“Të gjithë përgjegjës për dështimin, Liçaj i sigurt”/ Idrizi: Flamurtari i kujdesshëm, afrojmë vetëm lojtarë korrektë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 13, 2024 | 11:52

“Të gjithë përgjegjës për dështimin, Liçaj i sigurt”/ Idrizi: Flamurtari i kujdesshëm, afrojmë vetëm lojtarë korrektë

“Flamurtari këtë sezon do të bëjë merkato të kujdesshme”. Kështu shprehet Sinan Idrizi gjatë një interviste për “Panorama Sport”. Idrizi konfirmon vijimin e bisedimeve me trajnerin Jeton Beqiri, por thotë se në lojë janë edhe kandidatë të tjerë.

idrizi ferko

Për lojtarët që do të vijnë në Vlorë këtë sezon, thotë se duhet të jenë korrektë me klubin. Administratori zbulon se do të qëndrojnë nga sezoni i shkuar lojtarët që kanë sakrifikuar dhe jo ata që kanë bërë sikur kanë ecur në fushë. Një apel e ka edhe për drejtuesit e klubit, kur thotë se të gjithë kanë përgjegjësinë e tyre për dështimin.

Idrizi, cilat janë të reja për trajnerin e ri të Flamurtarit?

Jemi në punë e sipër. Kandidatë për trajnerë janë disa. Edhe ju i keni nxjerrë si emra. Janë disa opsione që kemi për t’i besuar pankinën. Jemi duke punuar, nuk duam që të nxitohemi.

Një prej emrave është trajneri i Shkëndijës, Jeton Beqiri, apo jo?

Po patjetër. Jeton Beqiri është një nga kandidatët e mundshëm për trajner. Tani na duhet që t’i shikojmë gjërat me kujdes. Nuk kemi marrë ende asnjë vendim. Kemi një listë me dhjetë lojtarë, në fakt ka qenë Artim Pollozhani ai që më ka vënë në dispozicion këtë listë. Ai i njeh këta lojtarë dhe unë besoj te përzgjedhjet e Pollozhanit.

Prezantuat si blerje të parë kosovarin Trimror Selimin. Cili është plani i merkatos së verës?

Lojtarët që do të vijnë duhet që të jenë korrektë me klubin. Po punojmë për një treg të kujdesshëm. Ne u plotësojmë çdo kusht, ndaj kërkojmë edhe prej tyre të njëjtin seriozitet dhe përkushtim. Dështuam në sezonin e fundit, pavarësisht se nuk u kursyem për asgjë. Nuk duhet që të përsëritet sërish e njëjta gjë si në sezonin e shkuar. Vajti kohë e gjatë që Flamurtari nuk është në Superiore. Vlora dhe tifozët nuk presin dot më!

Cili është plani, do të qëndrojnë lojtarët që mbyllën sezonin në Vlorë?

Jemi duke punuar edhe me futbollistët që do t’i mbajmë nga sezoni që u mbyll. Pjesa më e qenësishme do të qëndrojë. Pra, shtylla e skuadrës dhe ata që kanë luajtur e respektuar fanellën do të rrinë. Natyrisht, që nuk mund të mbajmë ata lojtarë që kanë bërë sikur kanë vrapuar në fushën e lojës. Ata nuk do të kenë më vend te Flamurtari.

Do të qëndrojnë drejtuesit e klubit, apo do të bëni ndryshime?

Secili duhet të mbajë përgjegjësitë e veta. Për mua të gjithë kanë përgjegjësi dhe duhet që t’i dalin në ballë çdo situate. Alfred Ferko ka përgjegjësitë e veta, pasi është drejtues i klubit, si dhe të gjithë të tjerët me radhë.

Do të jenë pjesë e Flamurtarit drejtuesit Alfred Ferko, Edmond Liçaj apo edhe Andi Ribaj?

Të mos merremi me emra konkret. Përgjegjësi kanë të gjithë. Për një gjë ju siguroj, Edmond Liçaj do të jetë pjesë e klubit. Ai do të vijojë të jetë pjesë e Flamurtarit.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"