“Tërmet 3-ballësh” i Pejiçit, kroati “ekzekuton” Vllazninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 25, 2012 | 9:02

“Tërmet 3-ballësh” i Pejiçit, kroati “ekzekuton” Vllazninë

Kampionët e Shqipërisë në fuqi e tregojnë fytyrën e tyre të vërtetë që në start, duke i dhënë jetë kampionatit të 74-t kombëtar të futbollit me një fitore bindëse, të arritur në tempullin e futbollit shkodran, në “Loro Borici”. Tërmet “3-ballësh” i Pero Pejicit, gjigandit kroat të Skënderbeut, që e nis në mënyrën më të mirë të mundshme kampionatin në radhët e juglindorëve. Rikthim mahnitës e mrekullues i Mirel Josës në kryeqendrën e veriut, aty ku ka drejtuar për mjaft kohë, disa herë, skuadrën vendëse. Vetëm se kësaj radhe e ka mundur atë, madje e ka shokuar që në start, kur tifozëria e zjarrtë shkodrane, e shumtë në numër në këtë sfidë, priste të shihte Vllazninë e përforcimeve të shumta, e premtimeve të mëdha. As njërën dhe as tjetrën nuk e panë dot, sa për meritë të kundërshtarit, me në krye një sulmues të papërmbajtshëm si Pejic, aq për dobësi të theksuar të mbrojtjes kuqeblu. Kjo e fundit u shfaq e fjetur, aspak pozicinonale dhe me gabime të shumta në rreshtin, duke ia lehtësuar punën autorit të tripletës për kuqebardhët, Pejic. Jo më lart u shfaqën edhe repartet e tjera të Vllaznisë, që stonuan ndjeshëm dhe nuk gjetën thuajse për asnjë moment kohezionin e duhur, as pritshmëritë që kanë të gjithë për Vllazninë.
Tej rezultatit teknik të kësaj sfide, që nxori juglindorët triumfues me meritë, dueli mes kuqebluve dhe korcarëve startoi zyrtarisht edhe edicionin e 74-t në historinë e kategorisë më elitare të futbollit tonë. Ndërkohë, konkurrenca në këtë kampionat pritet të jetë edhe më e lartë se vitin që shkoi, por duke u fokusuar te merkatoja e bërë, te grupi i lojtarëve që kanë, te potenciali ekonomik dhe politikat e brendshme të klubeve, nuk është e vështirë të përfshish në luftën për titull skuadra të tilla si Skënderbeu, Flamurtari, Tirana, Vllaznia e ndoshta Teuta. Superiorja do të prezantohet me dy skuadra të reja, të ardhura nga Kategoria e Parë, të cilat janë: Luftëtari dhe Kukësi. Verilindorët “shkelin” për herë të parë në këtë kategori në historinë e tyre.

Sfida hapëse, në Shkodër
VLLAZNIA – SKËNDERBEU 1-3
Golat: Smajli 77′ / Pejic 19′, 34′, 47′
Vllaznia: Vujadinovic – Smajli, T.Osmani, E.Beqiri, Begaj (Shtubina 70′) – Nallbani, Dragoi, Delic (Semina 53′), Hajdari (Belisha 81′) – Hysa, Rexha.
Trajner: Sh.Duro
Skenderbeu: Shehi – Gvozdenovic, Bici, Radas, Arapi – S.Lilaj, Orelesi, Kerciku (Caushaj 91′), Dimo (Vrapi 63′) – Pejic, Plaku (Kuli 84′).
Trajner: M.Josa
Gjyqtar: Laver Alla, Denis Koreshi (Lushnje), Denis Rexha (Tiranë)
Kartonë të verdhë: T.Osmani 71′, Belisha 83′, Rexha 91′ / Kerciku 73′

