Takimi i trajnerit Çela me presidencën pritet të vendos Kastriotin e ri, një sulmues jep mesazh lamtumire

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 29, 2022 | 10:14

Takimi i trajnerit Çela me presidencën pritet të vendos Kastriotin e ri, një sulmues jep mesazh lamtumire

Kastrioti ka marrë dje zyrtarisht pushimet, ndërsa në ditët në vijim pritet që presidenca të organizojë një darkë me të gjithë lojtarët për t’i falënderuar për mrekullinë që bënë duke arritur objektivin disa javë përpara përfundimit të sezonit.

EMILJANO CELA 1

Aktualisht, në ekip janë disa lojtarë që u kanë përfunduar kontratat, por pritet që pas darkës festive të ketë dhe një takim presidencë-trajner, ku do të diskutohet nëse Çela do ta vazhdojë projektin e nisur me Kastriotin.

Trajneri 36-vjeçar në daljet e tij për mediat është shprehur shpesh se kushti i parë për qëndrimin e tij në krye të skuadrës do të jetë ruajtja e grupit aktual.

Lojtarëve si Kaina, që është i huazuar nga Vllaznia, apo edhe mesfushorët Edon Hasani dhe Abaz Karakaçi u ka përfunduar kontrata, por mbetet të shihet si do të procedohet me to në ditët në vijim në varësi të rezultatit që do të prodhojë tryeza me drejtuesit.

Gjithsesi, braziliani Kaina është thuajse i larguar, gjë të cilën ai e la të kuptohet përmes një postimi në rrjetet sociale: “Faleminderit për këtë grup. Ata do të mbeten në zemrën time, për të gjithë mbështetjen”.

Është folur shumë gjatë kësaj kohe në ambientet e brendshme të klubit se Kastrioti në sezonin e ardhshëm do të ndërtojë një ekip kompakt dhe me pretendime. Gjithsesi, zhvillimet në vazhdim do të tregojnë projektin dhe planin e Kastriotit të sezonit të ri.

STADIUMI- Impianti i qytetit të Krujës vijon të jetë pezull që prej marsit 2020. Prej më shumë se dy vitesh, stadiumi i vlerësuar nga FIFA për pamjen e tij, është kthyer në një gërmadhë dhe askush nuk po kujtohet për këtë impiant, i cili është i një qyteti historik dhe mjaft të vizituar si Kruja.

Megjithatë, pritet që të ketë një takim mes drejtuesve të bashkisë dhe drejtuesve të klubit mbi projektin e rehabilitimit që pushteti vendor ka për stadiumin. Në dy sezonet e fundit Kastrioti ka përdorur stadiumin e Kamzës si shtëpi pritëse për ndeshjet e Superiores, që me shumë mundësi ky bashkëpunim do të vijojë edhe për edicionin e ri futbollistik.

BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"