Takaj i kënaqur: Më tremb vetëm largësia. Morina fiton “gjyqin”, sot te Skënderbeu
Presidenti i Skënderbeut, Ardian Takaj, ka mbetur i kënaqur nga shorti për turin e dytë paraeliminator të Ligës së Kampioneve. Klubi korçar do të përballet me kampionët e Azerbajxhanit, Neftçi Baku, kundërshtar ky që shikohet si i pranueshëm nga numri një i presidencës. Duke pasur parasysh faktin që Skënderbeu ka shmangur emra si Sëlltik Gllazgou apo Steaua e Bukureshtit, Takaj mendon se ky short mund të konsiderohet si gjysma e së keqes për skuadrën e tij. Në bisedën për “Panorama Sport”, kreu i klubit thekson se më tepër i druhet udhëtimit të largët drejt Azerbajxhanit, sesa kundërshtarit. Ndeshja e parë do të luhet në transfertë dhe ky shikohet si një avantazh për korçarët.
Reagimi “Normalisht, çdo kundërshtar që do të na binte përballë do të ishte i fortë, pasi në vazon e parë nuk kishte ekipe të dobëta. Ky është kompeticioni më i rëndësishëm europian, i cili ka në përbërje vetëm ekipe të forta. Tashmë ajo që unë mund të them është se jam i kënaqur me shortin, sepse Neftçi Bakun e njohim. E vetmja gjë që më shqetëson është largësia dhe lodhja e ekipit nga udhëtimi për në Azerbajxhan. Gjithsesi, ne tani duhet të mendojmë të bëjmë një paraqitje dinjitoze në këtë kompeticion, duke synuar edhe kualifikimin për në turin tjetër. Është një kundërshtar për të cilin kemi njohuri të mira, kështu që mendoj se trajneri do të ketë të gjitha materialet e nevojshme për të studiuar Neftçin, në mënyrë që të zgjedhë taktikën që do të përdorë”, – deklaroi presidenti i Skënderbeut. Për këtë të fundit nuk është shumë i rëndësishëm fakti që ndeshja e parë do të luhet në fushën e Neftçit, edhe pse në dy vitet e kaluara Skënderbeu e ka nisur në shtëpi aventurën, fillimisht me Apoelin e më pas me Debrecenin.
Merkato Tashmë që kanë njohur kundërshtarin, klubi i Skënderbeut ka filluar të mendojë më shumë rreth merkatos. Pas afrimit të Jetmir Sefës, Gilman Likës dhe Leonit Abazit, korçarët kërkojnë të forcojnë sulmin. Largimi i Sebino Plakut ka bërë që në këtë repart të mbeten vetëm Pejiç e Tahirllari. Sipas presidentit Takaj, do të punohet për forcimin e mëtejshëm të ekipit. Në pritje të zyrtarizimit të Mario Morinës, numri një i Skënderbeut nuk dha asnjë koment lidhur me një mundësi për afrimin e sulmuesit Edgar Çani. “Të shohim se çfarë mund të bëjmë, çdo pistë është e hapur”, – u përgjigj shkurtimisht Takaj, i cili ka lënë pezull një huazim të mundshëm të lojtarit të Kombëtares për dy ndeshjet e Champions-it. Tifozët korçarë ëndërrojnë një goditje të madhe në sulm, pasi kështu do të shtohen shpresat për kualifikimin.
Tifozët e presin mirë: Neftçi, i kalueshëm
Tifozët e Skënderbeut kanë nisur dje të komentojnë në rrjetet sociale për kundërshtarin që skuadra e tyre e zemrës do të ketë në turin e dytë paraeliminator të Ligës së Kampioneve. Shumica mendojnë se Neftçi Baku është një kundërshtar i kalueshëm. Megjithatë, ka edhe nga ata që e shikojnë si shumë të vështirë kualifikimin kundër azerëve. Ultrasit i druhen më tepër eksperiencës që ka kjo skuadër në Europë dhe paraqitjes së mirë që ka bërë në vitet e fundit. Dje ndërkaq në “Facebook” nuk kanë munguar edhe ngacmimet mes tifozërive të të dyja skuadrave. “Kemi barazuar me Interin, këta jemi ne”, – krenoheshin ultrasit e Neftçit. Ndërkohë, korçarët i paralajmëronin se i priste humbja.
Mario Morina fiton “gjyqin” me Tiranën, sot te Skënderbeu
Mario Morina fiton gjyqin me klubin e Tiranës dhe shpallet lojtar i lirë. Dje paradite është zhvilluar seanca në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve në FSHF, ku u dha edhe verdikti për të ardhmen e sulmuesit 21-vjeçar. Ai përfundimisht e ka fituar çështjen, pas padisë që ngriti rreth tri javë më parë kundër skuadrës bardheblu. Vendimi ka qenë i prerë nga DHZK-ja, e cila e detyron klubin kryeqytetas që t’i paguajë 9 milionë e gjysmë lekë (të vjetër) lojtarit. Tashmë Morina është futbollist i lirë dhe do të transferohet te Skënderbeu. Ai e ka arritur prej kohësh akordin me korçarët, me të cilët do firmosë një kontratë 2-vjeçare, nga ku përfiton 30 mijë euro në sezon. Zgjidhjen e kontratës me Tiranën e ka konfirmuar dje për gazetën edhe vetë futbollisti. “Po, mund të them se sot (dje) u zgjidh gjithçka. DHZK-ja më dha të drejtë dhe fitova gjyqin. Do t’i bashkohem Skënderbeut në Austri”, – deklaroi sulmuesi.
