Takaj: Soue e vëzhguam 3 muaj, Muzaka po u mbyll gojën të gjithëve. Synojmë të kalojmë grupet
Skënderbeu e ka nisur aventurën europiane në grupet e Europa Ligës me një humbje 3-1 ndaj Dinamos së Kievit. Megjithatë, paraqitja e Skënderbeut nuk është e gjitha për t’u hedhur poshtë. Korçarët nuk kanë mundur të ruajnë atë rezultat të krijuar në pjesën e parë dhe kanë parë ëndrrën e një rezultati pozitiv të shkatërrohet për dy minuta. Ky është edhe pengu më i madh për ekipin, si dhe për presidentin e Skënderbeut, Ardjan Takaj.
Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, Takaj bën me dije se pjesa e parë ka qenë kualiteti i vërtetë i Skënderbeut, por goli i shpejtë në pjesën e dytë çoroditi ekipin dhe më pas rezultati shkoi drejt humbjes përballë një ekipi të madh si Dinamo Kiev.
President, aventura nisi me një humbje, por loja premton…
Sigurisht, të luash në të tilla nivele kërkon kujdes dhe përqendrim maksimal në çdo sekondë që kalon. Jemi të mërzitur, sepse duke parë lojën që zhvilluam, kishim mundësi të dilnim me një rezultat pozitiv nga Kievi. Do të ishte një arritje e madhe, por ai gol i pësuar në fillim të pjesës së dytë na nxori jashtë loje dhe ishte një goditje e rëndë për ne. Gjithsesi, mbetet një paraqitje e mirë dhe dinjitoze nga ekipi në pjesën e parë.
Jeni i mërzitur nga loja e ekipit apo nga rezultati?
Jo, ekipi zhvilloi një lojë të mirë. Ajo që na mërzit është humbja, pasi kishim shumë mundësi ta mbyllnim me një rezultat pozitiv këtë takim. Megjithatë në të tilla nivele është e pamundur të mërzitesh me ekipin, pasi kundërshtarët janë shumë të fortë dhe kjo sjell që gjithçka të bëhet më e vështirë.
Duke parë ndeshjen e së enjtes me kokën e grupit, cilat janë pritshmëritë?
Në të tilla nivele gjithmonë ke kundërshtarë shumë të fortë përpara. Kemi bërë një paraqitje të mirë në përgjithësi përballë një ekipi shumë herë më të fortë se ne. Treguam se nuk jemi inferiorë ndaj askujt. Mirëpo, gjithçka do të shikohet në të ardhmen.
Daja ka deklaruar se edhe vendi i dytë është i arritshëm. E shihni si deklaratë euforie?
Unë nuk mendoj kështu, sepse më shumë se çdokush, trajneri është me këmbë në tokë. Ne duhet të luajmë me vetëbesim dhe përqendrim. Pa dyshim që objektivi tani është kalimi i grupit. Nuk e ekzagjerojmë aspak. Kërkojmë të kalojmë grupin duke hedhur një hap tjetër më të madh në Europë. I kemi të gjitha mundësitë, por do të duhet t’i marrim ndeshjet një nga një.
Duhet të konkurroni në tre kompeticione, a është e mundur që te të tre të keni objektiva madhorë?
Sigurisht që po! Skënderbeu është ndërtuar për të qenë i tillë. Kemi një grup mjaft të mirë lojtarësh dhe është mundësia për të qenë kompetitivë te të gjitha kompeticionet. Pavarësisht se primar mbetet kampionati.
Muzaka, një nga më të mirët në fushë në takimet e fundit, a duhet të mendohen edhe një herë ata që e kanë quajtur “jo për Skënderbeun”?
Skënderbeu kurrë nuk merr lojtarë që nuk kanë çfarë të japin më. I tillë është shembulli i Muzakës. U rikthye te ne pasi e dinim që kishte akoma për të dhënë. Me lojën e tij po u mbyll gojën të gjithëve dhe po bëhet një pikë e rëndësishme e Skënderbeut. Është një lojtar për t’u marrë shembull.
Soue, gjithnjë e më shumë një “bishë”. Ju ka surprizuar?
Është një lojtar që do të bëjë diferencën në të gjitha ndeshjet dhe të jeni të bindur për këtë. E kemi mbajtur në vëzhgim për tre muaj dhe u bindëm se mund të bënte shumë te ne. U përshtat në kohë rekord dhe po përmirësohet nga ndeshja në ndeshje. Ka akoma shumë për të treguar, pasi nuk e keni idenë e forcës së tij si futbollist. Thjesht prisni…
Tashmë në kampionat duket se nuk do të keni rivalë?
Jo, nëse mendojmë kështu, gabojmë rëndë. Kampionati ka specifikë tjetër dhe ndeshjet janë të vështira. Ne jemi në garë me disa ekipe për titull dhe duam që të rikthejmë trofeun në Korçë. Do të jetë një sezon i vështirë dhe i fortë.
Ndaj Kamzës, e vështirë përgatitja dhe ambientimi me kampionatin për dy ditë?
Skënderbeu është mësuar tashmë, pasi nuk është risi kjo aventurë në Europë. Besoj se kemi kushtet për të bërë mirë edhe nëse luajmë kaq shpesh. Kamza është një ekip i mirë që ka bërë blerje të mira në merkato dhe kërkon konfirmim. Ne duhet të jemi më të mirë se ata në fushë. Pres fitore në këtë takim, pasi e di që mund të arrihet një gjë e tillë nga ky ekip që kemi.
LLAZI SARO
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"