Formacionet
Të dyja skuadrat kanë zbritur në fushën e lojës me vendosje të njëtja taktike, me modulin 4-4-2. Kjo dëshmon qasjen ndërtuese dhe ofensive të tyre, në kërkim të marrjes së maksimumit të mundshëm nga kjo betejë e parë e kampionatit të ri. Duro dhe Josa nuk kursehen shumë as në aspektin taktik. Korcarët, në ndryshim nga finalja e Superkupës me Tiranën, kanë bërë dy ndryshime në formacionin e vet titullar, teksa e nisin nga stoli dy blerjet e kësaj vere, Kuli dhe Caushaj, ndërsa vendin e tyre e kanë zënë i riu kryeqytetasin, Kerciku, dhe Dimo. Kuqeblutë shfaqen me të njëjtën 11-she, si në miqësoret e fundit të tyre, ku dyshja e sulmit i besohet Hysës dhe kosovarit Rexha, mbrojtja kapitenit Beqiri dhe Osmanit, në qendër, me Smajlin e Begajn. Mesfusha vendëse ka për regjizor malazezin Delic, i vendosur mbas dyshes së sulmit, pas tij patrullon kosovari ilir Nallbani, në rolin e një shkatërruesi të sulmeve të kundërshtarit, ndërsa në të dy krahët funksionojnë si “pistonë” Hajdari me Dragoin. Të dy këta lojtarë njihen shumë mirë për orientimin e tyre sulmues, ndaj duhej të ishin një mbështetje e madhe e Hysës dhe Rexhës.
Pjesa e parë Minutat e para të ndeshjes Vllaznia-Skënderbeu janë disi të qeta, me palët që studiojnë njëra-tjetrën. Duhej të vinte minuta e 15-të, e cila sjell një kombinim të bukur të Hysës me Dragoin. Rumuni shkëputet në të djathtë të sulmit shkodran, eviton edhe daljen e portierit Shehi, gjuan drejt rrjetës korcare, por topi parakalon tërë pasqyrën e zonës mike, duke dalë tej saj, pa u kapur nga ndonjë lojtar tjetër i Vllaznisë. Vetëm pak minuta më pas është sërish Dragoi, që impenjon seriozisht me goditjen e tij potente portierin Shehi. Gardiani korcar eviton një gol të sigurtë, ndërkohë që loja zhvillohet më së shumti në gjysmëfushën korcare. Vllaznia e ka nisur në sulm, me mjaft vrull e dëshirë për të dalë sa më parë te goli, ushtron presing që në mesfushë, aty ku merr edhe frenat e lojës në dorë, por nuk konludon dot. Nuk i mbetet gjë tjetër Skënderbeut, vetëm të mbrohet me fanatizëm e me forca të shumta, ndërsa tenton pasimin e gjatë për te Plaku e Pejic, pasi calon dukshëm në fazën ndërtuese. Sabien Lilaj shihet më së shumti në mbështetje të reparit të pasmë të të tijve, derisa vjen minuta e 19-të, kur superon mbulimin e rreptë të Nallbanit dhe lëshon një pasim të gjatë e të zgjuar, pas mbrojtjes shkodrane, për Pejic. Shtatlarti kroat ecën bukur me topin për disa metra, vihet në pozicion ballor me Vujadinovic dhe shënon. Skënderbeu e sheh veten në epërsi, edhe pse gjatë tërë këtyre minutave kishte qenë i detyruar të përballonte ofensivën e Vllaznisë. Hesht stadium “Loro Borici”, nuk feston në stol trajneri Mirel Josa, si shenjë respekti për ish-skuadrën e tij. Por nuk do të qëndronte në këto pozita në minutën e 34-t trajneri i Skënderbeut, kur kroati Pero Pejic, thuajse si në rastin e golit të parë, i mbajtur në pozicion të rregullt nga mbrojtësi Smajli, tund për herë të dytë rrjetën e Vujdinovic. Duke e goditur kësisoji rëndë Vllazninë, e cila është e paorganizuar dhe pa frymëmarrje në lojën e saj. Nëse ka epërsi territorial e të zotërimit të topit, skuadra kuqeblu nuk ka vizion e qartësi taktike, teksa lojtarët e saj, të gjendur edhe në presionin e disavantazhit e të ulërimave të tifozëve shkodranë, angazhohen në veprime individuale e goditje pa pretendime nga larg. Kjo i vjen në ndihmë skuadrës korcare, e cila, si i thonë fjalës, “urtë e butë”, pa shumë zhurmë, por me një kthelltësi të admirueshme në ndërtimin e aksioneve dhe në konkludimin e tyre nga gjigandi Pejic, arrin ta kthejë ndeshjen tërësisht në favor të saj, sipas “muzikës” së kampionëve të vendit në fuqi. Me fitoren 2-0 të miqve juglindorë mbyllen 45 minutat e para të kësaj sfide hapëse të kampionatit të ri kombëtar, duke i dërguar lojtarët e të dyja skuadrave me “humore” krejtësisht të ndryshme në dhomat e zhveshjes. Kuqeblutë të goditur psikologjikisht, të kontestuar fort edhe nga tifozëria e tyre, ndërsa korcarët me “trastën plot”, falë dopietës së Pero Pejicit. Që bëhet kësisoji autori i golit dhe dopietës së parë të këtij kampionati. Nisje më të mirë për kroatin në radhët e Skënderbeut nuk mund të kishte, me dy gola në 45 minuta lojë, në një transfertë mjaft delikate e të vështirë në letër, si kjo me Vllazninë.
Pjesa e dytë Loja rinis me të njëjtat formacione për të dyja skuadrat. Natyrisht, skuadra korcare nuk ka pse të bëjë modifikime të rastit në përbërjen e vet, sepse ka mbyllur një pjesë të parë të mirë e për më tepër tejet rezultative. Duro, në stolin e kuqebluve, vijon t’i besojë 11-shes që hodhi në fillim të ndeshjes, edhe pse në pistën e stadiumit ka ngritur në nxehje Shtubinën, për ta pasur gati e për ta hedhur në lojë me kalimin e minutave. Sapo shkemohet topi nga mesi i fushës, bie në sy mbrojtja tërësisht e fjetur e vendësve. Pejic merr një top të bukur nga partneri i sulmit, Plaku, por heziton në një pozicion mjaft të volitshëm, i vetëm përballë Vujadinovic. Vonon në goditje, duke humbur kësisoji një mundësi për ta nisur pjesën e dytë me golin e tretë të tij personal. Reagon shpejt Vllaznia, me anë të Hysës, që vë në provë me një goditje Shehin, i cili është në pozicion dhe nuk gjendet në vështirësi. Megjithatë, duhej të kalonin vetëm 60 sekonda lojë nga starti i këtij fraksioni, që Skënderbeu ta ndëshkonte sërish skuadrën vendëse, sërish me të njëjtin autor, Pero Pejic. Kroati nuk gabon kësaj radhe, por fundos tërësisht nervin e reagimit të mundshëm të kuqebluve. Pasi merr një pasim nga e majta e sulmit korcar, e stopon bukur topin me gjoks. I pashqetësuar dhe i lënë në liri të plotë te pika e penalltisë, godet me qetësi dhe tund për herë të tretë rrjetën kuqeblu. Nuk ka ku të shkojë më keq për Vllazninë, që e sheh veten në një disavantazh të thellë dhe të parikuperueshëm. Shpërthen irritimi i tifozërisë shkodrane, që nuk kursen as ofendimet karshi lojtarëve të vet e trajnerit Duro. Në kahun tjetër janë në “qiellin e shtatë”. Pero Pejic është mbret në “Loro Borici”, ashtu si Mirel Josa, që rikthehet aty më i plotë se kurrë, vetëm se kësaj here si kundërshtar i ngjyrave kuqeblu, jo si trajner i tyre. Në kulmin e dëshpërimit dhe të humbjes së toruas nga të tijtë në fushën e blertë të “Loro Boricit”, trajneri Duro bën zëvendësimin e parë, duke nxjerrë nga loja Delic, organizatorin e Vllaznisë, për të futur në fushë një lojtar mbrojtës, si Semina. Përzihen “letrat” te vendësit, sa i takon vendosjes së skuadrës dhe pozicionimit të lojtarëve në fushë. Duket sikur Duro përforcon mbrojtjen, kur gjendet në disavantazh 3-0, por Semina i jep mundësinë Begajt të avancojë në mesfushë, në krahun e majtë, me detyra ofensive.
Josa, pasi mbërrin minuta e 63-të, bën zëvendësimin e parë, duke nxjerrë nga loja një mesfushor, Dimon, për të shtuar një forcë tjetër mbrojtëse, Endri Vrapin. Synimi është i qartë: të mbrohet rezultati i pastër dhe të mos ndërlikohet ndeshja më tej. Edhe pse kuqeblutë nuk janë aq shqetësues në prapavijën korcare, Josa, gjithsesi, merr masat e tij parandaluese, duke besuar tek eksperienca e Vrapit, që i shtohet katërshes mbrojtëse të fillimit, në këtë repart. Mjaft pozicionale dhe e saktë kjo katërshe, para portierit Shehi, që përbën garanci më vete për miqtë, sidomos në ato goditje standarde nga distanca. Natyrisht, Vrapi pozicionohet dicka para Arapit, në vendin ku ishte Dimo, në krahun e mesfushës, por kur topi është në zotërim të shkodranëve, ai duhet të bëjë rolin e tij natyral, si element shtesë difensiv.
Duro hedh në fushë edhe Shtubinën, duke e orientuar skuadrën e tij drejt portës korcare, por sulomi vendës nuk tërheq, është në hije të plotë. Duhet të vijnë lojtarë mbrojtës, si Osmani dhe Smali, që ta vënë disi në vështirësi prapavijën e Skënderbeut. I cili tashmë mendon vetëm të mos pësojë, pasi ka luksin e avantazhit të tre golave. Porta e Shehit mbetet e paarritshme për vendësit deri në minutën e 77-të, kur do të vinte edhe goli i parë për të besuarit e Duros. Ky gol do të sillte sadopak gëzim në radhët e vendësve, teksa një mbrojtës, si Dritan Smajli, pasi ka përparuar në zonën e rreptësisë së kundërshtarit, godet bukur një top dhe e dërgon atë fillimisht në traun e portës së Shehit, prej andej rreh tokën dhe përfundon te shtylla pingule, e së andejmi në rrjetë. Nuk kanë mbetur edhe shumë minuta lojë për të besuar kthesën e madhe, por ky gol nderi, gjithsesi, i jep tjetër kuptim pjesës së mbetur të ndeshjes. Mundohen në mënyrë të sforcuar kuqeblutë të shënojnë sërish, por nuk lëshon pe Skënderbeu, që edhe përmes zëvendësimeve që kryen Josa, arrin të amortizojë cfarëdolloj rreziku të mundshëm. Përfundimisht, tre golat e Pero Pejicit i japin fitoren e parë në këtë kampionat Skënderbeut, duke mos u vënë kurrsesi në diskutim nga ajo rrjetë e Smajlit. Që pati vetëm vlerën e të ashtuquajturit “gol nderi”. Shumë pak për Vllazninë e shumëinvestuar dhe të përfocuar me lojtarë cilësorë.
Bilanci “flet” kuqeblu
Përballjet mes Vllaznisë dhe Skënderbeu kanë historikun dhe bilancin e tyre, që dukshëm flet në favor të kuqebluve. Aq sa më tepër se dyfishi i tërë ballafaqimeve flet në favor të Vllaznisë. Plot 67 fitore ka skuadra e kryeqendrës së veriut, nga 124 ndeshje të luajtura deri më tani, ndërsa për korcarët flasin 31 sfida. Janë fiksuar gjithashtu 26 barazime, që pëmblidhen në total nga një golaverazh: 175-114. Kuptohet, në favor të shkodranëve. Dy ndeshjet e sezonit të fundit ishin fituar të dyja nga kampionët kuqebardhë: Në Shkodër u luajt më 26.11.2011, rezultati ishte 2-0 për juglindorët, ndërsa kthimi në Korçë, më 25.04.2012, prodhoi triumfin e Skënderbeut, 2-1.

