Sulmues i kombëtares së Ganës, Besa synon goditjen e verës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 29, 2024 | 14:30

Sulmues i kombëtares së Ganës, Besa synon goditjen e verës

Skuadrat e Kategorisë së parë e kanë marrë me “terezi” punën për sezonin e ri, pasi vetë, 3 nga 12 ekipet që do të marrin pjesë në sezonin 2024-2025 kanë bërë ndërhyrje zyrtare në merkaton e verës. Pararojë në këtë proces është Besa, ku drejtuesit e klubit dhe pushtetit vendor duket se e kanë marrë seriozisht, që pas një dekade të kthejnë futbollin kavajas në elitën e futbollit shqiptar.

besaaa

Verdhezinjtë po ndjekin një plan të detajuar, ku fillimisht prezantuan një trajner kampion dhe me përvojë në futbollin shqiptar, Mirel Josa. Fidaim Haxhiu dhe Ylli Teliti do të vazhdojnë të bëjnë punën e zv.trajnerit edhe me trajnerin kryeqytetas. Ndërsa trajneri Dorjan Bubeqi, që drejtoi ekipin në pjesën e fundit të sezonit të shkuar, ku u sigurua mbijetesa në “play out” ka marrë detyrën e drejtorit teknik të skuadrës së parë, si dhe drejtor i akademisë. Kompletimi i stafit teknik u pasua me prezantimin e tetë futbollistëve të rinj, ku spikasin elementët me përvojë në Superiore, por edhe të rinj të perspektivës. Mentor Mazrekaj, Jurgen Goxhaj, Donald Mëllugja, Bind Maxhuni, Erduan Ibrahimi, Jurgen Mehidri, Andri Stafa dhe Erlis Frashëri janë 8 afrimet e kryera deri tani nga kavajasit. Edhe pse afrimet janë të shumta dhe në çdo repart, procesi i përforcimit të skuadrës do të vazhdojë.

“Panorama Sport” ka mësuar nga burime pranë klubit se drejtuesit janë në bisedime edhe me të paktën tre lojtarë të tjerë, që mendohet se do të bëjnë diferencën. Afrimet e radhës konsistojnë dy në mesfushë dhe një në sulm. Sa i përket sulmuesit, mësohet se drejtuesit po bisedojnë me një futbollist afrikan me emër, i cili ka luajtur edhe për kombëtaren e Ganës. Për momentin emri i golashënuesit ganez po mbahet sekret, në mënyrë që të shmangin ndërhyrjet nga klube të tjera, pasi palët ende nuk janë dakordësuar.

Gjithsesi, procesi i përforcimit të skuadrës duket në rrugën e duhur dhe mendohet se filli mi i fazës përgatitore ta gjejë grupin e plotësuar dhe trajneri Josa t’i ketë që në fillim lojtarët që do të kontribuojnë për Besën në sezonin 2024-2025. Fillimi i punës te kavajasit përkon edhe me përfundimin e Kampionatit Europian, kështu që nga mesi i korrikut skuadra e trajnerit Mirel Josa do të “ndezë motorët” me synimin e qartë, rikthimin e Besës në Superiore pas një dekade mungesë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"