Duro: Vllazninë e kam nën kontroll, për mua vendos klubi
Shpëtim Duron e bind loja dhe ekipi në tërësi, por do parapëlqente pikët dhe një sulm më konkret. Dhe me të drejtë, pasi vetëm një fitore do të risillte qetësinë në kampin kuqeblu, si edhe vetë atij. I vetëdijshëm që vendi i tij i punës është në rrezik, deklaron se gjithçka u mbetet në dorë drejtuesve shkodranë. Në deklaratën e dhënë për mediat në përfundim të ndeshjes, trajneri i kuqebluve ka analizuar me detaje ekipin e tij, kundërshtarin dhe gabimet e bëra. “Ka qenë një ndeshje e mirë, ndoshta më e mira e kohëve të fundit. Por unë do parapëlqeja pikët para lojës së bukur. Nuk kam asnjë kritikë për ekipin, pasi bëri paraqitje dinjitoze, mirëpo ne na mungon kualiteti, pra ai lojtar që mund të bëjë diferencën. Kjo solli edhe gabimet në finalizim, prej të cilave çaluam ndjeshëm. E nisëm mirë, kontrolluam lojën, por në 15 minutat e fundit Tirana fitoi terren. Lëvizja e G.Likës nga e majta në të djathtë i dha frymëmarrje. Gjë që e dija, por e kisha të pamundur të kaloja Smajlin për ta mbuluar. Nuk kisha çfarë të bëja. Sa i përket penalltisë, ndoshta edhe ishte, por arbitri m’u duk shumë i gatshëm për ta akorduar”, – tha fillimisht trajneri tiranas.
Sulmi – E ka me sulmin dhe me faktin që në ekipin e tij mungon një lojtar që mund të bëjë diferencën në fushë. “Dominuam, i morëm mesin e fushës Tiranës, e cila dihet që e ka pikën më të fortë dhe kjo është pozitive, pasi nuk i lamë asnjë hapësirë. Fituam 15 goditje dënimi dhe krijuam mbi 15 raste, vetëm se para porte nuk ditëm të shënonim. Dhe kjo është fatkeqësi, sepse nuk e meritonim humbjen. Mirëpo futbolli i ka këto, jo gjithnjë merr rezultate, ndonëse zhvillon futboll të bukur, apo edhe krijon”, – argumentoi Duro, i cili mungesën e finalizimit ia faturon sulmit.
Pankina – I pyetur në mënyrë të drejtpërdrejtë rreth një largimi të mundshëm, ai përgjigjet se nuk është në dorën e tij, por mirëkupton çdo verdikt të klubit. Megjithatë, dëshirën për të vazhduar punën e ka, madje tregon se ekipin e ka nën kontroll dhe këtë e vërtetoi kundër Tiranës. “Dihet pozicioni i trajnerit, korr suksese, por edhe humbje. Fati ynë i keq është që brenda një jave nuk kemi marrë atë që prisnim. Megjithatë për fatin tim vendos vetëm klubi, dhe unë jam i hapur që të ulem e të bisedoj në lidhje me këtë. Gjithsesi, besoj se ekipin e kam nën kontroll, ndonëse brenda një jave u shpërfytyruam. E kam thënë që nuk jemi për titull, por mund të rivalizojmë të paktën deri në fund të kësaj faze me dinjitet. Grupi nuk është sa për të pretenduar majat, kemi lojtarë mjaft cilësorë, megjithëse ka edhe shumë të tjerë që nuk bindin”, – përfundoi numri një i stolit shkodran.
