Super-Tirana likujdon dhe Kukësin. “Heroi” Gilberto: I lumtur në Tiranë, Vlora më trembi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 9, 2014 | 12:04

Super-Tirana likujdon dhe Kukësin. “Heroi” Gilberto: I lumtur në Tiranë, Vlora më trembi

Tirana-Kukesi 3-1TIRANA-KUKËSI 3-1
GOLAT: Taku 4′(11-m), Gilberto 49′, 71’/ Cikalleshi 16′ (11-m)
TIRANA: Lika, Pashaj, Vrapi, Muça, Kalari, Taku, Karabeci, Kërçiku (Korreshi 77′), Ndikumana (Kahata 87′), Limani (Morina 46′), Gilberto; Trajner: G.Magani.
KUKËSI: Halili, Smajli, Brahja, Malota, Hallaçi, Shameti, Uçe (Thorja 74′), Izuçuku, Progni, Hysa (Hoxha 69′), Cikalleshi; Trajner: S.Starova.
KARTONË TË VERDHË: Vrapi 15′, Kërçiku 18’/ Uçe 10′, Shemati 47′, Malota 92′
DELEGAT: Besnik Çela (Tiranë)
VËZHGUES: Astrit Mema (Tiranë)
GJYQTARET: E.Jorgji, R.Preça, A.Mahmuti (Elbasan)

MINUTAT
4′ Hallaçi ndërpret në zonë Kërçikun, Jorgji akordon penallti. Ekzekuton Taku, Halili e prek topin me të djathtën, por nuk arrin ta ndalë dhe 1-0.
16′ Cikalleshi në zonë, por ndërhyn Vrapi. Gjyqtari jep 11-metërsh dhe gjuan po Cikalleshi, i cili nuk gabon duke i barazuar shifrat në 1-1.
39′ Goditje dënimi e Kalarit nga krahët, gjuajta e tij perfekte ndalet vetëm nga shtylla.
42′ Kërçiku kombinohet me Karabecin, i cili provon nga distanca, por nuk gjen kuadratin.
49′ Pashaji çan mbrojtjen mike dhe futet në zonë, gjuan, grushton Halili. Topi mbetet në zonë, Halili dhe Smajli nuk merren vesh, përfiton Gilberto, i cili ndjek aksionin, shtyn topin dhe e dërgon në rrjetë dhe 2-1.
54′ Goditje dënimi, provon Uçe, por Lika grushton, topi kthehet te Progni që rrezikon, mirëpo portieri i Tiranës largon sërish rrezikun.
55′ Rast i artë për Kukësin: Hysa provon me gjuajtje potente, por Lika grushton dhe bën mrekullinë.
65′ Izuçuku kroson për Prognin në të majtë, i cili gjuan, por nuk gjen kuadratin.
70′ Kalari për pak sa nuk e befason Halilin me një goditje të rrezikshme nga këndi, por topi i tij ndalet vetëm nga shtylla. 71′ Aksion perfekt i bardhebluve, Morina kombinohet me Ndikumanën, i cili nxjerr të lirë Gilberton, që gjuan me finte dhe shënon golin e dytë personal dhe 3-1.
81′ Goditje dënimi për miqtë, Brahja kombinohet me Prognin, ky i fundit gjuan fort, por topi neutralizohet nga Vrapi, i cili ndërhyn saktë.
94′ Kahata merr topin në mesfushë, avancon, ia pason Takut, i cili kishte rastin të shënonte, por gjuajta e tij pritet nga Halili.

