“Teuta-Parma i tregoi tim biri peshën e mbiemrit”, Kapllani rrëfen karrierën dhe pritshmëritë që ka nga Dejvidi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 21, 2020 | 11:09

“Teuta-Parma i tregoi tim biri peshën e mbiemrit”, Kapllani rrëfen karrierën dhe pritshmëritë që ka nga Dejvidi

Një titull kampion me Teutën në vitin 1994, si edhe fitues i një kupe në vitin 2004-2005, e bëjnë Xhevahir Kapllanin një legjendë të gjallë të futbollit durrsak. Ishkapiteni ka dhënë shumë për këto ngjyra dhe shumëkush që e pati harruar, e ka kujtuar teksa ka parë ritransmetimin e ndeshjes kundër Parmës të 21 viteve më parë. Emocione të papërshkrueshme ka përjetuar edhe vetë 45-vjeçari që sot është trajner i Teutës U-19.

Kapllani

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ai rrëfen gjithçka ka përjetuar në karrierën e tij, por nuk mundi të mos fliste edhe për të birin. Dejvidi është në gjurmët e të atit, ndaj edhe ai shpreson që shumë shpejt të kthehet në protagonist me Teutën.

Gjatë këtij pushimi të detyruar, keni patur mundësi të ndiqni të ritransmetuar ndeshjen e vitit 1990 ku luanit me Parmën. Çfarë kujtimesh ju solli?

Ky pushim i detyruar na ka kthyer ato emocione që kemi përjetuar ndër vite. Ne jemi Teuta dhe nuk është se Teuta e ka luksin që të dalë vit për vit kampione apo të fitojë kupa, ndaj kuptohet që ato janë momente të veçanta gjatë historisë së futbollit të qytetit tonë. Mendoj se disa njerëz i kishin harruar ato emocione, por në këtë kohë patën mundësi t’i shijonin.

Ju keni qenë kapiten me Teutën dhe keni fituar edhe trofe, por tashmë ia keni kaluar stafetën djalit tuaj. Si është të shohësh Dejvidin në fushë?

Pak a shumë i ka marrë informacionet, se kush ka qenë babai i tij. Duke i parë bashkërisht ato ndeshje, djalit tim i mbetet për detyrë të punojë shumë më shumë, pasi ka një mbiemër prapa që peshon. Do i duhet impenjim maksimal që të jetë aty ku duhet dhe të fitojë rolin e protagonistit te Teuta dhe pse jo në ekipet kombëtare.

Keni patur kontakte me miqtë tuaj gjatë kësaj kohe?

Pasi ripashë ndeshjen Teuta-Parma, por edhe gjatë 90-minutëshit, kam marrë qindra telefona e SMS. M’u vetja sikur ajo ndeshje po luhej pikërisht në atë ditë, duke harruar që kishin kaluar 25 vite. Emocionet ishin të papërshkrueshme. Kemi qenë një brez i jashtëzakonshëm, ishim shumë të bashkuar.

Ju jeni trajner i 19-vjeçarëve të Teutës, por Koronavirus e stopoi aktivitetin. Si ndihet Xhevahiri pa futboll?

Parësor në këto çaste është shëndeti, ndonëse ne njerëzit e sportit e kemi të vështirë të rrimë larg futbollit. E megjithatë, është e detyrueshme të ndjekim që të gjitha rregullat e vendosura nga ministria e qeveria.

Sa do të ndikojë kjo pauzë e detyruar te futbollistët?

Me lojtarët kemi kontakte të vazhdueshme dhe ata po punojnë në kushte shtëpie. Por, janë dy gjera krejt të kundërta të stërvitesh në shtëpi dhe në fushë. Në shtëpi punohet me musklaturën apo izometrinë dhe tonifikimin, ndaj rikthimi në fushë do jetë pak problem. Do të nisë gjithçka nga fillimi.

A ka Kapllani një mesazh për futbollistët e rinj, të cilët duan të kapin majat?

Duke ndjekur ndeshje nga e shkuara, të rinjtë tanë mund të ndërgjegjësohen disi. Brezi i ri që po rritet duhet ta ndiejë edhe më shumë këtë fanellë, për të cilën kanë dhënë shumë qindra e mijëra futbollistë. Shpresoj që të punojnë jashtë mase dhe ta ndiejnë në trup emblemën e Teutës, pasi është shumë e rëndë për çdokënd që është pjesë e këtij qyteti.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"