“Te Vllaznia të mos vijnë lojtarë stoli”, ish-mbrojtësi Kraja; Ekipi ka forcën për të kaluar turin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2024 | 22:34

“Te Vllaznia të mos vijnë lojtarë stoli”, ish-mbrojtësi Kraja; Ekipi ka forcën për të kaluar turin

Vllaznia është përqendruar te përgatitjet për ndeshjen me islandezët e Valur në Ligën e Konferencës, pasi ka qenë mjaft aktive në merkato deri tani. Ervis Kraja, ish-mbrojtësi i kuqebluve, në një intervistë për “Panorama Sport”, ka komentuar lëvizjet e bëra deri tani te Vllaznia dhe sfidën europiane të saj. Kraja beson fort se ish-skuadra e tij do ta kalojë turin e parë.

ervis kraja

Kraja, si e shikoni merkaton e deritanishme të Vllaznisë?
Mendoj se merkatoja duhet të jetë sa më cilësore dhe se Vllaznia ka nevojë për lojtarë që bëjnë diferencën, jo sa për të plotësuar organiken. Megjithatë, stafi teknik dhe drejtori kanë bërë një punë të mirë me qëllimin që Vllaznia të jetë pretendente.

Ku duhet ndërhyrë më shumë në merkato, sipas jush, që ekipi të jetë i plotë për Europën dhe sezonin e ri?
Mendoj që për lojtarë cilësore ka nevojë çdo repart, kurse për të bërë merkato mediash ka nevojë edhe stoli. Mendoj se duhet të bëhet më shumë për të afruar cilësi në fushën e lojës, jo të vijnë lojtarë stoli te Vllaznia.

A duhej të ishin mbajtur disa nga lojtarët që u larguan nga ekipi kohët e fundit?
Mendoj që ata janë pjesë e shkuar. Na mbetet që të shikojmë se çfarë lojtarësh do të vijnë për sezonin e ri dhe pastaj mund të themi, nëse kanë gabuar apo jo.

Si e shikoni kundërshtarin e Ligës së Konferencës, një ekip islandez?
Kundërshtari mendoj se është i kalueshëm. Kam shumë besim se skuadra jonë do të arrijë një rezultat, që do të kënaq të gjithë tifozët e qytetit që jetojnë çdo ditë me futbollin në Shkodër.

A i ka vërtet Vllaznia mundësitë për të qenë në turin tjetër?
Kalimi i turit është detyrë për Vllazninë. Nuk duhet ta mendojnë një disfatë, sepse mobilizimi nga ana e stafit dhe drejtuesve të klubit, me atë çfarë po shohim dhe lexojmë, nuk ka munguar. Unë ju uroj veç suksese gjithmonë për Vllazninë.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"