Duro: Më zhgënjyen gabimet e mbrojtjes
“Sigurisht, futbolli është i tillë. Pësuam një hjë humbje jonormale me Skënderbeun. Ndeshja e parë e kampionati ndaj kampiones së vendit duhej të kishte një rrjedhë dhe përfundim tjetër, për shumë arsye. Mendoj se rrjedhës së ndeshjes nuk i shkonte për shtat ky rezultat. U goditëm në momentet tona më të mira, me golin e Pejicit, kur kishim disa mundësi të mira në portën e Skënderbeut. Gabuam shumë dhe u ndëshkuam. Deri në momentin e golit ishim më superiorë, por portieri Shehi e shpëtoi skuadrën korcare nga ndëshkimi. Më pas kemi gabuar. U gjendëm në disavantazh, por edhe nën presionin e publikut. Patëm rastet tona për ta ndryshuar rrjedhën e ndeshjes, por s’ia arritëm. Nuk dua të ul vlerat e kundërshtarit, një skuadër e kompletuar dhe solide, ndërsa ne jemi ende skuadër e re. Jam i befasuar nga gabimet e mbrojtjes, ku kemi lojtarë me eksperiencë dhe kualitet, si Osmani e Beqiri. Kisha punuar shumë me mbrojtjen, por ajo nuk u tregua në lartësinë e duhur. Nga java në javë do të punojmë për të konsoliduar boshllëqet që kemi në koordinimin mes reparteve. Skënderbeu, me një sulmues mjaft cilësor, Pejic, ishte më lart se ne. Jo më kot e kishim kërkuar këtë sulmues në merkato, por nuk u bë e mundur ardhja e tij te Vllaznia. Tani luan për Skënderbeun dhe për meritë të tij, skuadra kampione na mundi sonte. Humbje e hidhur, sepse erdhi në ndeshjen e parë të kampionatit, para tifozëve tanë,” – u shpreh Duro pas humbjes 3-1 me kuqebardhët.

