Teuta turpëron Elbasanin, dorëhiqet File. Pisha braktis lojën, zbardhen prapaskenat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2014 | 23:29

Teuta turpëron Elbasanin, dorëhiqet File. Pisha braktis lojën, zbardhen prapaskenat

Elbasani-TeutaELBASANI-TEUTA   1-5
GOLAT: Çota 80’/ Pepa 30′, 61′, Shabani 36′, 51′, Dita 69′
ELBASANI: Kotorri, Vogli, Pisha (Tahirllari 38′), Jaupi, Kaçuli, Hila, Dalipi (Basriu 46′), Toçi, Çota, Gava (Agboyi 40′), Bylykbashi; (në dispozicion: Ruçi, Lamçja, Malindi, Rodriges). Trajner: I.File
TEUTA: Rizvani, Krasniqi, R.Hoxha, Kotobelli, E.Hoxha, Deliallisi (Dita 62′), Hodo (Bardulla 72′), Shabani, Koreshi, Peposhi (Nika 66′), Pepa; (në dispozicion: Hysenbelliu, D.Hoxha, Hoxhallari, Magalhaes). Trajner: H.Lika
KARTONË TË VERDHË: Agboyi 42′, Bylykbashi 45’/ Deliallisi 45′, Kotobelli 60′
DELEGAT: Petrit Brahja (Tiranë)
VËZHGUES: Mikel Shestani (Tiranë)
GJYQTARET: E.Sino, I.Tartari, E.Pashaj (Fier)

MINUTAT
10′ Korreshi, i gjendur në brendësi të zonës, godet, por mbrojtja verdheblu largon topin shumë pranë portës.
17′ Goditje dënimi rreth 25 metra për Elbasanin. Ekzekuton Bylykbashi, por Rizvani grushton duke shmangur golin.
23′ Kosovari Shabani, në hyrje të zonës, gjuan fort dhe topi devijohet, por është Kotorri që e ndal mrekullisht atë.
27′ Dalipi “vallëzon” me topin në zonën durrsake, arrin të shmangë edhe gardianin Rizvani, por vonon në gjuajtje, duke humbur një rast të pastër për gol.
30′ Aksion model i durrsakëve me protagonist Shabanin, i cili kroson në zonë dhe aty Pepa kërcen fuqishëm me kokë, duke realizuar golin e parë.
Dhe 0-1! 36′ Sulmuesi Pepa i kthen reston mesfushorit Shabani, teksa pranë vijës fundore dërgon një top të saktë për kosovarin, i cili “zhytet”, duke e çuar topin drejt e në rrjetë 0-2.
51′ Shabani godet mjeshtërisht diagonal me portën, duke e dërguar topin aty ku Kotorri e ka të pamundur ta ndalë. Dhe 0-3!
61′ Sulmuesi Pepa përfiton nga përgjumja e mbrojtjes verdheblu dhe në hyrje të zonës lëshon një predhë të fortë që ndalet në rrjetën e Kotorrit. 0-4.
69′ Pepa, i papërmbajtshëm, merr bukur krahun e majtë, gjuan drejt portës, por topi grushtohet dhe shkon në këmbët e Ditës, i cili godet duke realizuar golin e pestë, 0-5.
80′ Kundërsulm i elbasanasve dhe sulmuesi Çota arrin të realizojë golin e nderit me një goditje ballore. Dhe 1-5!

