Statistika/ Kukësi, klubi i dytë me më shumë trofe në Kategorinë e Parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2024 | 16:02

Statistika/ Kukësi, klubi i dytë me më shumë trofe në Kategorinë e Parë

Kukësi nuk e ka ndoshta traditën e shumë skuadrave që këtë edicion marrin pjesë në Kategorinë e Parë. Thuhet kështu, pasi është një klub që ka bërë historinë vetëm këto vitet e fundit në Superiore. Mirëpo, mjaftojnë pak vite histori në nivele të larta, për ta radhitur këtë klub mbi tetë skuadrat e tjera që marrin pjesë në këtë kategori.

Kukesi

Vetëm Flamurtari qëndron më mirë se ta, sa i përket trofeve të fituar, ndërsa të gjitha ekipet e  tjera janë nën Kukësin. Më konkretisht, verilindorët kanë fituar një titull kampion, dy Kupa dhe një Superkupë. Vlonjatët janë fitues të një titulli kampion, katër Kupave dhe dy Superkupave, duke qenë ata që udhëheqin sa i përket trofeve të fituar. Pas tyre vjen skuadra e Besës, e cila numëron dy Kupa dhe një Superkupë. Në listën e klubeve që kanë një trofe të rëndësishëm është edhe Apolonia, e cila numëron një Kupë.

Të gjitha skuadrat e tjera që radhiten më pas, nuk kanë fituar asgjë në elitën e futbollit shqiptar, ndonëse bëhet fjalë për ekipe që kanë një traditë të madhe dhe që mund t’i kenë shkuar shumë afër trofeve në të kaluarën. Shifra këto që në njëfarë mënyre bëjnë optimist klubin verilindor, i cili këtë sezon militon në të Parën pas plot 12 viteve në Superiore. Objektivi do të jetë rikthimi sa më shpejt mes më të mirave të futbollit shqiptar. Për momentin duket se asgjë nuk po lëviz. Klubi nuk ka zyrtarizuar ende trajnerin e ri për këtë edicion dhe merkato njeh vetëm largime. Nga ana tjetër, nuk ka ende një datë se kur skuadra do të zbresë në fushë për të nisur përgatitjet për këtë sezon.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"