Teuta bën 5 goditje brenda ditës, Lika ka gati skarcimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 29, 2014 | 9:00

Teuta bën 5 goditje brenda ditës, Lika ka gati skarcimet

TeutaTeuta ka kryer një “operacion” shumë të rëndësishëm në drejtim të përforcimit të skuadrës, duke bërë një goditje të pesëfishtë gjatë ditës së djeshme. Ajo që kishte paralajmëruar “Panorama Sport” është konkretizuar të mërkurën me afrimin e ish-mbrojtësit të Partizanit, Besnik Krasniqi, mesfushorit senegalez Moktar Falla dhe tre futbollistëve që vetëm dy ditë më parë ishin pjesë e Tiranës. Bëhet fjalë për mbrojtësin Erion Hoxhallari dhe mesfushorët Ardit Peposhi dhe Erlind Korreshi. Dy të parët janë transferuar te Teuta në formë huazimi nga Tirana, ndërsa lushnjari Koreshi prishi dje kontratën me bardheblutë dhe firmosi për Teutën. Të pestë lojtarët dolën në seancën stërvitore të pasdites dhe u përgatitën me skuadrën. Emra si Krasniqi dhe Korreshi vijnë pas sezoneve mbresëlënëse te Partizani e Tirana.
Deklaratat – Pesë lojtarët e afruar rishtas kanë treguar për “Panorama Sport” përshtypjet e para për skuadrën e tyre të re. Në fund të seancës stërvitore, mesfushori Koreshi e vlerësoi Teutën si skuadrën e duhur për të luajtur. “Kjo ishte stërvitja e parë për mua dhe shkoi shumë mirë. Teuta është skuadër, të cilën e vlerësojnë të gjithë dhe e konsideroj të duhurën për të vazhduar karrierën. Falënderoj drejtuesit që bënë të mundur që tashmë unë të jem pjesë e skuadrës së Teutës. Do të jap maksimumin tim për durrsakët”, deklaroi lushnjari. Të njëjtës linjë i qëndrojnë edhe lojtarët e tjerë. Kosovari Krasniqi theksoi se ndihet i lumtur që ndodhet në Durrës. “Stërvitja e parë me Teutën më kujtoi kohën kur kemi punuar me profesor Hasanin te Partizani. Them se do të ambientohem shumë shpejt me stilin e lojës së skuadrës. Teuta është skuadër me vlera të madha dhe ne kemi përgjegjësitë për ta çuar sa më lart në kampionatin shqiptar, pasi ka pasur ecuri shumë pozitive gjatë sezoneve të fundit. Ndihem në formë dhe po pres me padurim për të zbritur në fushë, në mënyrë që të ndihmoj skuadrën për të arritur fitore”, u shpreh mbrojtësi. Ndërsa lojtari i krahut të majtë, Hoxhallari, tha: “Ndihem shumë mirë që ndodhem te kjo skuadër. Më pëlqeu shumë grupi i lojtarëve, pasi Teuta ka vërtet futbollistë cilësorë dhe djem me karakter. Të gjithë së bashku do punojmë fort dhe do ta çojmë sa më lart emrin e skuadrës”. Nga ana tjetër, Peposhi kërkon menjëherë fitore në takimin me Vllazninë. “Sikurse u shprehën shokët, edhe unë mendoj se është nder të jesh pjesë e një skuadre si Teuta. Mendoj se ka një grup shumë të mirë lojtarësh, ku të gjithë së bashku mund të ecim përpara. Për këtë duhet ta nisim që nga ndeshja me Vllazninë, ku duhet të fitojmë me patjetër”, ka thënë Peposhi. Në fund, senegalezi Fall citoi në gjuhën angleze përshtypjet e para. “Sinqerisht, jam argëtuar shumë gjatë stërvitjes së parë, do të jap më të mirën për Teutën”, u shpreh shkurtimisht mesfushori më i ri i durrsakëve.

Lika ka gati skarcimet
Seanca e djeshme stërvitore e Teutës të linte përshtypjen se po stërviteshin dy skuadra, pasi kishte mbipopullim lojtarësh, plot 35. Seleksionimet e para do të kryhen që sot, teksa pritet të lihen jashtë ata futbollistë, të cilët nuk janë në planet e trajnerit, nisur edhe nga fakti se janë afruar së fundmi të tjerë. Ende nuk bëhen publikë emrat e lojtarëve, por të paktën katër ose pesë do të lihen të lirë të gjejnë një skuadër tjetër. Gjithsesi, ka gjasa që numri të jetë edhe më i lartë, pasi trajneri Lika do vetëm 22 futbollistë të gatshëm për skuadrën.
LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"