Teuta i ka dhënë një “shuplakë” Elbasanit në fushën asnjanëse të Peqinit. Kjo ka sjellë dhe dorëheqjen e trajnerit Ilirjan File nga drejtimi i pankinës verdheblu. Fitorja 5-1 e durrsakëve duket se nuk është kapërdirë nga numri një i pankinës verdheblu, i cili menjëherë ka deklaruar dorëheqjen, duke marrë përsipër përgjegjësinë e dështimit. Për ekipin e Likës, ky ishte trepikëshi i parë, që në sfidën e djeshme ka reaguar bindshëm jo vetëm me lojë, por dhe rezultat pas dy humbjeve të pësuara në javët e para. Dy dopieta, me firmën e Pepës dhe Shabanit, por edhe goli i Ditës kanë shpartalluar verdheblutë, që dje pësuan humbjen e tretë në kaq javë kampionat të zhvilluara. Nga ana tjetër, duhet thënë se Elbasani tregoi një formë mjaft të dobët, ndërsa në minutën e 37-të është shënuar edhe një gjest aspak i hijshëm nga veterani Pisha. Ai është larguar nga fusha e lojës pa pritur që të kryhej zëvendësimi.
Pjesa e parë – Elbasani luante si pritëse në stadiumin e Peqinit përballë Teutës në pozita të barabarta, pasi të dyja skuadrat nuk kishin asnjë pikë. Loja ka nisur mjaft e shpejtë dhe në minutat e para skuadrat qarkullojnë dendur topin, ndërsa iniciativa e parë u takon durrsakëve, të cilët tregohen më të qartë teknikisht. Në 15 minutat e para regjistrohen tri raste të pastra për shënim për “djemtë e detit” me protagonist Pepën dhe Korreshin, por rezultati nuk ndryshon. Në minutën e 17-të, verdheblutë reagojnë me një goditje të ekuilibruar të Bylykbashit, por portieri Rizvani tregohet i vëmendshëm. Pas këtij momenti është sërish skuadra durrsake që shton përpjekjet për të shënuar në portën Kotorrit, por ndërhyrjet e gardianit elbasanas bëjnë të mundur evitimin e golit. Në minutën e 30-të durrsakët dalin në avantazh me anë të Pepës, i cili kërcen fuqishëm dhe arrin të shënojë me kokë. Ky gol i jep tjetër impuls manovrës sulmuese të Teutës, që përfiton edhe nga gabimet e mesfushës së Elbasanit. Në minutën e 36-të Shabani dyfishon shifrat, duke e çuar në 0-2 rezultatin në favor të Teutës. Loja e dobët e të tijve nuk është përtypur mirë nga mbrojtësi Pisha, i cili në mënyrë të habitshme është larguar nga fusha e lojës pa pritur të kryhej zëvendësimi. Pjesa e parë mbyllet me avantazhin e dyfishtë të miqve.
Pjesa e dytë – 45 minutat e dyta nisin me zëvendësime për verdheblutë, teksa kapiteni Dalipi largohet për t’ia lënë vendin Basriut. Ekipi i Likës nuk heq dorë nga loja sulmuese dhe duken të etur për të shënuar sërish. Gjashtë minuta nga fillimi i kësaj pjese, Shabani realizon golin e dytë personal dhe të tretin për Teutën. Verdheblutë duken të dorëzuar dhe nuk gjejnë forca për ta kaluar këtë situatë të vështirë. Përfiton skuadra bregdetare, që nuk mendon aspak të mbrojë rezultatin, por ta thellojë atë. Në të 61-n minutë sulmuesi Pepa shfaqet i pambuluar në hyrje të zonës verdheblu dhe me një goditje të fortë mposht Kotorrin, i cili nuk ka se çfarë të bëjë më shumë. Shokohet Elbasani dhe loja e saj është mjaft apatike dhe me shumë gabime. Në minutën e 69-të është mesfushori Dita që realizon edhe golin e pestë për Teutën, duke shënuar emrin në listën e shënuesve. Në minutat e mbetura skuadra e Elbasanit kërkon me ngulm të realizojë golin e nderit dhe e arrijnë atë në minutën e 80- të me anë të sulmuesit Çota. Nuk ka më histori, Teuta merr fitoren e parë dhe pozicionohet në mesin e tabelës.

MË I MIRI
Ka qenë një ndeshje që foli totalisht për Teutën, por ra në sy loja e shkëlqyer e sulmuesit Brunild Pepa dhe e mesfushorit kosovar, Xhevdet Shabani. Jo vetëm për dopietat që realizuan, por duhet pranuar që të dy futbollistët ishin në një ditë të shkëlqyer, duke treguar një formë fizike dhe teknike mjaft të mirë. Një paraqitje për t’u vlerësuar bëri edhe Erlind Korreshi.

MË PAK AKTIVI
Me shumë pak përjashtime, lojtarët e Elbasanit ishin në ditën e tyre më të keqe, duke pësuar një humbje të thellë që do të ndikojë ndoshta edhe në ecurinë e mëtejshme. Duke filluar nga mbrojtja me Jaupin, Kaçulin e deri në sulm me Dalipin, verdheblutë bënë gabime dhe pas pësimit të golave nuk kishin forcën e duhur për të reaguar, duke treguar mungesë karakteri.