Josa: Nuk ishte hakmarrje ndaj Vllaznisë
“Nuk bëhet fjalë për hakmarrje. Kështu jemi ne trajnerët, lëvizim në skuadra të ndryshme. Uroj tifozërinë shkodrane për mikpritjen që më bëri mua dhe Skënderbeut. Në pjesën e parë patën momente të vështira, në fillim, kur Vllaznia mund të na ndëshkonte dy herë. Fatmirësisht, pas këtyre dy momenteve shënuam dhe e vumë nën kontroll ndeshjen. Luajtëm mirë edhe në finalen e Supërkupës ndaj Tiranës, por atje na mungoi fati. Kemi një skuadër të përgatitur mirë fizikisht, me përjashtim të dy-tre lojtarëve, që kanë deficite në këtë drejtim. Lilaj ishte në formën e tij më të mirë dhe na dha frymëmarrje në ndërtimin e lojës. Do të ruajmë këtë ritëm dhe të arrijmë maksimumin e të gjthë lojtarëve nga java në javë. Duhet të gjejmë lojtarë të tjerë, për të pasur zgjidhje të gatshme, sepse kampionati është i gjatë, ndaj na duhet të jemi të përgatitur për cdo situatë, edhe për dëmtimet, edhe për pezullimet e mundshme nga kartonët. Mua më erdhi më keq që u dëmtua Fagu ndaj Tiranës para pak ditësh se sa humbja e Superkuipës, sepse e kishim një pikë të fortë në mbrojtje. Nisur edhe nga dëmtimi i tij, ne e kemi ende të hapur merkaton. Duke nisur nga e hëna do të punojmë seriozisht me presidentin për të bërë afrimet e duhura. Vllazninë e respektoj, sepse e kam drejtuar. Nuk duron të luajë në mbrojtje, sepse tifozëria shkodrane është e padurueshme për të sulmuar. Sidoqoftë, Duro i di më mirë problemet e Vllaznisë. Aq sa mund të them unë, me dyshen e sulmit që ka, skuadra shkodrane do të arrijë të shënojë më shumë,”- tha Mirel Josa pas ndeshjes.