Troshani i beson Duros: S’e mendojmë shkarkimin
Kryetari i Këshillit Mbikëqyrës të klubit Vllaznia, Ritvan Troshani, i kontaktuar nga gazeta në përfundim të kësaj ndeshjeje ka sqaruar se vendi i punës për trajnerin Duro nuk lëkundet. Ai ka thënë se loja e prodhuar dhe ajo që dëshmoi ekipi në fushën e blertë japin sinjale pozitive. Mungoi goli dhe fitorja, por Troshani thekson se do të ishte totalisht e pavend nëse ndaj trajnerit do të merrej një vendim për ta larguar. Ndaj dhe nuk ka rrezik për një shkarkim të mundshëm, të paktën për këtë ndeshje. “Nuk ka ndonjë vendim për largimin e trajnerit Shpëtim Duro. Nuk shoh ndonjë arsye për të marrë një verdikt të tillë për shkarkimin e teknikut, sidomos pas takimit të sotëm, që ishte në nivele të kënaqshme. Mund të them se loja që zhvilloi skuadra sot (dje) ishte nga më të mirat, kjo të paktën për mendimin tim. Pavarësisht se pësuam një gol, që për mendimin tim nuk e meritonim, kjo nuk duhet të na bëjë që të marrim vendime të pabazuara. Mendoj se nuk bëhet fjalë, të paktën deri tani, për një largim të Duros. Nuk dimë sesi do marrin punët në vazhdim, por në këtë periudhë dhe në këtë moment nuk kemi menduar për asnjë çast që të bëjmë lëvizje në drejtim të stafit teknik. Unë jam i mendimit se tani duhet të hedhim vështrimin përpara dhe të shikojmë se çfarë mund të bëjmë më mirë të gjithë së bashku që Vllaznia të fillojë përsëri rritjen”, – me këto fjalë e ka përmbyllur deklaratën e tij kryetari i Këshillit Mbikëqyrës të klubit shkodran.
Vllaznia s’di të shënojë, Tirana ia thellon edhe më krizën
Tirana mposht Vllazninë dhe merr një trepikësh, që më shumë vlen për të përmirësuar gjendjen në klasifikim se sa për t’u ngritur moralin. Shkodranët dominuan lojën, krijuan me bollëk, por gabuan fatalisht në finalizim. Kjo u dha dorë miqve që, falë një penalltie të fituar nga G.Lika në të 80′-ën minutë, e kthyer në gol nga K.Duro, u dhuroi kthesën bardhebluve. Kthesë që nuk i ka bindur tifozët kryeqytetas që ndodheshin dje në “Loro Boriçi”. Ata në përfundim të 90-minutëshit debatuan gjatë me lojtarët dhe trajnerin. Një triumf më shumë se sa i merituar, mund të quhet i dhuruar, duke iu referuar rasteve të shpërdoruara nga shkodranët. Një “Klasike”, e cila nuk u përngjau atyre të sezoneve të fundit, kjo nisur jo vetëm nga paraqitja që dhuruan në fushë, por nga gjendja që janë duke kaluar të dyja skuadrat dhe klubet njëherësh. Nëse ky rezultat u jep deri-diku qetësi bardhebluve (të paktën për një javë), në radhët e kuqebluve pritet tërmet.
VLLAZNIA – TIRANA 0-1
GOLAT Duro 80′ (11-m)
VLLAZNIA: Vujadinoviç, Smajli, Osmani, Beqiri, Begaj, Hajdari, Nallbani (Hysa 64′), Dema, Belisha, Deliç, Rexha; Trajner: Sh.Duro
TIRANA: I.Lika, Taku, Pisha, Pashaj, Ferraj, Karabeci, Muçollari (Peposhi 69′), G.Lika, Duro (G.Muça 89′), Morina (Limani 46′), Çota; Trajner: A.Tafaji
KARTONË TË VERDHË: Nallbani 45’/ Taku 63′, Çota 91′
DELEGAT: Astrit Maçi (Tiranë)
VËZHGUES: Sokol Jareci (Tiranë)
GJYQTARET: R.Sadiku, R.Preca, E.Ganxhi (Elbasan)MINUTAT
2′ Smajli tenton, por Pashaj neutralizon rrezikun, duke e nxjerrë topin në rivënie anësore.