Super-Tirana fiton 3-1 ndaj Kukësit dhe i largohet për të parën herë zonës së ftohtë. Bardheblutë, të cilët prej javës së katërt dhe deri para këtij 90-minutëshi dergjeshin në vendet e fundit të tabelës, me këtë trepikësh (më konkretisht pas 17 javësh) janë ngjitur të 8-ët me 23 pikë, duke e mbyllur fazën e dytë të kampionatit larg zonës së rrezikut. Skuadra e Maganit zhvilloi një lojë bindëse, ndonëse në 45- minutëshin e parë ishte tepër racionale dhe pa shumë raste. Mirëpo, në të dytin bardheblutë shpërthyen, teksa Gilberto Fortunato vulosi gjithçka me dopietën e tij, duke i dhënë tri pikë të arta Tiranës dhe zbritur në vendin e katërt skuadrën veriore.
Pjesa e parë Ndeshja nis e qetë dhe skuadrat përqendrohen më së shumti në mesin e fushës, pa krijuar ndonjë rast të rrezikshëm. Episodi i parë i bardhebluve sjell edhe penallti në fakt, teksa në minutën e 2-të Hallaçi ndërpret në zonë Kërçikun, Jorgji akordon penallti. Pas dy minutash kontestimi ekzekuton Taku dhe Halili nga ana tjetër, ndonëse e prek topin me të majtën, nuk arrin ta ndalë atë dhe 1-0. Mirëpo avantazhi i bardhebluve nuk zgjat shumë, pasi në 16-ën minutë ka një tjetër 11-metërsh, këtë herë në favor të Kukësit. Cikalleshi fiton një penallti pas ndërhyrjes së Vrapit në zonë, e gjuan po vetë dhe nuk gabon, duke i barazuar shifrat në 1-1. Minutat në vazhdim ofrojnë një të balancuar dhe pa shumë rrezikshmëri, megjithatë Tirana është më e qartë në aksionet e saj. Në të 27-ën minutë goditje këndi, Limani gjuan drejt e në portë, por pret Halili. Në minutën e 39-të Tiranën e ndal vetëm shtylla nga avantazhi, pas një goditje dënimi perfekte të Kalarit nga krahët. Në të 42- ën minutë Kërçiku kombinohet me Karabecin, i cili provon nga distanca, por nuk gjen kuadratin. Edhe tentativa e fundit për këtë pjesë prej Takut nuk ndryshon asgjë.
Pjesa e dytë Ky 45-minutësh nis ndryshe, me një Tiranë agresive dhe shumë kërkuese. Në minutën e 47-të Morina i sapo futur në lojë, tenton nga këndi, por portieri Halili është në pozicion dhe e pret topin. Megjithatë, goli nuk vonon dhe të 49-ën minutë rezultati ndryshon. Pashaji çan mbrojtjen mike, futet në zonë, gjuan, por grushton Halili. Topi mbetet në zonë, Halili e Smajli nuk merren vesh, përfiton Gilberto, i cili ndjek aksionin, shtyn topin dhe e dërgon në rrjetë dhe 2-1. Ky gol u jep më shumë zemër bardhebluve, të cilët “zaptojnë” zonën e miqve dhe shfaqin hapur supremacinë e tyre. Ka tentativa nga ana e Kukësit, konkretisht Uçe, Progni dhe Hysa, por në të tria rastet Ilion Lika është i pakalueshëm. Në të 70-ën bardheblutë janë sërish shumë pranë golit, mirëpo shtylla bëhet pengesë për Kalarin pas një goditje potente. Megjithatë, “oreksi” i kryeqytetasve nuk mund të mbyllej me kaq dhe në të 71-ën minutë trefishohet rezultati. Aksion perfekt i bardhebluve, Morina kombinohet me Ndikumanën, i cili nxjerr të lirë Gilberton, që gjuan me finte dhe shënon golin e dytë personal dhe 3-1. Loja vazhdon po me të njëjtin ritëm dhe kuksianët mundohen të bëjnë diçka. Në minutën e 81-të ka goditje dënimi për miqtë, Brahja kombinohet me Prognin, ky i fundit gjuan fort, por topi neutralizohet nga Vrapi, i cili ndërhyn saktë. Ndeshja mbyllet po me Tiranën të rrezikshme, teksa në të 94-ën minutë Kahata merr topin në mesfushë, avancon, ia pason Takut, i cili kishte rastin të shënonte, por gjuajta e tij pritet nga Halili. Bardheblutë, edhe pse me pretendime krejt të kundërta nga Kukësi, dje dëshmuan se ishin ata zotë në fushë.