Ceremonia e Sinanit i paraprin ndeshjes
Ndeshjes i ka paraprirë ceremonia e lamtumirës së Vioresin Sinanit nga futbolli i luajtur, por edhe i hapjes së kampionatit të ri kombëtar të futbollit. Një bashkëorganizim i dyfishtë mes klubit kuqeblu dhe FSHF-së, drejtues të së cilës kishin zbarkuar në kryeqendrën e veriut. Fëmijë të veshur me ngjyrat kuqeblu, por jo vetëm, me flamuj të të gjitha skuadrave të Superiores ndër duar, kanë dalë në tapetin e blertë të “Loro Boricit” cerekore para startit të lojës, duke e ndezur atmosferën në stadium, ku janë të pranishëm një numër i konsioderueshëm tifozësh shkodranë. Edhe pse nën temperatura të larta, në këtë vapë gushti, sportdashësit shkodranë nuk kanë ngurruar të jenë të pranishëm në këtë festë sportive, më shumë se një ballafaqim 90-minutësh mes dy skuadrave. Gjithcka nis me himnin kuqeblu, një këngë e kënduar nga Bujar Qamili, e cila e rrit ndjeshëm adrenalinën në tempullin sportiv të Shkodrës. Tullumbace në ngjyrat kuqeblu hidhen në qiellin e pastër, që duket si kupë e “Loro Boricit”, ndërsa në orën 18:55 futbollistët e të dyja skuadrave, nën drejtimin e treshes gjykuese, dalin në fushë. Mes lojtarëve kuqeblu është edhe Vioresin Sinani, që do të shkelmojë topin e fundit në karrierën si futbollist. Para këtij moment prekës shpërthejnë fishekzjarre të shumta, që nisin festën shkodrane të futbollit. I tërë stadium është në këmbë, në nderim të ikonës së gjallë të tyre, sulmuesit të spikatur të Vllaznisë, por jo vetëm, Vioresin Sinani. Falenderime e mirënjohje pa fund për këtë bir të Shkodrës, që dha aq shumë për futbollin e këtij qyteti si futbollist aktiv, ndërsa nuk largohet nga kjo lojë e magjishme, pasi ka nisur karrierën në trajning, po aty, te skuadra e zemrës. Në rreth 15 edicione ai e ka ndihmuar Vllazninë në arritjet e saj, teksa ka regjistruar një numër të madh golash, rekord për historinë e klubit të futbollit kuqeblu. Nderime për Sinanin, përmes medaljeve, ka bërë para ndeshjes edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, dhe nënkryetari i Bashkisë së Shkodrës, Troshani.
Kjo ceremoni ia lë më pas vendin betejës në fushën e lojës, ku palët nisin zyrtarisht kampionatin e ri.