3′ G.Lika bën gjithçka mirë, galopon mesfushën, parakalon mbrojtësin Osmani, por nuk gjen kuadratin.
12′ Deliç godet nga jashtë zone, por nuk gjen portën.
21′ Goditje këndi për Vllazninë, Deliç gjuan në zonë, aty ku Smajli tenton me kokë, por I.Lika grushton.
23′ Begaj korson në zonë, Hajdari me kokë, por jashtë kuadratit.
26′ Smajli parakalon mbrojtjen mike, kroson në zonë, por Rexha nuk përfiton.
32′ Nallbani pason për Hajdarin, i cili gjuan, por vetëm jashtë.
33′ Rasti ideal për shkodranët, Rexha kroson për Smajlin, i cili gjuan me kokë, pot topi prek traversën dhe më pas atë pingule. Topi shkon te këmbët e Osmanit, por goditja e tij përfundon jashtë.
39′ Rexha kontrollon topin, gjuan, por jo aq sa të rrezikojë portierin Lika.
41′ Hajdari pason për Deliç. Ky i fundit gjuan me kokë, por topi përfundon jashtë.
46′ Deliç nga goditje këndi, Osmani me kokë, por gabon në finalizim.
55′ Dema jep një top për Hajdarin, largon Pashaj.
61′ Kros i gjatë nga këndi, Hajdari me kokë, grushton me vështirësi I.Lika.
64′ Hysa i sapofutur në lojë tenton me kokë, pret I.Lika.
70′ Duro nga distanca, godet, pret në kohë Vujadinoviç.
71′ G.Lika tenton nga goditje këndi, grushton portieri.
73′ Deliç kroson për Hajdarin, i cili gjuan, por jashtë.
79′ Gilman Lika në zonë, pengohet nga Beqiri dhe kryesori akordon penallti për bardheblutë.
80′ Klodian Duro nga pika e bardhë, gjuan dhe shënon, 0-1.
84′ Karabeci tenton nga larg, por nuk e surprizon dot Vujadinoviçin.
91′ G.Lika kroson një top në zonë, Muça me kokë, por jashtë kuadratit.
Pjesa e parë Me mungesa të rëndësishme në formacion ka startuar Vllaznia-Tirana. Për vendësit nuk luante Dragoi, ndërsa nga miqtë Dushku, Ahmataj dhe Sina. Minutat e para nisin të qeta dhe me shkodranët që përpiqen të fitojnë terren. Shkëndija e parë vjen për kuqeblutë, Smjali tenton të godasë, por Pashaji e neutralizon rrezikun. Kryeqytetasit në kundërsulm, G.Lika bën gjithçka bukur, merr krahun, kalon Osmanin, por nuk gjen dot kuadratin. Pas këtij episodi, Tirana bllokohet në mbrojtje, pasi shkodranët ua marrin mesfushën miqve. G.Lika, i cilësuar si pika më e fortë e bardhebluve, nuk pati shumë hapësira, kjo për meritë të Smajlit. Raste të vazhdueshme për ekipin e Duros që, me anë të Deliçit, Begajt, Rexhas, dhe mbi të gjitha Smjalit, e rrezikuan thuajse në çdo minutë portën e I.Likës. Rasti më ideal është ai i të 33- ës minutë, teksa Rexha kroson për Smajlin, i cili gjuan me kokë, por topi prek traversën e sipërme dhe më pas atë pingule. Topi shkon te këmbët e Osmanit, por goditja e tij përfundon jashtë. Pjesa e parë mbyllet në baraspeshë.
