“Suksesi arrihet me investime, cilësi dhe korrektësi”, ish-trajneri Demiraj: Apolonia si film i parë, klubi të tregohet i sinqertë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 14, 2024 | 10:43

“Suksesi arrihet me investime, cilësi dhe korrektësi”, ish-trajneri Demiraj: Apolonia si film i parë, klubi të tregohet i sinqertë

Ish-trajneri i Apolonisë, Elidon Demiraj, në një intervistë për “Panorama Sport” skanon ecurinë sezonale të fierakëve.

elidon demiraj

Ai pohon, se drejtuesit e klubit duhet të nisin shpejt punën për të ndërtuar një ekip kompetitiv për sezonin e ri, në mënyrë që objektivi të arrihet direkt, duke mos shpresuar si në tri vitet e fundit te “play off”-i.

Apolonia sërish mjaftohet me pjesëmarrjen në “play off”-in e së Parës dhe më pas eliminohet. Ishte ky fund i pritshëm për ju?

Ishte një fund i pritshëm dhe nuk prisja të bënin diçka më shumë, pasi këto ishin edhe mundësitë dhe limitet e skuadrës. Për mendimin tim, sezoni i fundit është vazhdimi i të një filmi serial të stërparë në Fier. Një filmi tragjiko-komik, që lidhet direkt me fatin e Apolonisë, emrin e saj, por edhe historinë dhe traditën e këtij ekipi.

Duke ditur përfundimin, si e vlerësoni sezonin e fundit të fierakëve?

Mendoj se kanë bërë edhe më shumë sesa prisja. Fillimisht më ka befasuar kthimi i rezultatit me Vorën dhe më pas ndeshja finale e “play off”-it kundër Flamurtarit. Me sinqeritet, nuk prisja më shumë se kaq, edhe duke parë ecurinë e ekipit gjatë gjithë vitit.

Pse Apolonia nuk arriti ta kalonte dot Flamurtarin?

Apolonia kundër Flamurtarit bënë një ndeshje shumë të mirë në aspektin tekniko-taktik. Ashtu si shkoi takimi, mund të kishte kaluar edhe Apolonia. Mirëpo, Flamurtari kishte pak më shumë eksperiencë në të gjitha repartet, edhe pse ajo nuk bëri ndonjë diferencë të madhe me Apoloninë. Fati ishte me ta atë ditë, por sido që të shkonte, unë e pata thënë më parë, që ekipi i Laçit do të ishte ai që do të triumfonte në fund, pasi ishte më i avantazhuar.

Kush mendoni se ka përgjegjësi për dështimin?

Pa përjashtim të gjithë. Ashtu siç duan të ndajnë meritat për një sukses, ashtu duhet të marrin edhe përgjegjësitë për dështimin. Në fakt, nuk është se po e vret njeri mendjen për dështimet e njëpasnjëshme, as drejtuesit, tifozët, asnjë. Më duket se u ambientuam tani, nuk i bën më asnjërit përshtypje. Kjo është e trishtueshme dhe acaruese në të njëjtën kohë, sepse të vjen jashtëzakonisht keq që ekipi i zemrës është katandisur në këtë gjendje.

Çfarë duhet të bëjnë ndryshe për sezonin e ri?

Se çfarë duhet të bëjnë, ata duhet ta dinë më mirë, por me sa duket nuk duan ta bëjnë, sepse mundësi tjetër nuk ka. Rrit investimet, afro lojtarë cilësorë në çdo repart, tregohu korrekt dhe rezultatet do të vijnë vetë, pra nuk ka ndonjë shkencë të madhe. Ja Egnatia, një realitet i ri dhe shumë i bukur në futbollin shqiptar. Para 3 sezonesh ishte në Kategorinë e Parë dhe tani fitoi gjithçka. Kur gjërat bëhen serioze, me përkushtim dhe investime të mëdha, rezultatet nuk vonojnë.

“Firot” janë prezente, a po dobësohet ekipi pa filluar mirë merkatoja?

Harizaj dhe Omeri ishin dy nga lojtarët më të spikatur, pikat më të forta të ekipit. Ky do të jetë sezoni i katërt në të Parën dhe do të jetë e njëjta histori.  Nëse do të investosh seriozisht për të bërë ekip pretendent për tu ngjitur në Superiore, dy nga lojtaret e tu më të spikatur nuk mund t’i lësh të largohen. Ose dil më mirë dhe thuaju njerëzve e tifozëve që u qan vërtetë zemra për ekipin, që ne për 3-4 sezone radhazi nuk do të pretendojmë dhe do të krijojmë vetëm një ekip me të rinj, me qëllim për t’i promovuar dhe shitur. Pastaj, pas 3-4 sezonesh do kërkojmë të ngjitemi direkt në Superiore. Për mendimin tim, kjo situatë absurde duhet të marrë fund, nuk vazhdohet më pa asnjë plan apo pa asnjë projekt.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"