Sulmi i zbrazur te Skënderbeu, Gvozdenoviç ka një plan me katër emra

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 4, 2024 | 17:41

Sulmi i zbrazur te Skënderbeu, Gvozdenoviç ka një plan me katër emra

Ende pa filluar mirë faza e transferimit të lojtarëve sa i përket hapësirës verore, korçarët kanë një mangësi të theksuar në repartin e sulmit. Mangësi që vërehet jo vetëm për numra lojtarësh në dispozicion, por edhe sa i takon golave të shënuar.

gvozdenovic

Në momentet që flasim te largimet e mbyllura dhe të bëra zyrtare nga klubi bardhekuq mungojnë në apelin e trajnerit Ivan Gvozdenoviç plot 11 gola të sezonit që sapo u mbyll. Kjo lidhet me largimin e kryegolashënuesit të Skënderbeut Franklin Ahanonu që kishte realizuar nëntë herë dhe nga një secili Ivan Xhantu dhe Gresild Lika. Por sikur të mos mjaftonte kjo, dhimbja e kokës për trajnerin e Skënderbeut mbetet ende prezente. Për shkak se tre prej lojtarëve që kanë shënuar më shumë gola dhe kanë një kontratë të vlefshme me Skënderbeun janë në prag të largimit nga bardhekuqtë.

Bëhet fjalëpër Ermir Rashicën (8 gola), Ardit Nikajn (8 gola) dhe Dean Liçon (6 gola). Me një total prej 22 golash sezonale që pritet të jetë një mangësi e theksuar për Skënderbeun e sezonit të ri nëse do të largoheshin që të tre sikundër janë gjasat më të shumta në këtë moment. Ofertat dhe interesimet për tre futbollistët në fjalë sa vijnë e bëhen më të forta çka mban të ngrirë të gjithë në kampin korçar.

TRAJNERI – Nisur nga një situatë e tillë shqetësimi kryesor i shkarkohet trajnerit të bardhekuqve që do të duhet të ndërtojë nga e para repartin e avancuar. Me tre sulmues të larguar tashmë dhe dy të tjerë drejt largimit, reparti ofensiv i Skënderbeut është më i zbrazur se kurrë, çka lind nevojën e plotësimit me element cilësorë. Për këtë arsye burime të sigurta pranë trajnerit të Skënderbeut bëjnë me dije për gazetën se është duke kërkuar elementët e duhur për të plotësuar grupin.

Për momentin s’ka ndonjë lëvizje apo tratativë të avancuar, pasi fillimisht do të pritet se çfarë do të ndodhë në merkaton në dalje. Por të njëjtat burime tregojnë se Gvozdenoviç ka piketuar katër sulmues që kërkon t’i ketë në ekip në rast të një eksodi masiv.Gjithçka mbetet e hapur dhe do të mësohet më shumë vetëm pasi të shihet e ardhmja e Rashicës, Nikajt dheLiços që gjithnjë e më shumë janë drejt largimit në kampionate të huaja.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"