“Të përsërisim sezonin e kaluar”, Ernest Muçi: Me Kukësin do të jetë ndeshje e luftuar, më pëlqen të luaj sulmues i dytë
Marka “Ernest Muçi” po vjen. Golat që mungonin po shënohen dhe tani sulmuesi i bardhebluve është gati për kampionatin. Ka shënjestruar Kukësin. Tani më i pjekur, Nesti, siç e thërrasin shokët, flet për një Tiranë solide e cila kërkon të mos gabojë në sfidën hapëse të sezonit. Për gazetën ai flet për Kupën dhe detaje të tjera. Ernest Muçi ka katër vite te Tirana. Ai ka ardhur në sezonin 2017-2018 kur trajner ishte Ze Maria. Në këto sezone, Muçi ka luajtur në 53 ndeshje, duke qenë në fushë 2423 minuta dhe gjatë kësaj fashe loje ka shënuar 16 gola.
Muçi e nisi në maksimumin e tij sezonin. Dy gola, madje shumë të bukur në sfidën me Shkumbinin…
Shpresoja shumë që në ndeshjen e parë të shënoja gol. Ia arrita të shënoja dy të tillë, nuk ka gjë më të mirë. Besonim shumë që do të kualifikoheshim. Ndodhën të dyja dhe për këtë fakt jam shumë i kënaqur. Një tur Kupe e kaluam dhe tani të mendojmë për kampionatin. Kemi një ndeshje shumë të rëndësishme me Kukësin ditën e mërkurë. Qëllimi dhe detyra jonë është të luajmë sa më mirë dhe të marrim edhe në këtë sfidë fitoren.
Kënaqeni me dy gola?
Askush nuk kënaqet me dy gola. Do të shënoj sa më shumë. Jam i lumtur për golat dhe shpresoj të vazhdoj serinë e tyre, sepse kjo është puna ime, të shënoj gola.
Ju folët për Kukësin, por skuadra është në emergjencë. Mungojnë gati gjashtë titullarë…
Është e vërtetë. Jemi në emergjencë, por edhe lojtarët që do të luajnë do të japin maksimumin. Gjithsesi, Tirana ka një armë tjetër. Skuadra ka shpirt luftarak. Jam i bindur që do të luftojmë për çdo top në çdo cep të fushës në çdo minutë të sfidës me Kukësin. Jam i bindur që mund të bëjmë mirë. Edhe ata që janë në stol them se mund të luajnë pa problem. Tani fusha do të tregojë sa të fortë jemi. Për më tepër që ne kemi lojtarë që luajnë në dy-tri pozicione dhe mund të na nxjerrin nga situata. Kukësi ka një ekip të mirë dhe shumë të fortë. Do të jetë një ndeshje shumë e luftuar. Realisht do të jetë e vështirë, sepse kemi kohë që nuk luajmë me ritëm shumë të lartë në një takim. Shpresoj të na ecë edhe këtë 90-minutësh.
Niseni si kampionë, por cilën nga ato skuadra keni parë është ekipi që e rrezikon më shumë Tiranën?
Skuadrat nuk i kemi zbuluar ende. Kemi luajtur në ndonjë miqësore. Pak a shumë i dimë cilësitë që kanë. Jemi aty-aty me të gjitha ekipet e tjera. Sa për kundërshtarët në kampionat janë shumë skuadra të mira që u ndërtuan në verë. Laçi, Teuta, pse jo, dhe Kukësi që është ekip shumë i fortë. Duhet t’i luftojmë të gjitha skuadrat dhe të shpresojmë që të marrim maksimumin në çdo sfidë. Do të luftojmë deri në frymën e fundit për të dalë kampionë të Shqipërisë. Kampionati nga ana tjetër do të jetë shumë i luftuar, në çdo ndeshje. Qëllimi ynë është që të luftojmë ndeshje për ndeshje. Të luftojmë shumë duke përsëritur sezonin e shkuar dhe në fund jam i bindur se do të marrim rezultate të mira.
Trajnerët kanë vendosur që të mos luani më sulmues i parë, por sulmues i dytë?
Sulmues i dytë është pozicioni im natyral. Kam luajtur në atë pozicion që prej hapave të parë në futboll. Më pëlqen ai pozicion, por duke e parë në një tjetër prizëm. Të luash është e rëndësishme për mua. Dua të jem në fushë dhe të jap më të mirën. Nuk ka rëndësi ku më vendos trajneri, sulmues i parë apo i dytë.
OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"