SPECIALE VOLEJBOLL/ Partizani i tripletës, Tomorri analizon sezonin fantastik të “demave”: S’e menduam kurrë humbjen!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 30, 2024 | 13:00

SPECIALE VOLEJBOLL/ Partizani i tripletës, Tomorri analizon sezonin fantastik të “demave”: S’e menduam kurrë humbjen!

Vetëm pak javë më parë Partizani i volejbollit të meshkujve kurorëzoi një sezon fantastik, duke fituar gjithçka jo vetëm në arenën kombëtare me Kampionatin dhe Kupën, por gjithashtu edhe në atë mbarëkombëtare, teksa ngriti lart trofeun e Ligës Gjergj Kastrioti.WhatsApp Image 2024-05-30 at 11.24.37 (3)Të kuqtë tashmë po shijojnë pushimet pas një edicioni të shkëlqyer, të cilin është rikthyer ta analizojë trajneri Ylli Tomorri, një prej më fituesve në sportin e rrjetës në Shqipëri. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Tomorri ka rrëfyer Partizani e tripletës, duke treguar gjithçka që nga ecuria perfekte në sezonin e rregullt dhe deri te luhatjet në “play off”, të cilat sipas tij erdhën nga nënvlerësimi dhe vetëkënaqësia. Trajneri tregon se si e “zgjoi” skuadrën në momentet delikate në “play off”, ndërsa zbulon edhe Partizanin e sezonit të ardhshëm. Tomorri komenton edhe aktualitetin në tërësi në volejbollin shqiptar, duke përmendur rritjen e cilësisë sipas tij te meshkujt, por gjithashtu flet edhe për çështjen shqetësuese të mos-grumbullimit të Kombëtareve si dhe për infrastrukturën që vazhdon të mbetet një prej problemeve më të mëdha për lojërat me dorë në Shqipëri.

Tomorri, pak javë pas fitimit të titullit kampion. Si do ta përshkruani sezonin e Partizanit?

Partizani këtë vit ka kryer sezonin më të mirë të tri viteve të fundit, duke kryesuar bindshëm gjatë gjithë periudhës së kampionatit të rregullt. Duke patur parasysh dy kampionatet e kaluara, ku ne kishim si objektiv fitimin e titullit kampion dhe nuk ia dolëm, në bashkëpunim me klubin si dhe me dashamirësit tanë, vendosëm të rikonstrukturojmë ekipin. Menduam që boshtit të ekipit t’i shtonim dhe një lojtar tjetër shqiptar, Raul Sabliqin, i ardhur nga Erzeni i Shijakut, një lojtar me shumë perspektivë. Më pas konstatuam se çfarë i mungonte ekipit dhe hymë në merkato për pozicionet vakante. Mendojmë se goditëm në shenjë. Kjo ishte e dukshme që në ndeshjet e para, që në fillim të kampionatit, ku të gjithë rivalët tanë u befasuan me Partizanin e ri. Me besim vazhduam rrugën për realizimin e objektivave.

WhatsApp Image 2024-05-30 at 11.24.37 (1) (1)

Kishit një ecuri perfekte, por u lëkundët në dy finalet u para në “play off”, çfarë ndodhi në ato takime tashmë që mund t’i gjykoni me më shumë qetësi?

Puna serioze dhe këmbëngulëse të bën optimist. Fillimi ishte i mbarë, fitoret vinin njëra pas tjetrës dhe Partizani rritej nga dita në ditë. Përpara se të vijmë tek lëkundjet e para të “play off”- it, mendoj se vlen të përmend ecurinë pozitive të skuadrës, me dy trofetë e fituar njëri pas tjetrit. Liga Gjergj Kastrioti, një aktivitet shumë i rëndësishëm për ne, sepse luanim me ekipe shumë të forta, dhe mund të them që ishte një kampionat më vete. Një kompeticion i organizuar shumë mirë nga dy federatat, ajo e Shqipërisë dhe e Kosovës. Fituam edhe Kupën e Republikës, aktiviteti i dytë më i rëndësishëm në Shqipëri pas kampionatit kombëtar. Ne i fituam të dyja finalet e sipërpërmendura, me të njëjtin kundërshtar, rivalin tonë, Tiranën, ku të dyja këto ndeshje përfunduan me rezultatin 3- 0. Pra, na u duk se s’kishim kundërshtar që të mund të na bënte ballë. Na u krijua një moment qetësie, vetëkënaqësie, dhe deri diku nënvleftësuam kundërshtarin. Si në çdo sport, po të vetëkënaqesh do të lëshosh diçka. Nga ana tjetër, lojtarët e mirë dhe me përvojë të Tiranës, i thërritën mendjes dhe punuan fort për të mos e lëshuar titullin kampion, i vetmi trofe i mbetur nga objektivat që kishin në fillim të sezonit.

Ndërkohë, edhe finalja e tretë ishte dramatike, teksa Tirana ndodhej vetëm një pikë larg titullit. Çfarë i thatë skuadrës në ato momente, që më pas reagoi në një pikë mjaft delikate?

Të gjitha ndeshjet e “play off”-it ishin me rivalitet të lartë, e ndoshta, siç i quani ju edhe dramatike. Kishte nivel, grintë, sakrifica, e mbi të gjitha një volejboll të bukur, të kohës. Ne ishim të përgatitur për ta fituar këtë titull dhe unë personalisht kam qenë shumë i qetë dhe optimist gjatë gjithë kohës për arritjen e objektivit final. Më kujtohet se ne pushimin e fundit të setit final të ndeshjes së tretë, u kam thënë lojtarëve: “Me lojën që po bëni, të jeni krenarë që keni nderuar fanellën e Partizanit. Ju ftoj që në këto momente, të mos e mendoni fare humbjen, por shikoni përpara me kokën lart”. E bëra këtë, duke shpresuar se do të zgjoja kështu atë që flinte brenda lojtarëve, punën e palodhur, si dhe besimin për të dalë kampion. Dhe vërtetë, ajo që unë doja u zgjua dhe nuk pushoi më, deri në fund, kur ne u shpallëm kampionë për sezonin 2023- 2024.