“Pasaporta” – Vioresin Sinani

Datëlindja 4 dhjetor 1977 (34 vjec)
Vendlindja Shkodër
Gjatësia 1.79 m
Roli në fushë sulmues
Klubi Vllaznia
Numri 9

Karriera me të rriturit

Vitet Skuadra

Ndeshje

Gola

1996-1999 Vllaznia

84

(24)

1999-2001 Varteks

27

(5)

2001-2004 Vllaznia

102

(80)

2004-2005 Kayserispor

4

(1)

2005-2006 Vllaznia

56

(28)

2006-2007 KF Tirana

29

(23)

2007-2009 Vllaznia

71

(36)

2009-2010 Besa

17

(5)

2010- Vllaznia

28

(11)

Me ekipin kombëtar

2000-2002 Shqipëria

4

(1)

 

Numrat, me kombëtaren

Viti

Ndeshje

Gola

2000

3

1

2001

0

0

2002

1

0

Total

4

1


Palmaresi personal

Me Vllazninë
Kampion i Superligës (2): 1997-98, 2000-2001
Fitues i Kupës së Shqipërisë (1): 2007-2008
Fitues i Superkupës së Shqipërisë (2): 1998, 2001

Me KF Tirana
Kampion i Superligës (1): 2006-07
Fitues i Superkupës së Shqipërisë (1): 2006

Me Besën
Fitues i Kupës së Shqipërisë (1): 2009-10

Golat e Sinanit

Sezoni

Skuadra

Ndeshje

Gola

1996-97 Vllaznia

3

1

1997-98 Vllaznia

33

9

1998-99 Vllaznia

27

14

2000-01 Vllaznia

26

15

2001-02 Vllaznia

23

11

2002-03 Vllaznia

18

18

2003-04 Vllaznia

35

36

2004-05 Vllaznia

23

15

2005-06 Vllaznia

33

13

2006-07 SK Tirana

29

23

2007-08 Vllaznia

30

20

2008-09 Vllaznia

28

15

2009-10 Vllaznia

13

1

2009-10 KS Besa

17

5

2010-11 Vllaznia

28

11

2011-12 Vllaznia

0

0

TOTAL

366

207

 

