Stadiumi i Rrogozhinës si ogur për ngjitjen. Besa 600 milionë lekë buxhet për Superioren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 6, 2024 | 13:13

Stadiumi i Rrogozhinës si ogur për ngjitjen. Besa 600 milionë lekë buxhet për Superioren

Në Kavajë po bëhen plane të mëdha sa i përket skuadrës së futbollit. Besa mbushi një dekadë larg elitës së futbollit dhe mesa duket drejtuesit e klubit në bashkëpunim me Bashkinë Kavajë kanë vendosur të zgjidhin “qesen” që verdhezinjtë të kthehen në Kategorinë Superiore.

besa

“Panorama Sport” mëson se për të arritur këtë objektiv madhor, pritet që për Besën të akordohet një buxhet më i madh sesa vitet e shkuara. Si fillim janë në lojë 600 milionë lekë për formatimin dhe mbarëvajtjen e skuadrës në sezonin e ri. Por gjasat janë që kjo shifër të vijë në rritje, që ka të bëjë me bonuset dhe ndërhyrjet që mund të bëhet sipas nevojave edhe në merkaton e dimrit.

Stadiumi i Rrogozhinës, ogur për ngjitjen

Besa e ka vuajtur shumë në vitet e fundit mungesën e infrastrukturës, kryesisht sa i përket zhvillimit të ndeshjeve si pritëse. Stadiumi i Kavajës ka degraduar prej vitesh dhe së fundmi është hapur drita jeshile për rikonstruksionin e tij. Në dallim nga sezonet e fundit, ku si fushë pritëse është përdorur zakonisht stadiumi modest i Luzit, në sezonin e ri Besa pritet të luajë në kushte optimale. Drejtuesit kanë gjetur akordin me fqinjët e Rrogozhinës dhe “Arena Egnatia” do të shërbejë si shtëpi pritëse edhe për Besën. Shpresohet që shtëpia e kampionëve të shërbejë si një ogur i mirë edhe për verdhezinjtë, që në fund të sezonit 2024-2025 të sigurojnë ngjitjen në Superiore.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"