trajnerit Bulku, ndërsa pjesa tjetër mori ngarkesa maksimale nga ana e trajnerit. Pas kësaj stërvitjeje, stafi teknik e njoftoi ekipin se e hëna do të jetë pushim absolut, për t’iu rikthyer të martën punës për ndeshjen me Besën.
ADELA MERKO