Teuta lëviz në merkato, Martini pret afrimet e fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 2, 2024 | 22:16

Teuta lëviz në merkato, Martini pret afrimet e fundit

Teuta mbyll të shtunën fazën përgatitore në Pukë me miqësoren kundër Vllaznisë. Do të jetë vërtet një test që do të tregojë se deri ku kanë shkuar durrsakët me përgatitjet, pas një periudhe me ngarkesë, me nga dy seanca në ditë.

teuta

Vllaznia është një skuadër e fortë dhe mund të “zbulojë” edhe ndonjë mangësi që mund të ketë skuadra e trajnerit Edi Martini në këtë moment. Për Teutën është testi i katërt, pas atyre me Vllazninë U-21, Otrant dhe Burrelin.

MERKATO – Teuta mund të thuhet se është në kulmin e merkatos së verës. Klubi kërkon t’i ofrojë trajnerit Edi Martini një ekip sa më kompetitiv për sezonin e ardhshëm në Superiore, që të jetë i denjë për të synuar vendet e para. Ka pasur lëvizje deri tani në fakt, kanë ardhur disa lojtarë, por këto ditë do të ketë të tjera përforcime, të paktën për sulmin.

Ndoshta zyrtarizimi i afrimeve të radhës te “Djemtë e detit” do të bëhet javën e ardhshme. Me skuadrën durrsake janë bashkuar deri tani lojtarë si Ardit Peposhi, Reçi, Selita dhe Marku në mbrojte, Emiljano Vila dhe Torraj në mesfushë dhe sulm, por puna ka vazhduar për të kërkuar elementë të tjerë.

Sipas burimeve pranë klubit durrsak, do të bëhen edhe disa afrime të tjera këto ditë, në mënyrë që trajneri Martini të ketë kohë t’i ingranojë ata që do të vijnë me grupin para ndeshjes së javës së parë të kampionatit.

ZAMIR QYPI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"