Teuta ndahet me Gjorgievin, sulmuesi: Nuk patëm sukses

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 31, 2021 | 19:44

Teuta ndahet me Gjorgievin, sulmuesi: Nuk patëm sukses

U afrua me bujë të madhe, sulmuesi largohet nga Teuta pas 6 muajve. Aventura e Pepi Gjorgiev me klubin e Teutës ka marrë fund. I afruar në merkaton e verës, sulmuesit shtatlartë i duhet të largohet në pak muaj. Drejtuesit dhe lojtari kanë gjetur gjuhën e përbashkët, kësisoj Gjorgiev është larguar me konsensus nga bregdetarët.

PEPI GJORGIEV

Sulmuesi, Pepi Gjorgiev, i ka dhënë fund eksperiencës me Teutën duke ndërprerë me marrëveshje bashkëpunimin mes palëve. Një largim që është parë i arsyeshëm për të mirë të të dyja palëve, ndërsa futbollisti dhe Teuta të ndërpresin para kohe kontratën.

Gjorgiev iu bashkua Teutës në verën e vitit 2021 dhe gjatë gjashtë muajve numëron 11 ndeshje me fanellën e klubit durrsak, por nuk është ngjitur në nivelin e pritshmërive, pasi ka arritur të shënojë vetëm 4 gola, shumë pak për një qendërsulmues. Lojtari u përshëndet me shokët dhe stafin dhe më pas u largua.

I kontaktuar nga “Panorama Sport”, Gjorgiev u shpreh:

“Unë dua të falënderoj klubin e Teutës, të gjithë tifozët, lojtarët, presidentin dhe stafin për mbështetjen gjatë udhëtimit tim në Durrës. Ishte një kohë e veçantë dhe nuk do ta harroj kurrë, do të jetë në zemrën time. Faleminderit edhe një herë e suksese!

Jam përpjekur të bëj maksimumin gjatë kësaj periudhe, që ishte shumë e rëndësishme për të ardhmen e ekipit. Pavarësisht bindjes dhe insistimit tim, nuk kam pasur sukses.

Kjo është arsyeja pse unë mendova se tani ishte koha për t’i dhënë fund marrëveshjes me klubin. Situata e klubit është e mirë, dhe unë nuk kam dyshim e i uroj me gjithë zemër që të vijojë me suksese dhe të kthehet shpejt, ashtu siç e meriton ky klub i madh”.

DESTINACIONI— Tema “Gjorgiev” është bërë një temë diskutimi, pasi ende nuk është përcaktuar zyrtarisht se ku do të jetë e ardhmja e tij. Lojtari po kërkohet fuqishëm nga skuadra si në Maqedoni apo edhe jashtë kufijve. Megjithatë, vetë lojtari shton se e ardhmja e tij do të vendoset shumë shpejt.

Gjorgiev do të synojë një skuadër ku të gjejë më shumë hapësira. Gjatë ditëve të fundit është përfolur pista që e çon lojtarin maqedonas jashtë vendit, por momentalisht nuk ka asgjë konkrete.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"