Keni menduar ndonjë moment që mund ta humbnit kampionatin?

Për asnjë moment s’kemi menduar se mund të humbasim kampionatin. Kishim një arsye të mirë, kishim një skuadër shumë të fortë, punuam pa reshtur, me shumë sakrifica, me një frekuentim në stërvitje gati 100%, të motivuar për çdo ndeshje. Besuam fort në fitore dhe ia arritëm.

WhatsApp Image 2024-05-30 at 11.24.37 (2) (1)

Me fitoren e finales së tretë, më pas pamë një tjetër Partizan…

Po, patjetër, mundësitë tona fizike na lejonin që të ishim më të freskët. Filluam të dalim lirisht në lojën tonë, një lojë kolektive, ku të gjitha repartet vepronin në harmoni të plotë. Skuadra u kthye ne origjinë dhe vepronte si një trup i vetëm.

E keni projektuar Partizanin e ri dhe si do të jetë ai?

Tani për tani jemi në një pushim aktiv, duke shijuar 3 trofetë e fituar, kampionatin kombëtar, Kupën e Shqipërisë, si dhe Ligën Gjergj Kastrioti. Në projektin tonë të klubit Partizani, kemi disa objektiva.

Të ruajmë boshtin aktual të ekipit me lojtarët vendës. Të thërrasim lojtarë shqiptarë që duan të përfaqësojnë fanellën e Partizanit.

Të thërrasim një pjesë te lojtarëve të huaj që ishin me ne në sezonin e kaluar dhe të afrojmë lojtarët tanë të rinj nga ekipet zinxhirë.

Mund të na thoni diçka më tepër rreth merkatos? Do të konfirmohen Qepa dhe Sabliqi dhe a do të jetë sërish pjesë e ekipit Coutinho?

Unë nuk do të përmend emra, por strategjia e Klubit Partizani është që të ruajë të gjithë përbërjen e ekipit.

A do të jetë Partizani pjesë e Kupave të Europës?

Do të mblidhemi me Klubin për të diskutuar pjesëmarrjen tonë në Kupat e Europës. Kemi një skuadër shumë të mirë, djem me perspektivë, që mund ta nderojnë volejbollin shqiptar në arenën Europiane. Do të shikojmë financat, si dhe mbështetjen nga bashkia dhe do të vendosim. Për të arritur këto rezultate pozitive na ndihmuan një grup shokësh e miqsh, dashamirës të Partizanit, si z. Luan Leka, z. Vasil Naçi, z. Igli Gjelishti, z. Egi Santo, Dr. Muhamet Troplini, z. Flamur Kaimi, z. Joost de Bakker si dhe Bashkia Tiranë në koordinim me klubin shumësportësh Partizani.

WhatsApp Image 2024-05-30 at 11.24.38 (1) (1)

Të ndalemi pak te volejbolli në tërësi, si do ta gjykoni edicionin që lamë pas?

Për mendimin tim, volejbolli i meshkujve ka rritje cilësore, sidomos në ndeshjet finale të kampionatit në “play off”. Është një volejboll i kohës, me rivalitet bashkëkohor, i gjallë dhe ofron spektakël. Më e rëndësishmja është se është rritur shumë shtatlartësia. Për shembull, vetëm te Partizani, kishim dy lojtarë shumë shtatlartë, nga 207cm secili, Raul Sabliqi dhe Vasquez Osta. Duke iu referuar të dhënave të federatës (database), të gjithë ekipet kishin lojtarë të gjatë, mbi 2 metra. Ajo që dua të theksoj është se thuajse të gjithë ekipet kishin në radhët e tyre lojtarë të huaj, gjë që e bën volejbollin shqiptar më cilësor, rivalizues dhe spektakolar. Gjithashtu, ndikon pozitivisht në rritjen e brezit te ri të lojtarëve shqiptar. Ndërkohë, një temë më vete janë edhe Kombëtaret, teksa po kalon një brez pa e provuar ndjesinë e të luajturit për Shqipërinë. Cili është komenti juaj për mosgrumbullimin e Kombëtareve për femra, por edhe te meshkujt? Për ekipin kombëtar të meshkujve kam folur mjaft. Nuk ia vlen të përsëris veten time, sepse fjalët bien në vesh të shurdhër. Federata duhet të organizojë dhe grumbullojë ekipin kombëtar për të rritur dhe të marrë pjesë në aktivitete të ndryshme Botërore, Europiane, apo Ballkanike.

Dhe së fundmi, cilat janë 3 pikat kryesore që mendoni se duhen përmirësuar në volejbollin shqiptar?

Nuk mendoj se janë vetëm 3 pika, se të ishte ashtu, do ishte kollaj të zgjidheshin. Shikojmë volejbollin Botëror apo Europian dhe ne rajon, dhe shohim se në radhë të parë na mungon infrastruktura, teknologjia e përparuar, aq e domosdoshme lojën e sotme të volejbollit. Na mungojnë sallat për stërvitje. Pallati i sportit “Asllan Rusi”, është në gjendjen më të keqe të mundshme, i amortizuar maksimalisht, aty ku ne stërvitemi, ekipi kampion.

WhatsApp Image 2024-05-30 at 11.24.38 (2)FJGCapture

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"