Teuta s’di të ndalet, konfirmohen 10 afrime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 7, 2014 | 14:01

Teuta s’di të ndalet, konfirmohen 10 afrime

Teuta feston golin e DostitTeuta nuk di të ndalet në merkato. Në ditën e parë të stërvitjes për vitin 2014, trajneri Roberto Sorrentino ka konfirmuar 10 afrime, pa përfshirë këtu sulmuesin nga Kuba, Joel Apezteguia, i cili iu bashkua durrsakëve gjatë vitit të kaluar dhe arriti të aktivizohej në tri ndeshje. “Përveç lojtarëve të rinj që janë paraqitur në stërvitjen e parë, presim të vijnë edhe dy-tre të tjerë. Kështu skuadra është e plotë për të vazhduar bindshëm sezonin”, – ka thënë trajneri italian për “Panorama Sport”.
Afrimet – Por kush janë afrimet zyrtare te Teuta? Dje kreu stërvitjen e parë mesfushori Idriz Batha, i cili vjen në formë huazimi nga Besa. Gjithashtu portieri me origjinë shqiptare, Pajtim Badalli, që ka qenë pjesë e Luganos në Zvicër së fundmi, ishte nën urdhrat e Sorrentinos. Interesant është fakti që portieri do të ketë te Teuta edhe vëllanë e tij. Bëhet fjalë për Durim Badallin, i cili është 23 vjeç dhe luan si mbrojtës i majtë. Ai vjen nga skuadra e Ligës së Tretë zvicerane, FC Oberallis Naters. Afrimi tjetër është Aleksandar Bezmareviç, një mesfushor 20-vjeçar nga Mali i Zi, që mbylli sezonin te Sutjeska e Nikshiqit. Ndërkohë, risia është mesfushori italian, Luka Moskatielo. Ky i fundit vjen nga FC Mendrisio në Zvicër, por ka një të kaluar te Çezena në Itali, skuadra ku është aktivizuar edhe sulmuesi i shquar shqiptar, Erjon Bogdani. 22- vjeçari Moskatielo ka qenë pjesë edhe e grupmoshave të Fulhemit në Angli, përpara se të transferohej te Çezena. Përforcimi tjetër i Teutës është 30- vjeçari argjentinas, Ruben Çeko. Sulmuesi nuk është i panjohur në Shqipëri, pasi në vitin 2009 ka qenë pjesë e Dinamos, por karriera e tij te blutë zgjati shumë pak. Ajo ka nisur te klubi i famshëm Boka Xhunior në Argjentinë, ndërsa në pjesën e parë të këtij sezoni është aktivizuar në Itali me klubin e Serisë D, Ragusa. Edhe pse nuk ishte i pranishëm në stërvitjen e parë, klubi durrsak konfirmon se afrimi i radhës është senegalezi 18-vjeçar Maodo Malik Mbaye, i cili është pjesë e klubit të Kievos në Serinë A. I riu do të mbërrijë sot në Durrës, duke iu bashkuar sulmuesit tjetër senegalez, Amadou Samb, që ka disa javë që stërvitet me Teutën dhe është konfirmuar si përforcim. Gjithashtu Samb ka qenë pjesë e Kievos. Si afrime cilësohen edhe mesfushorët Eni Imami e Behar Berisha. I pari vjen pas një eksperience të shkurtër në Zvicër te GC Biaskesi, teksa bashkë me kosovarin kanë ditë që stërviten te Teuta. Imami është grumbulluar edhe me Kombëtaren U-21 të Shqipërisë. Nga ana tjetër, Berisha së fundmi ka luajtur për Luzernën në Zvicër. I gjithë ky grup lojtarësh, bashkë me pjesën tjetër, do të jenë pjesë e fazës përgatitore në Turqi, që Teuta do të zhvillojë nga data 12 deri më 25 janar.

Sorrentino: Pres shpërthimin e të rinjve
Trajneri i Teutës, Roberto Sorrentino, është shprehur optimist për vazhdimin e sezonit futbollistik. Në një bisedë për “Panorama Sport”, italiani deklaroi: “Aktualisht në skuadër janë afruar disa lojtarë, të cilët ditët në vijim do të shfaqin dhe aftësitë e tyre. Dita e parë e stërvitjes më la përshtypje të mira, pasi vura re tek të gjithë lojtarët se kanë dëshirë të punojnë. Faza përgatitore do të jetë decizive për skuadrën tonë, prandaj do t’i kushtojmë një rëndësi të veçantë. Këtë periudhë do ta shfrytëzojmë në maksimum, duke pretenduar që do kthehemi më të fortë se kurrë më parë. E rëndësishme është që të përfitojmë sa më shumë nga blerjet, megjithëse kjo do edhe pak fat”.

Badalli, dy vëllezër në ekipin durrsak
Pajtim dhe Durim Badalli janë lojtarët më të rinj të Teutës. Kanë lindur në Zvicër, por janë me origjinë shqiptare, teksa e veçanta është se janë vëllezër. Pajtimi është portier dhe vjen pas aktivizimit te Lugano në Ligën e Dytë zvicerane. Nga ana tjetër, Durimi është një mbrojtës i mirëfilltë i krahut të majtë. Ai vjen pas aktivizimit në skuadrën e Ligës së Tretë zvicerane, FC Oberallis Naters. Dje në stërvitjen e parë me durrsakët dy vëllezërit u ndjenë shumë mirë, kjo edhe për faktin se kanë origjinë shqiptare dhe u duket vetja si në shtëpi. Dy kosovarët, njëri 22 dhe tjetri 23 vjeç, edhe pse kanë lindur dhe janë rritur në shtetin helvet, e flasin në mënyrë perfekte gjuhën shqipe.
LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"