MË I MIRI
Gilberto Fortunato ka qenë lojtari i ndeshjes. Sulmuesi ishte pa dyshim futbollisti më i mirë në ato 90 minuta, duke u kthyer në rrezikun numër një për portën dhe mbrojtjen kuksiane. Braziliani arriti të shënonte dy gola, të cilat u dhanë siguri bardhebluve. Mirëpo, jo vetëm kaq, ai bindi me performancën dhe këmbënguljen e tij, duke u shfaqur si një sulmues tipik zone.

MË PAK AKTIVI
Mbrojtja e Kukësit ishte në një ditë të keqe, madje në dy golat e para fatura i mbetet pikërisht paraprijës. Hallaçi, sepse shkaktoi penalltinë, me një ndërhyrje që e dëmtoi jo pak skuadrën. Sakaq, në golin e dytë, një mosmarrëveshje në zonë mes portierit Halili dhe Smajlit i dha rrugë Gilbertos që të përfitonte. Gjithashtu edhe sulmi nuk krijoi asnjë rast të rrezikshëm.

magani“Ky ekip më bind, por nuk kemi shpëtuar”
Gugash Magani është i kënaqur me fitoren dhe largimin nga zona e ftohtë, por ende nuk e konsideron të shpëtuar Tiranën. “Nuk mund të quhemi të shpëtuar, pasi skuadrat janë ende të ngjeshura me pikë. Kemi bërë mirë pjesën e dytë të fazës së dytë, por kemi ende 11 ndeshje finale. Në qoftë se skuadra do të luajë në këtë formë, me këtë besim, them se do të jemi akoma më lart në renditje. Jam gjatë gjithë kohës në tension, pasi nuk dua që lojtarët të konsiderojnë gjithçka të mbyllur. Edhe në momentin që shënuam golin e tretë, u kam kërkuar që të vijojnë të luajnë në gjysmëfushën e kundërshtarit. Skuadra ka filluar te reagojë mirë. Ka pasur edhe ndeshje të tjera kur kemi luajtur mirë, por nuk jemi treguar efikas sa duhet. Tashmë mendoj se diferencën e bën qetësia që ka fituar ekipi. Sa i përket Ndikumanës, ishte një moment nervash. Vetëm kaq. Gilberto vazhdon të bindë, ai ishte blerja e duhur. Në lidhje me kalendarin, përgjithësisht jam i kënaqur, por vetëm në Durrës s’doja të shkoja direkt”, – përfundoi Magani.

starova“Gabuam në dy raste, Tirana e meritoi fitoren”
Sulejman Starova është i zhgënjyer, një gjë të tillë e pranon për mediat, teksa thotë: “Humbja e 3 pikëve është shumë e rëndësishme për kushtet aktuale të kampionatit. Ne luftojmë për objektivat drejt Evropës nëpërmjet kampionatit, por edhe nëpërmjet Kupës. Kishim një ndeshje të vështirë dhe për momentin Tirana ka një kontingjent lojtarësh më të mirë se skuadra jonë, pasi infermierinë e kemi plot. U dëmtuam në dy situata të pakëndshme. Që në fillim u gjendëm në disavantazh. Arritëm të barazojmë rezultatin por edhe në lojë, pasi arritëm të ulim avantazhin e Tiranës në zotërimin e topit. Gabimi në golin e dytë e rëndoi ekipin dhe nuk kishim forcë të reagonim. Tirana, pas një revolucioni ka mundësi që të synojë edhe Europën tashmë, ndërsa ne nuk besoj se mund të pretendojmë titullin. Tashmë është thuajse i pamundur, por të mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës. Detyra e trajnerit është shumë e lodhshme dhe ajo që të lodh më tepër është përgjegjësia. Po bëj maksimumin tim për t’i dhënë një ndihmë skuadrës”.

