Surprizë te Laçi, largohet Agim Meto
Lëvizje befasuese te kurbinasit, mesfushori Agim Meto ka prishur dje kontratën dhe tashmë është një futbollist i lirë. Lajmin e ka konfirmuar për “Panorama Sport” vetë lojtari fierak.
“Kam mbyllur këtu bashkëpunimin me klubin e Laçit. I falënderoj të gjithë për mbështetjen që më kanë dhënë në periudhën që mbajta veshur fanellën bardhezi. Tani do të provoj një aventurë tjetër”, – ka deklaruar Meto, pa dhënë sqarime të mëtejshme për të ardhmen e tij.
Mesfushori shkëlqeu me fanellën bardhezi në vitin e kaluar dhe nuk dihet pse palët kanë prishur kontratën. Por, gjasat janë që trajneri Stavri Nica të mos i ketë garantuar aktivizimin si titullar fierakut. Nuk përjashtohet mundësia që Meto të firmosë për Vllazninë e Cungut.
Dëmtimi – Argjend Mustafa tremb Laçin. Mesfushori kosovar ka shfaqur sërish shqetësime fizike, edhe pas rikuperimit.
Lojtari ka ndier dhimbje poshtë gjurit, ndaj është detyruar që të kryejë përgatitjet veçmas, pa u sforcuar. Pjesa tjetër është totalisht gati për miqësoren e sotme kundër Kastriotit. “Po i afrohemi ndeshjes së parë zyrtare, atë që luajmë kundër Partizanit për Kupën e Shqipërisë.
Nuk kemi pse nxitojmë, por me fillimin e javës që vjen, do të përpiqemi t’i sistemojmë përfundimisht gjërat. Në skuadrën e parë do të luajnë futbollistët më në formë të momentit “, deklaroi dje trajneri i Laçit, Stavri Nica.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"