Stërvitje pa afrime, por Apolonia ka dy formacione të mundshme për sezonin e ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 23, 2024 | 18:11

Stërvitje pa afrime, por Apolonia ka dy formacione të mundshme për sezonin e ri

Apolonia është i vetmi klub shqiptar i papërfshirë në veprimtaritë europiane që vazhdon punën stërvitore në këtë periudhë, ku gjithë vëmendja e sportdashësve është fokusuar te Kampionati Europian që po zhvillohet në Gjermani.

apolonia duke festuar golin e Umejeigos

Prej 5 ditësh fierakët janë zhvendosur në Korçë, ku po zhvillojnë një minifazën përgatitore, që do të zgjasë deri në fund të muajt dhe më pas ekipi merr pushimet 3- javore. Apolonia e sezonit të ri 2024-2025 nuk është ndërtuar ende. Fierakët që prej më shumë se një muaj vijojnë përgatitjet, edhe pse sezoni është mbyllur, fillimisht në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu” për të vazhduar në aneksin e stadiumit “Skënderbeu”. Gjatë këtyre 22 ditëve që nga hapja e merkatos, nga ekipi janë larguar disa futbollistë. Më “të dhimbshmit” deri tani rezultojnë të jenë portieri Harizaj dhe mesfushori Omeri, dy titullarë të padiskutueshëm në sezonet e fundit.

Nga ana tjetër me klubin janë ndarë edhe të rinj si Kevin Odongo dhe Levis Shivaçi, të cilët vuajtën për hapësira dhe vendimi erdhi për të parë një tjetër aventurë. Gjithashtu ndarja ka ndodhur edhe me Nuredin Orelesin, pavarësisht se ish-mesfushori nuk do të largohet përfundimisht nga Apolonia, pasi do të ketë një rol të ri drejtues. Mendohet të jetë zv.trajner në ekipin e parë, por nuk përjashtohet as mundësia për të drejtuar një nga ekipet e moshave. Me largimet e pasura deri tani dhe me lojtarët e rinj që janë thuajse të gjithë në provë, formacioni i Apolonisë ka shumë dilema.

Në portë, Mërgjyshi pritet t’i japë më shumë besim Bushit, ndërsa në qendrën e mesfushës, Jasin i rikthyer nga dëmtimi zë vendin e Orelesit të larguar, por edhe të Rakipajt, që sapo është operuar dhe pritet të mungojë gjatë. Megjithatë, të gatshëm janë Musa dhe Injehu, që renditen si alternativë luksi. Për momentin tek Apolonia mund të formatohen dy formacione, por mbeten për të parë sesa konkurrues janë ato.

554

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"