Gilberto i TiranesGilberto: I lumtur në Tiranë, por Vlora më trembi
Nga i padëshiruar në hero. Kjo është historia e Gilberto Fortunato te Tirana. Lojtari që ka bindur tashmë të gjithë skeptikët, duke u kthyer në njeriun-gol. Në një intervistë të dhënë pas ndeshjes, rrëfehet për golat, objektivat, por falet edhe për të ardhmen. Duket se ngjarja në Vlorë e ka trembur, ndaj rinovimin do e mendojë më shumë se dy herë.
Keni shënuar katër gola. Si ndihet Gilberto?
Ndihem mirë dhe jo vetëm unë, por të gjithë jemi të kënaqur për këtë fitore. Tashmë duhet të shohim ndeshjet e ardhshme për të bërë që skuadra të ngjitet sa më shumë në tabelën e klasifikimit.
Pas kësaj fitore ndiheni ende të rrezikuar?
Kemi qenë në situatë aspak të mirë,por tashmë duket se skuadra po luan mirë dhe po merr pikë. Shpresoj që të fitojmë edhe në ndeshjet e ardhshme. Kur luajmë në shtëpi e kemi më të lehtë, por kur luajmë në transfertë gjithçka bëhet e vështirë.
Si ju duket Shqipëria dhe Tirana?
Është një qytet i këndshëm dhe kam parë njerëz të mirë. Krejt ndryshe nga ndeshjet që luajmë jashtë qytetit tonë.
Keni fituar mbështetjen e fansave. Çfarë mendoni për atmosferën që krijojnë?
Janë shumë të mirë dhe na kanë mbështetur shumë. Krijojnë gjithmonë atmosferë në stadium dhe na ndihmojnë në çdo ndeshje.
Me çfarë mesazhi do t’u drejtoheni?
Duhet të besojnë tek ne dhe të na mbështesin në çdo sfidë tonën.
Kur erdhët në fillim, ka pasur shumë skepticizëm për ju…
Nuk është një përgjigje për mua kjo, por unë po bëj punën time. Po jap maksimumin në çdo ndeshje.
A është ky Gilberto më i mirë?
Jo, pasi unë mund të luaj më mirë. Kisha dy shanse dhe shënova, por jam i bindur që mund të bëj akoma më shumë për skuadrën.
Vitin tjetër do të qëndroni te Tirana?
Nuk e di pasi është shumë larg. Ajo që ndodhi në Vlorë është diçka që më bën të mendohem përpara se të vendos për sezonin tjetër. Duhet të ndryshojë diçka për të më mbajtur këtu, pasi nuk besoj se mund të qëndroj gjatë në Shqipëri.
Keni frikë nga ajo ngjarje që ndodhi në Vlorë?
Nuk më pëlqeu aspak ajo që ndodhi. Ne shkuam për të luajtur futboll, dhe atje filluan të bënin luftë. Kjo nuk është aspak e pranueshme.
Sa gola premtoni për skuadrën deri në fund?
Para se të vija, kam thënë dhjetë gola. Nëse do ia dal, do isha i kënaqur,por sigurisht që do mundohem për më shumë se kaq.

Donatorët sot do të ndajnë 15 milionë lekë premio
Tirana fitoi dje përballë Kukësit me shifrat e pastra 3-1. Një trepikësh që i ngjit kryeqytetasit në vendin e tetë, si dhe u jep mundësinë lojtarëve që të mbushin “xhepat”. Sikundër ua kishin komunikuar të premten, që suksesi do të përkthehej edhe me shpërblim, u vendosën në dispozicion jo pak, por 15 milionë lekë të vjetër. Dhe, paratë do të ndahen sot, teksa ndër të tjera ekipi do të marrë si dhuratë një seancë relaksuese në një nga qendrat estetike të kryeqytetit. Nga ana tjetër, Kukësi dje humbi të drejtën e një tjetër shpërblimi. Ndonëse shifra nuk u bë e ditur, nga sa u mësua para kësaj ndeshje presidenti Gjici mund të jepte një shumë prej afro 30 milionë lekësh. Parà që futbollistët kuksianë nuk do t’i marrin dot.
ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"