Pjesa e dytë Fraksioni i dytë nis me Tiranën më të mirëvendosur në fushë, kjo nisur edhe nga lëvizjet e bëra në 11-she. Tafaji “blindon” mesfushën dhe kalon G.Likën nga e majta në të djathtë, ndryshim që sjell efektivitet në lojë. Megjithatë, shkodranët vazhdojnë të dominojnë, luajnë bukur, mbrohen, kombinohen, por sulmi sërish vuan. Në të 61- ën minutë, kros i gjatë nga këndi, Hajdari me kokë, grushton me vështirësi I.Lika. Trajneri Duro hedh një tjetër sulmues në fushë, me shpresën që t’i zhbllokonte shifrat, por edhe aktivizimi i Hysës nuk përbën kurrfarë rreziku. Loja dukej e balancuar, mirëpo atëherë kur nuk pritej, më konkretisht në minutën e 80- të, G.Lika merr topin në kontroll, por ndërpritet nga kapiteni Beqiri. Kjo ndërhyrje konsiderohet nga kryesori penallti. Është Klodian Duro, i cili merr përsipër goditjen nga pika e bardhë dhe nuk gabon, duke e dërguar topin në rrjetë dhe 0-1. Vllaznia merr një shok psikologjik pas këtij goli dhe nuk e rimerr më veten. Këtu shpërbehen Tirana, e cila deri në të 80-ën minutë ishte në hije. Krijon disa raste të tjera me anë të Karabecit, apo shkodranit Lika, por rezultati mbetet i pandryshuar deri në fund. Minutat e fundit, por edhe shtesa, shoqërohen me zhgënjim në Shkodër, ndërsa e rikthejnë Tiranën në kryeqytetet disi më të qetë.
MË I MIRI
Dritan Smajli ishte lojtari më aktiv në fushën e lojës. Mbrojtësi lezhjan, jo vetëm ka bërë detyrën e tij në defensivë, por vazhdimisht krijonte rrezik edhe në portën e miqve. Pas nuk mbetet as G.Lika, i cili në fakt deri në minutën e 70-të ishte “bllokuar” nga Smajli, mirëpo më pas pati më shumë lirshmëri dhe kjo sollireagimin e Tiranës.MË PAK AKTIVI
Sulmi i Vllazninë ishte në një ditë të errët dje përballë Tiranës. Në asnjë moment ata nuk përbënë rrezik për mbrojtjen apo portierin bardheblu. Edhe me aktivizimin e Vilfor Hysës në të 64-ën, nuk pati asnjë risi. Madje rastet e shumta që shkodranët krijuan, vinin nga këmbët e Smajlit. Por edhe sulmi i Tiranës ishte në të njëjtin nivel.
Tafaji: Pikët e qetësisë, shkodranët ishin më mirë
Është i lumtur për pikët, ndonëse shfaqet realisht duke pranuar se Vllaznia dominoi dhe meritonte më shumë. Por ky është futbolli, dhe dje ishte dita e tij me fat dhe e Tiranës, që u kthye më e qetë drejt kryeqytetit. Pas ndeshjes, Alban Tafaji ka folur për ekipin e tij, rivalin, por edhe problemet e shumta, siç është rasti i gjyqeve me ish-lojtarët. “Jo gjithnjë fitojnë ata që luajnë mirë, e në fakt një gjë të tillë e pësuam edhe me Kukësin. Si ne edhe kundërshtari nuk po kalojmë gjendje të mirë, pasi veç krizës së rezultateve u eliminuam edhe nga kupa. Pjesa e parë u dominua nga ata. O unë nuk jam shprehur siç duhet te lojtarët e mi, ose ata nuk më kuptuan, pasi nuk bënë në fushë atë që u këshillova. U rreshtuan shumë mbrapa, çka solli dhe goditjet e dënimit, si dhe iu shumë hapësirë Vllaznisë. Por në të dytën ne e zgjidhëm lojën falë kualiteteve që kemi në dispozicion, si G.Lika e Duro, dhe reaguam. Kjo fitore ka vlera, pasi na jep moral. Sa i përket merkatos, mendoj se kemi nevojë të bëjmë ndërhyrje në janar, por deri në fund të kësaj faze duhet t’i besojmë grupit që kemi. S’dua të bie në përsëritje, pasi dihet që patëm probleme me merkaton e verës”, – tha trajneri. I pyetur për problemet financiare dhe gjobat kundër ishlojtarëve që kanë shkuar në 200 mijë euro, ai u përgjigj: “Nuk besoj që të rrezikojmë deri te pikët, të paktën do e evitojmë. Mirëpo, do ishte mirë që të kishim një përfaqësues në FIFA, pasi po kërkohen parà nga lojtarë që nuk kanë shkelur kurrë në Shqipëri, si rasti i Santos. Këto kontrata janë firmosur nga i ashtuquajturi menaxheri Hektor Çomo, pasi ai i ka sjellë. Por përgjegjësi ka edhe ish-shefi i klubit, Rauf Dimraj”.
