Teuta “fabrikë” talentesh, portieri 16-vjeçar testohet në Francë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 4, 2017 | 15:51

Teuta “fabrikë” talentesh, portieri 16-vjeçar testohet në Francë

Akademia e Teutës ka disa vite që po funksionon më së miri, teksa presidenti Edmond Hasanbelliu ka afruar specialistë të mirënjohur të futbollit shqiptar, duke nisur nga Hito Hitaj.

Në sezonet e fundit, shumë prej lojtarëve të akademisë janë aktivizuar edhe në ekipin e parë, teksa disa prej tyre po afirmohen disa-ditës në Kategorinë Superiore. Shembulli konkret ishte ai i mesfushorit Nazmi Gripshi, i cili u shit te Skënderbeu për 60 mijë euro.

Arlis Shala

Mirëpo, një tjetër rast është ai i portierit të ekipit U-17 të Teutës, Arlis Shala. 16-vjeçari ka disa ditë që ndodhet në Francë, ku po testohet në skuadrën e Ligës 1, Angers Sporting Club. Gjatë këtij sezoni Shala është grumbulluar në 7 ndeshje me ekipin e parë, por pa mundur të debutojë në Superiore. Tashmë, nëse e kalon provën tek Angers, i riu pritet të firmosë me ekipin francez dhe t’i bashkohet më pas në qershor.

Vetë Shala, i kontaktuar nga “Panorama Sport”, konfirmon se gjithçka po shkon mirë. “Jam në provë prej disa ditësh tek ekipi i Angers. Natyrisht kam ardhur këtu me lejen e drejtuesve të Teutës. U bënë disa ditë që po stërvitem dhe shpresoj që stafi teknik të japë OK-in. Merkatoja është mbyllur, por nëse kaloj provën, atëherë mund të bashkohem me ekipin e Ligës së Parë gjatë verës. Në fakt, unë dua të vazhdoj edhe studimet e larta këtu në Francë dhe e shikoj si një mundësi për karrierën”, u shpreh talenti durrsak.

Në rast se portieri firmos me Angers, atëherë klubi i Teutës do të përfitojë një shumë të majme, duke qenë se ka kontribuuar për formimin e 16-vjeçarit. Shala cilësohet si një portier me shumë të ardhme dhe që është grumbulluar rregullisht nga trajneri Gugash Magani, veçanërisht në pjesën e parë të sezonit, kur u dëmtua Rizvani. Po ashtu, portieri është grumbulluar edhe me Kombëtaren U-17.

Jeton Rexhmati

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"