Stefano Omeri lë Apoloninë pas 5 vitesh: Çdo fillim e ka një fund, më mbaroi kontrata dhe ika

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 2, 2024 | 14:56

Stefano Omeri lë Apoloninë pas 5 vitesh: Çdo fillim e ka një fund, më mbaroi kontrata dhe ika

Stefano Omeri i dha fund aventurës me Apoloninë pas 5 vitesh radhazi, një në Superiore dhe katër në të Parën. Pas përfundimit të kontratës 5- vjeçare, klubi dhe lojtari kanë ndarë përfundimisht rrugët duke mos e vijuar më tej bashkëpunimin. Në sezonin e fundit, mesfushori me tipare sulmuese shënoi 6 gola duke qenë pikë kryesore në sulm. Ai ka luajtur 21 nga 35 ndeshjet e kampionatit dhe numëron 769 minuta aktivizimi.

Repaj 13, Bejzade 15, Maksuti 76 omeri pa fanelle

Omeri ishte një prej lojtarëve më të rëndësishëm të Apolonisë. Më së shumti ai ka luajtur në pozicionin e numrit 10, duke qenë se Apolonia nuk e ka një të tillë. Në intervistën e dhënë enkas për “Panorama Sport”, 24-vjeçari ka sqaruar situatën e tij, që nga përfundimi i kontratës, e deri te mosrinovimi i saj. Gjithashtu, shkurtimisht u shpreh se është në pritje të një aventure të re në futbollin shqiptar.

Pas pesë sezonesh radhazi, largoheni përfundimisht nga Apolonia. Pse e morët këtë vendim?

Pikësëpari, më përfundoi kontrata dhe më pas nuk pranova rinovimin e saj. Mora gjithë kohën e nevojshme për të vendosur dhe të them të drejtën nuk ishte një vendim i lehtë, por ishte vendimi i duhur në kohën e duhur. Çdo fillim e ka një fund, kështu që ky ishte fundi i aventurës time tek Apolonia.

Meqë kjo aventurë përfundoi, ku do ta shohim Omerin në sezonin e ri?

Në këtë moment që po flasim, nuk kam ndonjë ofertë konkrete, por nuk do të nxitohem. Fillimisht më duhet të pushoj disa ditë, megjithatë do të pres dhe studioj çdo ofertë të mundshme. Jam gati për një aventurë të re në futbollin shqiptar.

Si kanë qenë këto 5 vite tek Apolonia dhe çfarë do të mbani mend?

Kanë qenë pesë vite të mrekullueshme, ku u rrita jashtëzakonisht si lojtar dhe mësova çdo gjë rreth futbollit. Kam dhënë maksimumin, që prej ditës 1, ku u bëra pjesë e grupmoshave, e deri sot kur isha lojtar profesionist i ekipit të parë. Do të mbaj mend këdo, trajnerët për çdo mësim të dhënë gjatë këtyre viteve, sepse pa këshillat e tyre nuk do isha ky që jam sot. Do të mbaj mend klubin për mundësinë e dhënë dhe besimin e krijuar, si dhe shokët e mi të skuadrës, të cilët më kanë mbështetur në çdo moment të keq dhe të mirë, brenda dhe jashtë fushës. Në fund, por jo për nga rëndësia, falënderoj përzemërsisht gjithë tifozët fierakë, të cilët ishin dhe do të mbesin gjatë në memorien time.

Ju erdhi keq që në sezonin tuaj të fundit nuk arritët ta ngjisnit Apoloninë në Kategorinë Superiore?

Më vjen shumë keq, por kanë qenë shumë faktorë që ndikuan. Në radhë të parë, ishim shumë larg me pikë nga dy vendet e para në renditje. Me pak fjalë, sikur pranuam fatin tonë që nuk mund të shkonim më shumë se “play off”-i. Së dyti, ishim të qetë në “play off”, por vendi i 5-të rezultoi sfilitës për ne, pasi do të luanim në transfertë dhe do të kishim vetëm një rezultat parasysh, fitoren. Sidoqoftë, e kaluam me sukses transfertën e parë, ndërsa në të dytën hasëm pak vështirësi, edhe si pasojë e ngjeshjes së kalendarit. Patëm përballë Flamurtarin, i cili kishte eksperiencën e duhur, por edhe qetësinë e nevojshme për t’u kualifikuar. Fitoi eksperienca, që vlen më shumë se çdo gjë tjetër në Kategorinë e Parë.

Në sezonin e fundit, latë shenjë sepse gjetët 6 herë rrugën e rrjetës. Sa i kënaqur jeni me paraqitjen tuaj dhe cilin gol do të veçonit?

Jam shumë i kënaqur, sepse kam bërë relativisht mirë në sezonin e sapo përfunduar duke shënuar 6 gola dhe dhuruar 6 asiste për shokët. Golat në minutat e fundit të japin një emocion shumë më të veçantë. Prandaj do të veçoja golin kundër Tomorit dhe golin kundër Vorës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"