Tifozët – Për debatin me tifozët në fund të ndeshjes, ai ka sqaruar se ishin kundër disa lojtarëve dhe ai u doli në mbrojtje. “Bashkëpunimin dhe afrimin e tifozëve duam ta bëjmë me anë të rezultateve dhe ndeshjeve të mira. Kishim kundërshtime për individë të veçantë, por unë i kam të gjithë njësoj, ndaj nuk mund të bëj dallime. Mundohem që t’i marr maksimalisht çdo futbollisti”, – përfundoi Tafaji.
“Heroi” Duro, gol dhe polemika me tifozët bardheblu
Edhe pse fitoi në një fushë të vështirë ndaj një rivali direkt sikundër është Vllaznia, përsëri te Tirana nuk ka paqe. Në fund të takimit lojtarët bardheblu shkuan te tribuna, ku ndodheshin tifozët e ardhur nga Tirana për të festuar me këta të fundit, por disa prej tyre (sipas Klodian Duros vetëm një person) nisën t’i shanin dhe ofendonin lojtarët, aq sa situata për pak mund të merrte trajta negative. Nga televizioni u pa qartë se Klodian Duro po debatonte me një tifoz të skuadrës së Tiranës, i cili nga ana tjetër u duk se nuk po e përmbante më fjalorin e tij ndaj këtij të fundit. Menjëherë kanë ndërhyrë kapiteni Ilion Lika dhe sulmuesi Mario Morina, i cili e ka tërhequr Duron duke e larguar nga pjesa ku ndodheshin tifozët. Ndërkohë i pyetur nga “Panorama Sport” mesfushori, “heroi” i ndeshjes në Shkodër, e ka sqaruar momentin me detaje: “Nuk ndodhi asgjë që të më linte përshtypje të jashtëzakonshme. Thjesht një tifoz i ri, i vetëm, nuk kishte dëshirë të gëzonte kur skuadra e tij Tirana fitonte. Për mua, nuk e di pse është tifoz i kësaj skuadre dhe nuk ka asnjë mundësi që ai të përfaqësojë tifozët e vërtetë të Tiranës? Unë e ftova shumë sinqerisht që, së bashku me gjithë ata fanatiksa që na mbështetën në Shkodër dhe të cilët i falënderoj pa masë për këtë gjë, ai të vinte dhe të festonte me ne. Por, siç duket, kjo gjë nuk i pëlqeu. Sipas meje, njerëzit e vërtetë, tifozët që e duan skuadrën, ndihen dhe vlerësohen në ditë të këqija dhe bëhen njësh me të, duke qenë se janë një pjesë shumë e rëndësishme e klubit. Unë personalisht tifozët i kam respektuar, çka do ta bëj vazhdimisht si në fushë dhe jashtë saj”. Më tej Duro, i cili shënoi edhe golin e vetëm të ndeshjes, ka bërë edhe një analizë të këtij trepikëshi me peshë për bardheblutë. “Një fitore shumë e rëndësishme për vijimësinë e kampionatit për Tiranën. Për më tepër të fitosh në këto momente në Shkodër, fitorja vlen dyfish. Si ne edhe Vllaznia vinim nga disa ndeshje jo shumë të mira, ndaj sot (dje) ishte shumë e vështirë, pasi që të dyja skuadrat kërkonin fitoren. E thashë edhe më lart dhe gjykoj se, duke fituar ndaj Vllaznisë, një nga ekipet më të mira në kampionatin shqiptar dhe një rival direkt për titullin, të bën që të jesh optimist për vijimësinë”, – ka thënë Duro. Sakaq, goli i tij ka edhe një dedikim shumë special: “Kur shënon, është një kënaqësi e veçantë për këdo, pavarësisht se unë gola kam shënuar shumë gjatë karrierës sime. Gjithsesi, edhe ky gol ka një vlerë të madhe, sidomos për ekipin për momentet që po kalojmë. Golin ia dedikoj me shpirt dhe zemër vajzës sime të vogël, Deanës, e cila sapo ka filluar që të më ndjekë nga televizioni”, – përfundon Duro.