Kategoria Superiore
Java 1
24.08.2012
VLLAZNIA – SKËNDERBEU 1-3
Golat: Smajli 77′ / Pejic 19′
, 34′, 47′

25.08.2012
TOMORI – TIRANA 17:00
LAÇI-BESA 17:00
APOLONIA-KASTRIOTI 17:00
26.08.2012
SHKUMBINI – TEUTA 17:00
KUKËSI-LUFTËTARI 17:00
BYLIS-FLAMURTARI 17:00
(Luhet në Berat)

Ndeshjet e së shtunës
Java e parë e kampionatit të 74-t kombëtar të futbollit është e ndarë në tri ditë. Përvec sfidës hapëse të “Loro Boricit”, Vllaznia-Skënderbeu, të shtunën dhe të dielën do të kompletohet tërë kuadri i ndeshjeve.
Tomori-Tirana Tirana kthehet pas disa vitesh në stadiumin e Beratit. Për Tomorin është viti i dytë radhazi që luan mes më të mirëve, por përballjen si pritëse në sezonin e shkuar me bardheblutë e ka luajtur në Lushnjë, për shkak se fusha e tij po rikonstruktohej. Tashmë palët gjenden në kushte dhe situata të tjera. Tomori ka rikthyer në stol një emër të njohur të vetin, edhe si futbollist, Kristaq Milen, i cili i ka paralajmëruar 24 herë kampionët e vendit për hakmarrje të vjetër, duke risjellë në vëmendje betejën e vitit 2000 në Elbasan, kur diskutonin mes tyre titullin kampion. Mile e ka drejtuar këtë skuadër në sezonin e saj më të artë, 1999-2000, duke luftuar deri në sekondat e fundit me kryeqytetasit për titullin kampion, ndërsa rikthehet pas 6 sezonesh në Berat, me synimin për të pasur një ekip dinjitoz. Vlerat e formacionit beratas do t’i tregojë më së miri starti i kampionatit, sepse kalendari i ka vënë përballë një kundërshtari me shumë trofe, si Tirana, që ka në krye një trajner të huaj mjaft të suksesshëm, si Hulian Rubio. Bardheblutë janë fituesit e Kupës së Shqipërisë, ndërsa e kanë nisur sezonin e ri me trofe, duke fituar Superkupën ndaj Skënderbeut, kështu që karikimi moral i tyre është maksimal. Duke qenë se kanë për synim kryesor të tyre vetëm titullin kampion, në cdo kampionat, kryeqytetasit duket se do t’i vënë në pozitë të vështirë vendësit. Të cilët, falë përkrahjes së tifozërisë së zjarrtë beratase, mund t’ia dalin dhe ta nisin me këmbën e mbarë garën.
Laçi-Besa Besa i rikthehet Superiores pas një viti pjesëmarrje në Kategorinë e Parë dhe do ta nisë rrugën e gjatë të një sezoni në ri pikërisht në Lac. Aty ku e pret një trajner kavajas, Përparim Daiu, ku e presin tifozët kurbinas, të etur për të parë futboll në stadiumin e tyre, pas atij ndëshkimi shembullor që morën sezonin e kaluar, pas goditjes barbare të kryesorit Lorenc Jemini në një ndeshje kundër Kastriotit. Faktori “fushë”, por edhe shkaqe të tjera objektive e subjektive sportive, duket se i bëjnë favoritë bardhezinjtë vendës, ndërkohë që kavajasit e Ilir Dajës kanë rastin të tregojnë vetveten, pas përforcimesh të bëra në merkaton e verës.
Apolonia-Kastrioti Apolonia pret në fushën e vet krutanët. Në një situatë jo fort pozitive për ta, fierakët e pakolauduar me elementë cilësorë në përbërje, por me një trajner të ri, Ernest Gjokën, e kanë të freskët rrezikun e rënies. Pasi mbijetuan mes më të mirëve në një ndeshje “play-off”-i me Lushnjën, bardhejeshilët i qasen këtij objektivi që në start. Pra, tri pikët e para të një kampionati të ri, aq më tepër që luan në fushën e vet, do të kishin vlera morale e shprese për Apoloninë, një skuadër që nuk ka pasur stabilitet në superiore në vitet e fundit. Ndryshime të mëdha në drejtim e përbërje ka pësuar edhe Kastrioti. Me Artan Mërgjyshin në krye, krutanët nuk kanë më “revanin” e sezonit të kaluar, kur shpresonin Evropën, por duhet t’i bëjnë llogaritë hap pas hapi për të mbetur në elitën e futbollit shqiptar.

