“Taktika e vdekjes”, ja si Real Madridi i mposht kundërshtarët kur duket… i vdekur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 4, 2024 | 13:30

“Taktika e vdekjes”, ja si Real Madridi i mposht kundërshtarët kur duket… i vdekur

Lojtarët e Borusias së Dortmundit nuk po i japin dot shpjegim. Ashtu siç nuk e shpjegojnë dot as ata të Sitit apo të Bajernit. Reali i Madridit fitoi Championsin e 15-të në histori pasi kaloi një ndeshje të sikletshme dhe që rrezikoi ta humbiste. Preku fundin për disa minuta, por pastaj u ngrit madhështore dhe tregoi forcën.skysports-vinicius-junior-champions-league_6571314“Ne nuk përfituam nga rastet tona, ndërsa Reali nuk të fal në raste të tilla”, ishin fjalët e trajnerit Edin Terziç. Një nga të fundit që vuajti “taktikën e vdekjes” së Karlo Ançelotit. Po, ashtu siç e lexuat:

Taktika e vdekjes. Atë që po vuajnë rivalët e Realit të Madridit.

“Ne jemi një ekip që dimë të vuajmë dhe e njohim njëri-tjetrin. Është e pamundur që në një ndeshje të mos kemi një rast dhe e dimë që momenti ynë do të vijë. Ançeloti na ka thënë se taktika e vdekjes është duke funksionuar. I lëmë të kuptojë kundërshtarit që jemi në një moment shumë të vështirë dhe praktikisht duke humbur, pastaj gjithmonë dalim përpara dhe fitojmë ndeshjet”, ka thënë Lukas Vaskez pas fitores së Championsit.

Ai gjithashtu thotë se nuk është asnjëherë e lehtë të fitosh finalet.

“Duken të lehta, por në çdo finale po vuajmë gjithnjë e më shumë. 5 Champions dhe vazhdojmë përpara. Kjo skuadër nuk ka limite dhe ky ekip vit pas viti parakalon veten. Ambienti mbretëron dhe është i lumtur”, tregon lojtari që do të firmosë edhe për një vit qëndrimin me fanellën e bardhë.

Për të ngritur Champions-in e 15-të, Reali i Madridit duhet edhe të trembej. Dortmundi ishte duke e dominuar në pjesën e parë, ashtu siç pak herë ka ndodhur në një finale Champions-i për Ançelotin. Trajneri italian preku telat e duhura. Bashkë me peshat e rënda të skuadrës në dhomat e zhveshjes diskutoi për ta zbritur ekipin me energjinë e duhur në fushën e lojës. Pastaj ndryshoi modulin duke kaluar në një 4-3-3 më të qartë për të interpretuar lëvizjet sulmuese dhe ato mbrojtëse. Dhe gjithçka pati efekt. Reali ishte tjetër në pjesën e dytë.

“Folën lojtarët më me eksperiencë në skuadër, ata që kanë më shumë finale të luajtura si Karvahal, Naço dhe Modriç. Pastaj ngriti zërin trajnerin. Misteri është më i miri në botë dhe ideali për këtë skuadër. Ndryshoi atë që duhet të ndryshonte dhe funksionoi. Nuk është kot më i miri”, tha Hozelu.

Të gjithë në Madrid pranojnë se pushimi erdhi në momentin e duhur të ndeshjes.

“Ishim duke vuajtur. Por kjo skuadër nuk dorëzohet kurrë. Disa lojtarë as nuk festuan, kanë fituar aq shumë sa ju duket normale”, ishin batutat e Hozelut pas ndeshjes.

Reali i Madridit tregoi genin e tij triumfues me taktikën e vdekjes që nxjerr huq çdo plan të kundërshtarit. Një taktikë që është perfeksionuar me historinë e këtij klubi madhështor, të bazuar në një mentalitet të hekurt. E pranon gjithashtu Toni Kros.

“Ekipi do të vazhdojë të jetë fitues, me apo pa mua. Do të ndryshojë stil, por nuk ndalet”, tha gjermani.

Edhe trajneri Ançeloti e pranon se do të jetë pak më e vështirë pa gjeniun e pasimeve, por në “Uembli” u kuptua se “taktika e vdekjes” është fatale për rivalët. Sepse Reali nuk vdes kurrë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"