Super-Kukësi thyen Skënderbeun
Kukësi thyen Skënderbeun dhe e kthen me këmbë në tokë. Pas “asistit” të Flamurtarit, që ndali dy ditë më parë Partizanin, dje korçarët, ndjekës të kryesuesve, kishin shansin të afroheshin, por bënë një hap fals në stadiumin “Zeqir Ymeri”, aty ku në sezonin e kaluar vulosën titullin e pestë radhazi. Ka qenë një ndeshje spektakolare, e gjitha për t’u parë, me shumë ritëm dhe me një Kukës të etur për triumf. Heroi i verilindorëve ka qenë Mateus Lima, i cili si për ironi të fatit, u cilësua i pavlefshëm në verë nga Skënderbeu, ndërsa dje u tregoi korçarëve se kanë gabuar në zgjedhje, teksa u shënoi dy gola, duke u shkaktuar një humbje tronditëse. Ashtu si Partizani, edhe Kukësi arriti të ndalte korçarët, duke i bllokuar pikat e forta si Berisha nga krahët apo sulmuesit Salihi e Olainka.
Pavarësisht se ky i fundit arriti të shënonte, sërish nuk ishte në ditën e tij më të mirë, pasi bashkë me bomberin shkodran e patën shumë të vështirë përballë mbrojtësve të Kukësit. Reparti i prapavijës së vendësve ka qenë në një ditë të shkëlqyer, teksa Hallaçi, Malota, Shameti e Mici kanë fituar thuajse çdo duel me kundërshtarët, ndërsa edhe portieri Koci evitoi gola të sigurt, veçanërisht në fundin e lojës. Kukësi ia doli të merrte tri pikë, pasi e kërkoi më shumë triumfin, duke bërë presion të vazhdueshëm, qoftë në fazën sulmuese, dhe po ashtu kur topin e zotëronin kundërshtarët. Përpjekjet e kapitenit Shkëmbi, duke nxjerrë në pozicione shënimi sulmuesit, nuk mjaftuan për Skënderbeun, që këtë herë u ndëshkua edhe nga Liridon Latifi, i cili i aktivizuar në fillimin e pjesës e dytë, u ndëshkua me karton të kuq.
Pjesa e parë
Starti është i ekuilibruar, por bie në sy ritmi i lartë i lojës. Olainka jep shkëndijën e parë, ndërsa më pas përgjigjet Karioka, por pa rrezik. Skënderbeu është më i qetë dhe mundohet të qarkullojë topin, ndërsa presioni i Kukësit mbetet asfiksues. Vendësit janë fitues në duelet ajrore, teksa mbrojtësit Malota e Shameti largojnë çdo top që vjen në zonë. Ndërsa mesfushorët Musolli dhe Xheferson mundohen të nxjerrin jashtë loje Lilajn e Shkëmbin. Pas një ekuilibri total në 20 minutat e para, është Lima që, me një veprim spektakolar brenda zonës, e dërgon topin në trekëndësh. Janë minuta të mira për Kukësin dhe me korçarët që vuajnë markimin nga krahët, pasi lojtarë si Berisha e Progni markohen mirë dhe e kanë të vështirë të çajnë. Pjesa e parë mbyllet me një tentativë të Jashanicës me kokë, por pa rezultat.
Pjesa e dytë
Josa bën ndryshimin e parë, largon Prognin dhe aktivizon Latifin. Mirëpo, çdo gjë merr për ters te korçarët. Nuk kalojnë as 10 minuta nga rifillimi i lojës dhe Lima shënon golin e dytë. Sulmuesi brazilian fiton duelin me Arapin dhe përballë Shehit nuk fal. Me 2-0 Kukësi është në delir dhe në vazhdimësi kërkon të administrojë lojën. Skënderbeu shokohet, por sërish beson se mund t’ia dalë, mirëpo gjithçka e prish Latifi, që ndëshkohet me të kuq për shkak të një goditjeje ndaj Micit. Balancat prishen dhe verilindorët kanë epërsi numerike e avantazh të dyfishtë, duke e pasur më të lehtë. Ata i afrohen golit të tretë me Nikën, ndërsa shpresat për të marrë pikë në Kukës, miqtë i ndezin në minutën e 75-të, kur Olainka shënon me kokë pas një harkimi të Shkëmbit brenda zonës. Përpara se korçarët të shkurtonin diferencën, Kukësi kishte humbur shërbimet e Shametit për shkak dëmtimi. Menjëherë pas golit të pësuar, vendësit u detyruan të luanin edhe pa Limën, i cili gjithashtu u dëmtua. Megjithatë, pavarësisht insistimit të Skënderbeut, as 5 minutat shtesë nuk sollën ndryshime. Gjithçka u mbyll me fitoren e merituar të Kukësit, që tashmë kap vendin e tretë në fundjavë dhe ka një duel direkt me Teutën.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"