G.Lika: Fitore e vuajtur, por kam mërzitur babanë
Mesfushori shkodran i Tiranës, Gilman Lika, i ka bërë një analizë ndeshjes së djeshme që nga penalltia e fituar prej tij e deri te “përplasja” në familje. “Penalltia ishte. Unë nuk e di sesi e keni parë juve nga televizioni, por unë ju garantoj se pati kontakt dhe unë u pengova nga Beqiri, pasi në të kundërt do shkoja drejt portës. Nuk besoj se ka pikë dyshimi për këtë gjë. Për sa i përket kalimit tim në të djathtë, ajo ishte një lëvizje që e bëri trajneri. Unë personalisht luaj dhe mundohem të bëj më të mirën në çdo pozicion ku trajneri e vlerëson se mund të jap më shumë. Në ato momente kalova në krahun e djathtë dhe më eci më mirë. Ne realisht kishim menduar që ta prisnim kundërshtarin në mesfushën tonë dhe më pas ta kundërsulmonim, me qëllim që kështu të gjenim edhe hapësirat që ata mund të linin pas. Në këtë këndvështrim them se bëmë një ndeshje të mirë dhe këtë gjë e tregon edhe rezultati. Pastaj pjesën teknike është më mirë që t’ia kërkoni trajnerit, i cili vendos edhe se si të luajë duke llogaritur edhe çfarë kundërshtari ka përballë”, – ka thënë Lika. Më pas mesfushori i Kombëtares ka hedhur poshtë me elegancë kritikat e kohëve të fundit në adresë të tij. “Nëse kam luajtur mirë apo jo? Unë nuk flas dot për veten. Të tjerë njerëz i bëjnë këto vlerësime. Unë kam bërë më të mirën e mundshme dhe për këtë jam koshient, mirëpo futbolli siç e dini luhet 11 me 11 dhe tjetër gjë do të ishte nëse do luhej tek e tek, atëherë do ta merrja si personale”, – ka vazhduar lojtari. Më tej ai ka sqaruar edhe çështjen e rinovimit të kontratës. “Kam pasur kontakte me drejtuesit e klubit, por kam kërkuar pak më shumë kohë. Unë dua të shikoj njëherë ofertat nga jashtë, nëse do jetë ndonjëra që mund të Lojtari: Rinovimi? Pres të iki jashtë Shqipërisë më pëlqejë, dhe më pas do vendos. Sigurisht, kjo gjë do shihet në janar. Atëherë do të vendos nëse do rinovoj me Tiranën apo do shkoj në një skuadër tjetër”. Në fund si shkodran, Gilman Lika ka treguar edhe “përplasjen” brenda familjes. “Sot (dje) me shumë gjasa është mërzitur babai, por vëllai dhe mamaja janë me mua (qesh)”.