PishaPisha braktis ndeshjen, zbardhen prapaskenat
Arjan Pishës i sos durimi. Qendërmbrojtësi i skuadrës së Elbasanit, pas pësimit të golit të dytë në takimin e djeshëm ndaj Teutës, në mënyrë demonstrative, ka dalë nga fusha e lojës, duke mos pritur as momentin për t’u bërë zëvendësimi. Ka qenë minuta e 37-të, kur Pisha, pasi lë lojën përgjysmë, heq më pas edhe fanellën verdheblu, duke nënkuptuar se ashtu nuk vazhdohej më. “Veterani” elbasanas, pasi mbërrin në dhomat e zhveshjes, nuk qëndron deri në fund për të parë takimin, por largohet nga stadiumi. Nuk dihet nëse ai do të jetë më pjesë e Elbasanit për pjesën e mbetur të sezonit. Mbrojtësi është nervozuar së tepërmi me pjesën tjetër të skuadrës pas pësimit të golit të dytë.
Prapaskena – Gazeta u mundua të kontaktonte me lojtarin, por ky i fundit nuk dëshironte që të prononcohej për gjestin që bëri, duke thënë shkurtimisht vetëm këto fjalë: “Më falni, por për momentin nuk dua të prononcohem!”. Megjithatë, nuk ka nevojë për shumë komente nga ajo çka u pa në fushë dhe në momentin që lojtari u largua, duke e shprehur hapur pakënaqësinë e tij në lidhje me atë që po ndodhte. Mosimpenjimi në fushë nga ana e lojtarëve, ku shpesh Pisha edhe “çirrej” në të bërtitur për të rregulluar sadopak edhe ato problemet që kishin lojtarët në fushë, bëri atij t’i soste durimi dhe të shmangte një turpërim të mëtejshëm në fushën e lojës. Pra, me sa duket, të paktën me aq sa gazeta ka arritur të zbardhë, gjithçka lidhet me një mosaprovim të Pishës të gjithçkaje ka ndodhur gjatë ndeshjes (deri në shënimin e golit të dytë të Teutës). Gjesti i tij, duke e lënë fushën në mënyrë demonstrative, për më tepër duke hequr edhe fanellën dhe u larguar përpara kohe nga stadiumi, lë shumë për të hamendësuar. Pisha ndoshta mund të largohet nga Elbasani, vetëm nëse gjërat rregullohen dhe pas një bisede me drejtuesit mund edhe të qëndrojë. E gjitha kjo mbetet për t’u parë në ditët në vijim. Gjasat janë që sot ai të takohet me presidentin Arben Laze dhe të qartësojë të ardhmen e tij. 37-vjeçari ka mbetur shumë i zhgënjyer nga sjellja e skuadrës.

hasan likaLika: Një fitore super, përfituam edhe nga gabimet
Numri një i pankinës së Teutës, Hasan Lika, në konferencën për shtyp pas përfundimit të takimit, u shpreh se fituan në një moment të vështirë për ta. “Ne ishim përgatitur për të dhënë maksimumin e forcave tona dhe sigurisht që kishim ardhur me objektivin e vetëm: marrjen e një rezultati pozitiv qoftë barazim apo fitore. Kjo nisur edhe nga pozitat që të dyja skuadrat mbanin në klasifikim pas dy ndeshjeve të para, ku ndoshta meritonim ndonjë pikë më shumë. Kemi luajtur në mënyrë të kujdesshme dhe e kemi kapur në befasi kundërshtarin, duke realizuar dy gola në pjesën e parë, ndërsa pas shënimit të golit të tretë ndeshja u bë disi më e lehtë, kjo edhe për faktin se Elbasani u demotivua. Ne krijuam më shumë raste se ‘vendësit’ dhe duhej të realizonim më shpejt, ashtu siç edhe mund të ishim ndëshkuar. Mirëpo, fatmirësisht arritëm të tregoheshim më të saktë, duke gjetur rrugën e rrjetës. Megjithatë, mund t’ju them se përfituam edhe nga gabimet e kundërshtarit. Mendoj se fitorja e sotme (dje) na jep më shumë optimizëm dhe vetëbesim për të ardhmen. Sigurisht që na duhet shumë punë, pasi kemi kundërshtarë të tjerë edhe më të fortë në ndeshjet e ardhshme. Duhet të tregosh ekuilibër në fushë. Ne kemi një skuadër që duhet të rritemi në lojën tonë. Do të përpiqemi që në çdo ndeshje të japim maksimumin tonë dhe të marrim pa dyshim më të mirën”, ka përfunduar numri një i pankinës durrsake.

