I dhuroi Kupën Tiranës, Ali Mema, heroi i penalltive kavajase
UVIL ZAJMI
Episodi është i lidhur me dy takimet finale të Kupës së Republikës në prillin e vitit 1963, madje këtu nis apo e ka startin rrëfimi ynë. Në përballjen e luajtur te “Qyteti i Nxënësve” me rezultatin surprizë 3-2 fiton Besa, ndërsa 90-të minutat e dyta japin shifrat 0-1 për tiranasit, ndeshje kjo e luajtur në fushën e vjetër të Kavajës në një terren të rënduar, kohë e keqe dhe me shi.
Pikërisht kjo është sfida që ka mbetur në histori, më shumë për ngjarjen e pazakontë se rezultatin e kronikën. Në barazim golash 3- 3 edhe pas kohës shtesë do të ekzekutohen penalltitë, sipas një formule të ideuar nga Anton Mazreku, që aplikohej për herë të parë në një aktivitet zyrtar apo finale për marrjen e trofeut në Shqipëri. Dhe protagonist do të ishte mesfushori tiranas Ali Mema, tashmë në rolin e portierit, që duke iu rikthyer takimit zhvilluar 55 vjet me parë, për “Panorama Sport”, rrëfen:
Çfarë mbani mend nga ajo ndeshje?
Kam pritur tre penallti dhe morëm Kupën. I ka gjuajtur Thabit Rexha, “Biti”, që ishte edhe këngëtar, nga më të njohurit e qytetit. I goditi vetëm ai, pasi ashtu ishte në ato vite. Nga ne i realizoi Bukoviku.
Mema, pse luajtët ju në portë?
Sepse dy portierët u dëmtuan. Metani u dëmtua i pari dhe u zëvendësua nga Beliu, por edhe ky pati një tërheqje, me sa më kujtohet, në shtesë. Trajneri Alla më tha mua të qëndroja si portier në ekzekutimin e penalltive. Në ato vite, portieri nuk zëvendësohej dhe shpesh stërviteshim edhe si portierë. Kjo ndodhte edhe në kombëtare.
A ishte kjo befasi për tifozët?
Për ata vendës ishte e pabesueshme, ndërsa tanët ishin larguar me trenin e fundit që ndalonte në Kavajë, kur kishte filluar shtesa. Lajmin që kam pritur tre penallti dhe morëm Kupën ua ka dhënë Tole Naçi, një tifoz i yni, që kishte motor. Pasi ndoqi gjuajtjet e penalltive, u nis dhe e ka mbërritur trenin me të cilin udhëtonin tifozët e 17 Nëntorit në stacionin e Vorës. Aty ua dha lajmin. Ndeshja u transmetua edhe në radio, por nuk ishte koha e transistorëve. Madje, rezultatet e ndeshjeve në mjaft raste tifozët i merrnin në Postën Qendrore.
U përsërit ky rast në takime të tjera?
Jo, ajo ka qenë e para dhe e fundit. Por, me Bitin kam edhe një moment tjetër: Them ka qenë një takim miqësor i ekipit kombëtar kundër Besës, luajtur në Kavajë dhe pas saj Biti miqë- sisht më kërkoi të qëndroja në portë dhe ai të gjuante penallti. Njerëz përreth, të shtyrë nga kurioziteti, qëndronin duke na parë. I prita, por edhe më shënoi. Në Kavajë, sa herë që luaja, nuk ma harronin historinë e penalltive…
Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"