E.Beqiri: Ishte penallti, por ne na u mohuan dy
Një kapiten i vërtetë. Edhe kur gabimi është i tiji, në njëfarë mënyre e pranon me një sinqeritet për t’u lavdëruar. Ky është Elvin Beqiri. “Ishte një humbje që nuk e meritonim. Kemi bërë një nga ndeshjet tona më të mira të këtij sezoni dhe këtë e them pa pikën e dyshimit. Mendoj se sot (dje) nuk na deshi fati që ne të shënonim para Tiranës, pasi me siguri në fund do kishim qenë ne ata që do e kishin festuar këtë ndeshje. Ishim shumë më lart se kundërshtari në fushën e lojës dhe për minuta të tëra i dominuam. Mirëpo për fatin tonë të keq nuk na donte goli. Pengimi i Gilman Likës në zonë? Po, ishte penallti. Gilmani e mori edhe pak me zotësi atë, pasi më shumë e kërkoi ai përplasjen me mua, sesa unë e pengova atë. Gjithsesi, duhet thënë edhe diçka tjetër shumë e rëndësishme: se para atij momenti që vendosi edhe fatin e takimit ne na u mohuan dy penallti të sakta, që çuditërisht nuk e di se përse arbitri nuk na i dha. Sidoqoftë, nuk duhet të biem në pesimizëm. Ishte një humbje absolutisht e pamerituar dhe këtë dua ta ritheksoj me të madhe, por kjo Vllazni duhet të shikojë përpara dhe të mundohet që të marrë rezultat në ndeshjet e tjera. Kampionati është i gjatë dhe ne do të jemi në garë për titullin deri në javën e fundit”, – është shprehur kapiteni.
Lika e Duro duartrokiten nga shkodranët
Gilman Lika dhe Klodian Duro, dy lojtarët që “gatuan” golin e ekipit të Tiranës, u duartrokitën gjatë në startin e takimit nga tifozëria e zjarrtë shkodrane. Madje, në drejtim të mesfushorit Lika nuk kanë munguar as ftesat publike që në janar t’i bashkohet Vllaznisë. Kujtojmë që lojtarit i mbaron kontrata në janar, çka u jep fansave shpresë. Ndërsa për elbasanasin, ofertat nuk munguan gjatë verës, por vetë futbollisti i refuzoi. Mirëpo, veç tyre, ka pasur edhe “ish” të tjerë, madje në të dy kampet. Si I.Lika, G.Muça, Osmani, por edhe Hysa.
Parulla në stadium: “S’dimë si t’ju shajmë”
“Nuk dimë sesi t’ju shajmë”. Kjo ishte parulla e vetme që tifozët e Tiranës nxorën dje gjatë ndeshjes në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Në një luftë të hapur me klubin, tifozët edhe dje kishin gjetur mënyrën e tyre për të treguar zemërimin ndaj rezultateve negative të skuadrës. Sakaq, pas trepikëshit, ata e kanë hequr këtë parullë, ndërsa në rrjetin social në “Facebook” një pjesë e mirë e tifozëve të tjerë të Tiranës, të cilët e ndoqën ndeshjen nga televizioni, komentonin me nota pesimiste. “Tirona ka kaluar në avantazh në Shkodër me 11-metërsh, pas një dhurate të mbrojtësve të Vllaznisë në mënyrën më të pamerituar të mundshme. Ky është ligji i egër i futbollit! Vllaznia-Tirona 0-1! Nuk e meritonim këtë fitore. Skuadra nuk shprehet, nuk ndërton, nuk lufton, e shpërfytyruar totalisht. Ishte një dhuratë e Vllaznisë më shumë, se një fitore e Tiranës! Duhen ndërhyrje të menjëhershme në merkaton e janarit”.
Tifozët largohen para fundit të ndeshjes
Interesi nuk ka qenë i madh, ka pasur tifozë, por jo aq sa është mësuar “Loro Boriçi” të mbajë, e sidomos për ndeshjet kundër Tiranës. Madje, teksa po afronte fundi i lojës, shkodranët të zhgënjyer u larguan nga shkallët e stadiumit, pak para se të vinte vërshëllima e fundit e Sadikut. Tejet e mbushur ka qenë tribuna VIP ku, veç drejtuesve, nuk mungonte as moderatoria Marina Vjollca, e njohur si një tifoze speciale e Vllaznisë. Ajo ishte veshur me fanellën kuqeblu, por duket se këtë herë nuk i ka sjellë fat skuadrës së zemrës.
