Sulmuesi mbetet “peng” te Apolonia, dështon transferimi te Teuta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 7, 2023 | 22:17

Sulmuesi mbetet “peng” te Apolonia, dështon transferimi te Teuta

Merr një tjetër rrjedhë situata për Mario Gjatën. Sulmuesi ishte zhvendosur në Durrës prej 4 korrikut, ditë kur Teuta nisi edhe stërvitjet. U bë pjesë e seancave të para, por tashmë është larguar. E thënë shkurt: transferimi ka dështuar.

Gjata goli

Lojtari ka edhe një vit kontratë dhe pretendimet e Apolonisë duket se nuk janë plotësuar prej durrsakëve, duke sjellë edhe ngecjen e tratativave. Fierakët kanë ndryshuar mendje atëherë kur nuk pritej, sepse nuk dëshirojnë të humbasin shërbimet e 23-vjeçarit, i cili në sezonin e fundit ka realizuar gjashtë gola me peshë në kampionat. Situata e krijuar po mban “peng” shtatlartin, që dëshiron të hedhë një hap të ri e të rëndësishëm në karrierën e tij.

Pas 111 ndeshjeve, 6320 minuta dhe 34 golave me fanellën e Apolonisë, Mario Gjata mendon se ka ardhur koha që ta mbyllë në Fier. Ai konfirmon ekskluzivisht për “Panorama Sport” dëshirën e tij për t’u larguar. “Në radhë të parë dua të falënderoj presidentin Koço Kokëdhima. Ai më ka mbështetur gjithmonë përgjatë këtyre viteve në Fier dhe nuk janë pak, por pesë vite. Të tregohem i sinqertë ama, mendoj se ka ardhur koha për një ekip të ri. Dua të hedh një hap të ri e të rëndësishëm në karrierën time futbollistike. Personalisht mendoj se nuk kam çfarë të jap më në Fier dhe dua të shoh për më lart, sepse i kam të gjitha mundësitë.

Në këtë moment që po flasim, unë po pres një ofertë konkrete e serioze dhe do të ulem menjëherë me presidentin Koço Kokëdhima dhe do të bisedoj gjerë e gjatë me këtë të fundit për të ardhmen time. Besoj, shpresoj e uroj që të arrihet një marrëveshje e kënaqshme për të dyja palët. Vetëm kështu unë do t’ia dal të përmbush me sukses të plotë objektivat e mi personalë”, përfundoi 23-vjeçari.

Gazeta është interesuar për situatën e sulmuesit edhe te drejtuesit fierakë, por pa rezultat. Si gjithmonë, ata heshtin në mënyrë të pakuptimtë, madje duke mos dhënë as sqarimin më të vogël rreth kësaj çështjeje të rëndësishme.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"