Taremi prezantohet te Interi: Më quanin “Princi i Persisë”, realizova një ëndërr

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 15, 2024 | 19:14

Taremi prezantohet te Interi: Më quanin “Princi i Persisë”, realizova një ëndërr

Mehdi Taremi ësh të lojtari më i ri i Interit. Sulmuesi iranian, i cili mbërriti falas nga Porto, është zyrtarisht zikaltër, siç bëhet e ditur në një shënim zyrtar të lëshuar nga klubi pas ekzaminimeve mjekësore të përfunduara me sukses.

taremi

32-vjeçari ka nënshkruar kontratë deri më 30 qershor 2027, teksa dje kanë ardhur edhe fjalët e tij të para pas edhe golit të parë të shënuar që në stërvitjen e parë me shokët.

Cilat janë emocionet e para të kësaj përvoje të re?
Jam shumë i lumtur që jam sot këtu, për mua është një ëndërr e realizuar. Ndihem mirë dhe jam shumë i lumtur, më duhet të them se ky është momenti më i mirë i jetës sime.

Ju jeni lojtari i parë iranian në historinë e Interit, sa krenar ju bën kjo?
Po, kam qenë në dijeni dhe jam shumë krenar. Bëra gjithçka që munda për të qenë këtu sot dhe më në fund ia dola. Do të mundohem të nderoj skuadrën time të re duke bërë gjithçka për fanellën, klubin dhe tifozët.

Ju do të përballeni me një kampionat të ri, Serinë A. Çfarë mendoni për këtë dhe cilat janë aspektet që ju kanë goditur më shumë?
Seria A është një nga kampionatet më prestigjioze në botë, do të përpiqem të bëj më të mirën, siç kam bërë gjithmonë deri tani. Dua të jap më të mirën time këtu tek Interi dhe t’i shpërblej për besimin që kanë treguar duke më punësuar.

Si sulmues, si do ta përkufizonit veten?
Si sulmues duhet të shënoj gola dhe të jap asistime. Duhet të fitoj ndeshje që është gjëja më e rëndësishme për ekipin. Jam gati të ndjek çdo udhëzim dhe nevojë të trajnerit.

Cili mendoni se mund të jetë kontributi juaj për ekipin kampion të Italisë?
Di që kam ardhur tek Interi, një klub i madh që synon të fitojë sa më shumë ndeshje të jetë e mundur. Së bashku me shokët duhet të fokusohemi në këtë objektiv dhe të japim gjithçka për ta arritur atë. Fitorja është diçka që arrihet falë kontributit së të gjithëve: stafit, lojtarëve dhe gjithë klubit, hap pas hapi deri në objektivin final.

Babai juaj luante futboll. A ishte kjo ajo që ju shtyu drejt botës së futbollit? Çfarë roli ka luajtur ai?
Babai im është një legjendë e futbollit në vendlindjen time. Fillova të luaj futboll që fëmijë, kur isha gjashtë vjeç dhe ai më mbështeti gjithmonë, më bëri të bëhem ky që jam sot. Më ndiqte gjithmonë në stërvitje, ishte një rrugëtim shumë i bukur për mua.

Keni ndonjë pseudonim që mund ta përdorin tifozët tuaj të rinj?
Kur isha te Porto më quanin “Princi i Persisë”, por le të shohim. Nëse do të më vënë ndonjë nofkë tjetër shpresoj të jetë e bukur dhe ta meritoj.

A ka ndonjë mesazh që dëshironi t’ua jepni fansave tuaj të rinj?
Sigurisht që unë jam këtu për të dhënë kontributin tim, dua të festoj shumë fitore me ta që sot e tutje, në të gjitha turnetë në të cilat do të luajmë. Unë premtoj se do të bëj më të mirën për ta dhe do të festojmë të gjithë bashkë.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"