Ndeshjet e së dielës
Tri betejat e së shtunës ftojnë të tjerë aktorë në garë, madje debutues në Superiore, të tillë si Kukësi, që ka ndërtuar stadiumin e ri dhe pret ta inagurojë atë ndaj Luftëtarit. Bluzinjtë janë një tjetër debutues mes më të mirëve të vendit, por ama nuk e kanë për herë të parë këtë gjë, ashtu si verilindorët. Kuksianët spikasin si një nga skuadrat më të angazhuara në merkato, ndaj mbetet të shihet sa do të vlejë kjo nga ndeshja në ndeshje. Nëse mes këtyre dy palëve ka pasur një betejë të ethshme edhe sezonin e kaluar, në Kategorinë e Parë, për t’u ngjitur më lart, rivaliteti vijon edhe në këtë “sallon”, që në javën e parë të kampionatit të ri.
Bylis-Flamurtari E diela gjen një skuadër pretendente në transfertë. Flamurtari i Shkëlqim Mucës, me afrime tepër cilësorë në merkaton e kësaj vere, e nis përmbushjen e qëllimit kryesor, titullit kampion, nga stadiumi i Beratit. Aty ku e pret Bylisi i Ballshit, por i detyruar të luajë në fushë asnjanëse ngaqë stadiumin e vet e ka në rikonstruksion. Mallakastriotët, me vlonjatin Agim Canaj në krye, nuk kanë mbetur pas në tregun e verës, ndaj s’mund të konsiderohen të lehtë për t’u kaluar nga vlonjatët. Dicka të tillë e ka paralajmëruar edhe tekniku i kuqezinjve, Muca, i cili ka apeluar për kujdes, përqendrim dhe vlerësim mksimal të kundërshtarit. Sepse, sipas tij, vetëm në këtë mënyrë “firmosen” tri pikët e para të kampionatit të ri, kampionat i cili koincidon edhe me 100-vjetorin e Pavarësisë, ndaj edhe për këtë fakt vlonjatët janë më të karikuar se kurrë për të qenë ata kampionët e vendit.
Shkumbini-Teuta Shkumbini duket më “i tharë” se në asnjë edicion tjetër, nëse i referohemi qasjes së kësaj skuadre në merkato. Me pak përforcime, edhe ato jo të rangut të lartë, bardhekaltrit e nisin kmpionatin e ri në shtëpi. Ky është ogur i mirë për të rikthyerin në stolin peqinas, Gugash Magani, se mund t’i marrë tri pikët e para në një garë të gjatë e të lodhshme. Përballë do të ketë Teutën e Hasan Likës, e cila i dha tonin kampionatit të shkuar dhe ishte fare pranë fitimit të titullit. Durrsakët duken më të kolauduar si grup, janë më të pjekur e autoritarë në letër, ndaj vendësit duhet t’i “përveshin mirë mëngët”. Duke ditur se në fund të këtij edicioni zbresin direkt katër skuadra nga Superiorja, peqinasit e shohin veten në këtë vorbull pa nisur ende gara, ashtu si disa skuadra të tjera. Kjo do të thotë se në ndeshjet në shtëpi, marrja e pikëve maksimale është e vetmja rrugë për shpëtim, cka vlen edhe për përballjen ndaj “djemve të detit”. Këta të fundit kanë ambicie për në katin e sipërm të renditjes, ndaj duhet të dëshmojnë që në start se janë potencialë për ta rivalizuar kreun.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"