Laze dhe File duke ndjekur ElbasaninFile: Po largohem, marr përgjegjësi për humbjen
Tri ndeshje në drejtimin e Elbasanit në Superiore dhe zero pikë, për më tepër që ndaj Teutës verdheblutë u turpëruan. Trajneri i Elbasanit, Ilirjan File, merr përsipër të gjitha përgjegjësitë, duke dhënë dorëheqjen e parevokueshme. “Nuk jam më trajner i Elbasanit dhe pas kësaj ndeshjeje kam dhënë dorëheqjen e parevokueshme. Faji është i imi dhe marr përsipër përgjegjësitë. Ishim përgatitur për të zhvilluar një ndeshje të fortë ndaj Teutës, por kurrsesi nuk e kisha menduar një humbje të tillë. E përsëris, përgjegjësinë për humbjen e marr unë dhe ju konfirmoj largimin nga drejtimi i skuadrës”, ka thënë File në përfundim të takimit. Burime të besueshme në klub shprehen për gazetën se sot do të ketë një takim midis Files dhe Lazes për të biseduar rreth të ardhmes së teknikut elbasanas dhe, me shumë gjasa, Laze nuk do ta pranojë dorëheqjen. Vetëm pasi të vendoset përfundimisht se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e Files (sepse zyrtarisht nuk mund të quhet i larguar) Elbasani do të hyjë në merkato për trajnerin. Emrat e parë kanë filluar të dalin menjëherë në skenë, siç është ai i ish-mesfushorit të Kombëtares sonë, elbasanasit Klodian Duro. Gjithsesi, çdo gjë mbetet në dorë të presidentit Arben Laze, i cili dje nuk konfirmoi asgjë.

Duro KlodDuro kandidat: Jam në pritje
Klodian Duro pritet të jetë trajneri i ri i Elbasanit. Në klubin verdheblu nuk konfirmojnë asgjë, por burime të sigurta tregojnë për “Panorama Sport” se palët janë në bisedime dhe pritet vetëm konkretizimi i marrëveshjes. I kontaktuar nga gazeta, ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare nuk pranoi të jepte detaje. “Nuk mund t’ju them asgjë, jam në pritje”, pohoi shkurtimisht Duro, i cili me shumë mundësi do të zyrtarizohet sot si trajner i verdhebluve. Ai pritet të nisë karrierën e trajningut, pikërisht në qytetin ku dhe hodhi hapat e parë si futbollist. Ndërkohë, dje presidenti Arben Laze nuk pranoi të bënte komente për mundësinë e emërimit të Duros. “Për sa i përket ndonjë emri që mund të vijë, di të them që unë e kam stafin dhe s’kam biseduar dhe nuk do bisedoj me asnjë tjetër, për aq kohë sa stafi është i plotë. Nëse File e ka vendosur përfundimisht që do të largohet, atëherë atij do t’i ofrohet një tjetër post në klubin e Elbasanit, sepse është personi që ka dhënë shumë për këtë ekip dhe ka merita të veçanta. U bënë më shumë se 10 vjet që është pjesë e Elbasanit dhe do vijojë të jetë ende në klub”, ka sqaruar presidenti Laze.

Dy gëzime në një ditë, Shabani tregon emocionet
Dita e djeshme nuk do të harrohet kurrë për mesfushorin kosovar të Teutës, Xhevdet Shabani. Ai të mërkurën përjetoi gëzim të dyfishtë, pasi para ndeshjes mori lajmin se u bë baba për herë të dytë, kurse më pas takimin ndaj Elbasanit e mbylli me dy gola. “Kam pritur se do të shënoja një gol, por jo dy. Ndihem shumë mirë, sepse sot (dje) jam bërë baba për herë të dytë. Në jetë më ka ardhur Andi, të cilit ia dedikoj të dy golat. Lajmin për lindjen e tij e mësova pak para fillimit të ndeshjes. Kjo është një ditë e paharrueshme dhe mjaft e veçantë për mua. Dua të falënderoj edhe tifozët e Teutës për mbështetjen”, deklaroi Shabani për “Panorama Sport”. I pyetur se si ndihet te Teuta, ai shtoi: “Më kanë pritur shumë mirë. Tani, pas kësaj fitoreje, besoj se edhe motivi i skuadrës është më i madh për të shënuar fitore të tjera. Synimet tona janë për të kapur Europën”.

Laze: U kërkoj falje tifozëve
I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, presidenti i Elbasanit, Arben Laze, reagoi për humbjen ndaj Teutës, si dhe çështjen e trajnerit. “Nuk jam njohur zyrtarisht me dorëheqjen e Files, por këtë e kam marrë vesh nga media. Unë e lashë stadiumin përpara se të mbaronte ndeshja, pasi u mërzita shumë për atë dështim. Nuk kam biseduar ende me Filen, por nesër (sot) do të shikojmë më mirë gjërat. Fillimisht do të shohim përgjegjësitë, ku çaloi skuadra dhe më pas do të flasim për dorëheqjen. Nëse File e ka vendosur përfundimisht që do të largohet, atëherë atij do t’i ofrohet një tjetër post në klubin e Elbasanit, sepse është personi që ka dhënë shumë për këtë ekip dhe ka merita të veçanta. Unë i kërkoj falje sportdashësve për paraqitjen që bëmë, por futbolli i njeh edhe disfatat. Për fat të keq, humbëm thellë, por kam besim se do ta kalojmë këtë gjendje”, deklaroi dje Laze.
FATMIR AHMETI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"