Të flasësh apo të mos flasësh?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 18, 2017 | 18:34

Të flasësh apo të mos flasësh?

LUAN VUKATANA

 

Mendoj që erdhi momenti që të vendos zërin tim te shpirti im i brendshëm për t’ju përgjigjur pyetjes që deri diku më ka munguar: “Të flasësh apo të mos flasësh?”.

Gjithmonë kam menduar se kam qenë i suksesshëm në karrierën time sportive 14-vjeçare, falë talentit, mundit dhe sakrificës sime. Por, asnjëherë, nuk më pëlqente të flisja për veten time. E, megjithatë, që të jem i sinqertë, kënaqesha kur dëgjoja të tjerët që flisnin me superlativa duke vlerë- suar talentin tim, fantazinë në lojë, teknikën, rrezikshmërinë për kundërshtarin, pasionin dhe dëshirën për të fituar gjithmonë.

Dhe nuk ishte e lehtë, mbasi u desh të sakrifikoja rininë time. U bëra pjesë e ekipit të të rriturve të ekipit të Vllaznisë që në moshën 16-vjeçare, pjesë e atij klubi ku luanin të famshmit Sabah Bizi, Din Zhega e të tjerë. Një fëmijë i imët, me këmbë të holla, që shumë shpejt do të jepte kontributin e tij në sukseset e këtij ekipi me vlera.

 

luan vukatana

Në zhvillimet e sotme të futbollit shqiptar bëhen shumë etiketime për legjendat e këtij sporti. Dhe me të drejtën e mendimit tim drejtoj pyetjen se: çdo të thotë të të etiketojnë legjendë të futbollit shqiptar, gjë të cilën unë personalisht nuk kam arritur ta marr këtë vlerësim? Në perceptimin tim, të jesh legjendë, do të thotë, të jesh shumë i suksesshëm. Dhe të jesh i suksesshëm, në radhë të parë, duhet të kesh jetëgjatësi në sport. Sepse nuk mund të jesh i suksesshëm me një, dy apo tri vite karrierë sportive.

Të jesh i suksesshëm, do të thotë të kesh trofe mbi supe. Do të thotë, të kesh qenë pjesë e ekipeve përfaqësuese të Shqipërisë. Do të thotë, pse jo, të jesh shpallur futbollisti më i mirë i vendit ndonjë vit. Pra, të jesh legjendë mbi bazën e evidencave dhe jo mbi bazën e një cope letre që, fatkeqësisht, sot jepen nga FSHF si diplomat false mbas viteve ’90…

Jepen me radhë e pa radhë, me meritë e pa meritë (problemi është për ato pa radhë e pa meritë, të cilët janë më të shumtë). Nga të gjitha sa përmenda me sipër, dua të evidentoj disa arritje të miat gjatë karrierës sportive:

– Fitues i Kupës Kampion i Shqipërisë me ekipin e Vllaznisë në vitet 1978 dhe 1983.

– Fitues i Kupës se Republikës po me ekipin e Vllaznisë përkatësisht në vitet 1979, 1981, 1987. Pra, 5 trofe “de facto”.

– Lojtar i përfaqësueses së Shpresave dhe Kombëtares së Shqipërisë nga viti 1976 deri në vitin 1984.

– Fitues i anketës: futbollisti më i mirë i Shqipërisë (10 sportistët më të mirë të vitit) në vitin 1983.

– Pjesë e 11-shes më të mirë të Vllaznisë vitet ’80 dhe ’90.

Dhe po mundohesha të bëja paralelizmin me legjendat e shpallura nga zoti Duka dhe suita e tij në vitet e fundit, ku për shumë prej tyre nuk mund t’i gjeja këto suksese. Prandaj dhe vendosa ta thyej atë idenë se njerëzit e suksesshëm më shumë dëgjojnë se flasin për veten e tyre. Por, në qoftë se ne nuk flasim, shumë gjëra do të mbeten të gabuara përgjithmonë ku regresi do të dominojë progresin.

luan vukatana

Nga gjithë analiza ime, faktet janë të shumta për ato që kanë hyrë pa radhë dhe pa meritë. Pra, o njerëz, që të kesh atë copë letër që e ka humbur kuptimin e vërtetë të fjalës legjende, duhet që të lëpish b… e zotit Duka ose t’i ngjitesh atij si m… mbas këpucës. Apeli im është: Zoti Duka, mos shpërdoroni besimin e atyre që ju kanë dhënë mundësinë e detyrës që mbani!

Në qoftë se nuk i dini kriteret e vlerësimeve, sepse helbete nuk keni pasur asnjë lidhje me fushën e futbollit, zgjidhni njerëz të aftë dhe të ndershëm në pozicionet e institucionit që drejtoni. Në qoftë se është e qëllimshme, historia do t’ju dënojë sepse një LEGACY nuk mund të shuhet nga individë të pandershëm. Gjithashtu, hiqni dorë nga praktikat e shëmtuara duke nderuar e vlerësuar njerëzit pas vdekjes për vlerat e meritat e tyre. Jepuni sodisfaksionin e vlerave të tyre sa janë gjallë.

Rikthehem përsëri te pyetja: “Të flasësh apo të mos flasësh…?”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"