Takaj – Lajmin e zyrtarizimit të transferimit të Morinës te Skënderbeu e konfirmoi dje edhe presidenti Ardian Takaj. Në një bisedë për “Panorama Sport”, ai sqaroi se sot lojtari do t’i bashkohet skuadrës në stërvitje. “Mund të them se Morina është goditja jonë e radhës në sulm. Ishte diçka që pritej, por nuk mund ta zyrtarizonim transferimin pa u zgjidhur problemet që lojtari kishte me kontratën te Tirana. Tashmë që kemi zbuluar edhe kundërshtarin në Champions do fokusohemi më së shumti te merkatoja. Do të bëjmë lëvizjet tona për të forcuar ekipin sa më shumë. Mendoj se do të afrohen edhe dy-tre futbollistë të tjerë te Skënderbeu që do të na japin ndihmën e tyre për të luftuar kundër kampionëve të Azerbajxhanit”, – është shprehur Takaj. Ndërkohë, vlen për t’u theksuar se Morina është futbollisti i dytë që vjen nga Tirana te Skënderbeu gjatë merkatos së verës.
Shkëmbi: Janë të fortë, dy vjet më parë barazuam 1-1
Kapiteni i Skënderbeut, Bledi Shkëmbi, vlerëson azerbajxhanasit e Neftçi Bakusë, por nuk e shikon si të pamundur një kualifikim të skuadrës së tij. Në një prononcim për “Panorama Sport”, fantazisti i korçarëve kujtoi edhe miqësoren e dy viteve më parë, kur ekipet u përballën në Austri dhe takimi u mbyll në barazim. “Mendoj se çdo ekip që do të na binte në këtë tur, do të ishte i fortë. Me skuadrën azerbajxhanase, Neftçi Baku, kemi luajtur para dy vitesh një ndeshje miqësore, e cila përfundoi 1-1. Mbaj mend që ata ishin një ekip shumë i fortë. Gjithsesi, ne do të japim maksimumin tonë dhe do provojmë të kualifikohemi për në turin e tretë. Besoj se shumë e rëndësishme do të jetë ndeshja e parë”, – është shprehur kapiteni i Skënderbeut. Ndërkohë, mesfushori 33-vjeçar preferonte një ekip si Maribori. Në deklaratat e tij për gazetën gjatë kësaj periudhe, Shkëmbi kishte theksuar se nga ekipet e vazos së parë, sllovenët mund të ishin një kundërshtar më i lehtë për t’u kaluar se skuadrat e tjera. “Jemi të ndërgjegjshëm për vështirësitë që ka ky kompeticion, por siç e thashë edhe më lart, ne do tentojmë të bëjmë gjithçka për të arritur kualifikimin”, – ka përfunduar titullari korçar, i cili udhëheq prej 3 vitesh drejt sukseseve ekipin e vendlindjes.
Oferta e pazakontë e azerëve: Luajmë në Austri
Duket sa e çuditshme dhe e pazakontë, por është një ofertë e vërtetë e konfirmuar në mediat e Azerbajxhanit edhe nga trajneri i skuadrës së Neftçi Bakusë. Menjëherë pas mësimit të shortit, drejtuesit e këtij klubi (të ndodhur aktualisht në Austri, ashtu sikundër edhe Skënderbeu në fazë përgatitore), si për shaka fillimisht, kanë pohuar se do t’u kërkojnë homologëve shqiptarë që të dyja ndeshjet (vajtje-ardhje) t’i luajnë pikërisht në tokën austriake. Një gjë e tillë është thënë si batutë nga trajneri Bajukaga Hajiyev, por që është marrë shumë seriozisht nga mediat e Azerbajxhanit. Kuptohet që diçka e tillë do ishte thuajse e pamundur, pasi do privonte tifozët e të dyja skuadrave që t’i ndiqnin ekipet e tyre të paktën në ndeshjen shtëpiake. Ndërkohë që do dëmtohej disi edhe klubi, pasi nuk do arrinte të shiste dot bileta për këtë ndeshje. Sakaq, menjëherë pas shortit, dje ka folur edhe trajneri Bajukaga Hajiyev, i cili e ka konsideruar Skënderbeun si një kundërshtar të kalueshëm, por gjithsesi nuk harroi që të kërkonte maksimumin nga lojtarët e tij. “Unë jam i kënaqur nga shorti i hedhur sot (dje). Me një kundërshtar të tillë them se do mund të kalojmë në turin tjetër. Gjithsesi, detyra jonë dhe më e rëndësishmja në këto momente është që të përgatitemi sa më mirë dhe në asnjë mënyrë të mos e nënvlerësojmë kundërshtarin, pavarësisht se në letër mund të jetë më i dobët sesa ne. Nëse do të bënim një gjë të tillë, atëherë them se do ishte e vështirë që ta kalonim turin”, – ka pohuar trajneri Hajiyev.
LLAZI SARO