Tërbuni thyen Burrelin, një mbrojtës u jep leksion sulmuesve
TËRBUNI – BURRELI 1-0
GOLAT: B.Kepi 29’
TËRBUNI: Xhika, Kepi, Lila, Shala, Mone (Baku 47’), Sulollari, Ramadani, Rodrigues, Mziu (Greca 46’), Balla (Marku 76’) Agastra. Trajner: Xh.Gargano
BURRELI: Xhixha, Murati, Klosi (Fresku 85’), Qendro, Hotaj (Vlashi 67’), Mata (Vata 80’), Kola, Kaloshi, Pirani, Steven, Ajazi. Trajner: V.Gjoni
GJYQTARË: A.Kamberi, S.Hana, Q.Shaha
KARTONË TË VERDHË: Mone 47’, Klosi 85’, Hotaj 67’, Mota 10’, Kola 40’
ërbuni është rikthyer te fitorja, duke mposhtur në shtëpi Burrelin. Ka qenë mbrojtësi Kepi, ai që falë golit të shënuar në minutën e 29-të, i ka nxjerrë të tijtë triumfues nga fusha e lojës. Pukjanët e kanë nisur lojën vrullshëm. Në minutat 5, 7 dhe 10 sulmuesi Agastra ka pasur raste për shënim, por ka hasur një mbrojtje të ngjeshur të matjanëve. Defensiva mike ka luajtur rëndë, çka e ka detyruar gjyqtarin të nxirrte disa kartonë të verdhë. Në minutën e 17-të, mesfushori Ramadani gjuan nga një distancë 20 metra, duke qethur shtyllën traversale në krahun e djathtë të portierit Xhixha. Në minutën e 20-të Ballaj – i gjendur vetëm me portierin – nuk arrin të shënojë. Në të 29-ë minutë Mone shmang dy lojtarë kundërshtarë dhe kroson brenda zonës, duke i dhënë mundësinë mbrojtësit Kepi të shënonte golin e parë për të tijtë dhe të tretin personal në këtë sezon. Ndërkaq, edhe në fraksionin e dytë pukjanët kanë qenë dominues, por pavarësisht rasteve nuk ka pasur më gol. Ndërkaq, në minutën e 47- të, Mone është detyruar të largohet nga fusha, pasi është dëmtuar në vetullën e majtë, për shkak të lojës së rëndë të miqve. Minutat e mbetura deri në fund janë pa histori.
Trajnerët – Xhino Gargano, trajneri i Tërbunit, pas ndeshjes tha: “Jam i kënaqur për fitoren. Ekipi dominoi për 90 minuta, duke e merituar fitoren. Kundërshtari luajti egër. Tani neve na duhet të mendojmë për takimin e radhës që do ta luajmë në Berat ndaj Tomorit. Të gjitha ndeshjet do t’i konsiderojmë si finale”. Ndërsa homologu i tij, trajneri i Burrelit, Vladimir Gjoni, pas ndeshjes pohoi: “Tërbuni e meritoi fitoren. U uroj suksese pukjanëve. Lojtarët e mi nuk i zbatuan detyrat e dhëna para takimit. Ata shkaktuan shumë faulle ndaj kundërshtarit. Tani do të duhet të punojmë shumë për të mos rënë nga kategoria. Falënderoj drejtuesit dhe tifozerinë për mikpritjen”.
D.Pema