STATISTIKAT/ Bajerni i pathyeshëm dhe me historinë në krah, rekorde dhe gola për titullin kampion
Bundesliga ka marrë nuancat e një trofeu “të tjetërsuar” në sezonin aktual, pas “vulosjes” së Bajernit si kampion radhazi në dekadën e fundit. Distanca e ngushët me verdhezinjtë e Terziçit ka bërë që dueli me Lajpcigun të marrë nota jetike. Më poshtë po ju prezantojmë me disa nga statistikat më pikante nga ecuria e të dy kampeve.
1. PRECEDENTI I PËRMBYSJES- Bajerni mban me meritë vendin e parë në ligën gjermanë pas 32 javësh, ndërsa në 20-vjeçarin e fundit, shënohet vetëm 1 rast, kur në dy javët finale ka pasur rokadë në majë të tabelës. Fjala është për sezonin 2006-2007 kur Shtutgarti kaloi Shalken, faktor shpresëdhënës në radhët e Dortmundit.
2. REKORDI NË SHTËPI- Bavarezët nuk e njohin shijen e disfatës me Lajpcigun në shtëpi, e përkthyer me 4 fitore dhe 2 barazime, komponentë identifikues se çfarë maloreje ka përpara ekipi i Roz. Vlen të theksohet se në sezonin aktual, rekordmenët nuk kanë dalë kurrë të mposhtur në tempullin e tyre, duke “bashkëjetuar” me Unionin në këtë kategori “të pathyeshmish”.
3. MBROJTJE E HEKURT- Ekipi nga qyteti më i urryer në Gjermani i ka bërë ballë për herë të fundit armatës nga Mynih në mbylljen e 90 minutave në shtëpinë e 32 herë kampionëve të ligës, 0-0 në shkurt të 2020-ës. E dhëna e mësipërme konkretizon sfidën e fundit që Bajerni nuk e ka gjetur rrugën e rrjetës në pozitën e vendësit. Kanë kaluar 75 prezenca prej asaj date që Myleri me shokë finalizojnë të paktën 1 gol. Shto faktin që të besuarit e Roz mbajnë vendin e parë në vitin 2023 mbi mbrojtjen më të mirë, vetëm 6 gola të pësuar, ndërsa në top ligat e Europës ata renditen të dytët pas Napolit, (5 gola të pësuar).
4. FITORET TENISTIKE- Triumfi me shifrat e frikshme krahas Shalkes 6-0, e dërgon në 5 kuotën e dueleve që bavarezët fitojnë me 6 gola e lart brenda një sezoni, askush nuk ka bërë më mirë.
5. GNABRI, “I ARTË”- Lojtari me numrin 7 nga gjiri i rekordmenëve e ka gjetur rrugën e rrjetës në tri ndeshje radhazi, duke përsëritur veten nga shkurti i vitit 2020-ës. Nëse e shënon emrin në listën e finalizuesve karshi rivalit të cekur më lart, 27-vjeçari do të kthehet në periudhën mars/prill të 2018-ës, kohë kur aktivizohet me Hofenhaim dhe e arrinte një seri kaq të gjatë. Kurba e Serzh erdhi nga viti i shkuar me 14 rrjeta të konkluduara në ligë, një më pak se gjendja aktuale (13 gola).
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"