Ja rastet e ndeshjes së luajtur në “Loro Boriçi”
Vllaznia-Tirana ka qenë një ndeshje e qetë dhe pa probleme, që u ka krijuar lehtësi edhe gjyqtarëve. Megjithatë, kjo nuk ka evituar pakënaqësitë. Në minutën e 10-të, Muçollari ndërhyn ndaj Smajlit, mirëpo Sadiku nuk ndëshkoi asnjë, për të evituar tensionin. Në të 43-ën minutë Morina i merr një top Deliçit, por kryesori jep faull për shkodranët, në një kohë kur nuk ishte faull. Në minutën e 67-të Hysa rrëzohet në zonë prej Muçollarit, pretendohet 11-metërsh, por nuk jepet. Tre minuta më vonë ka penallti për Tiranën dhe shkodranët kanë dyshimet e veta, edhe pse kontakti i Beqirit ndaj Likës ishte i dukshëm.
Drejtuesit rishikojnë pamjet e penalltisë
Duke u nisur nga loja e mirë e zhvilluar kundër Tiranës, klubi shkodran pretendonte që skuadra e tyre të merrte më shumë. Drejtuesit përtej irritimit që u ka sjellë rezultati, kanë pasur dyshimet e tyre për rastin e 11-metërshit të dhënë për Tiranën. Por jo vetëm kaq, pasi pretendojnë se u janë mohuar dy të tjerë në favor të tyre. Krerët më të lartë të skuadrës janë ulur tek studio lëvizëse, që të shikojnë dhe rishikonin pamjet mbi atë rast, që për ta quhet i dyshimtë. Pavarësisht se një gjë e tillë nuk mund të ndryshonte asgjë, ata donin të ishin të bindur për atë penallti, që u solli humbjen e radhës kuqebluve.
Paqe në Shkodër, vendësit të zhgënjyer
Tirana as dje nuk ka qenë e braktisur nga tifozeria e saj. Pavarësisht se kishin thënë se në Shkodër ekipi do të ishte i pashoqëruar prej tyre, kjo nuk ka ndodhur. Megjithatë, goli i Duros dhe fitorja pas 90 minutave ka kthyer mesa duket edhe qetësinë mes tifozëve. Sakaq, me të dëgjuar vërshëllimën e fundit ata kanë rendur në drejtim të tifozërisë vendëse për ta festuar me ta këtë fitore, por edhe për të shtrirë dorën e bashkimit. Ndërkohë duhet thënë se tifozët e skuadrës së Vllaznisë, të irrituar me ekipin e tyre, por edhe me rezultatin, nisën që disa minuta para fundit të takimit që të largoheshin nga stadiumi.
As Marina s’i sjell fat Vllaznisë
Tribuna VIP e stadiumit “Loro Boriçi” ka qenë e tejmbushur me personalitete. Të pranishëm kryebashkiaku Lorenc Luka dhe i gjithë stafi shkodran. Nuk mungonin gjithashtu as drejtuesit e klubit kryeqytetas, por edhe ish-presidenti i Tiranës, Refik Halili, i cili ka qenë pjesë e kësaj tribune. Pjesë e saj ka qenë edhe moderatorja e emisionit “Procesi sportiv” në “Top Channel”, Marina Vjollca, e njohur si një tifoze e Vllaznisë dhe e veshur me fanellën kuqeblu. Ajo ka bërë tifozllëk për ekipin e saj, pavarësisht se dje nuk i ka sjellë shumë fat me prezencën e saj në tribunë.
ADMIR URUCI / LEONARD KARAJ