Teuta vihet në alarm, dëmtohet D.Xhafaj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 1, 2012 | 13:52

Teuta vihet në alarm, dëmtohet D.Xhafaj

Trajnerit të Teutës, Hasan Likës, do t’i duhet që në ndeshjen e radhës ndaj Luftëtarit të bëjë pa dy lojtarë kryesorë në formacion. Kështu, në përballjen ndaj gjirokastritëve nuk do të jenë të gatshëm sulmuesi Daniel Xhafaj dhe mbrojtësi Fernando Da Silva. I pari nuk do të jetë nën urdhrat e Likës, pasi ka pësuar një tërheqje muskulore në kofshën e djathtë, ndërsa mbrojtësi ende nuk është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi në kofshë, çka do ta lërë sërish jashtë fushe. Në një bisedë për “Panorama Sport”, sulmuesi Daniel Xhafaj tha: “E kam të pamundur të jem të dielën në fushë dhe më vjen shumë keq për këtë fakt. Por futbolli kështu e ka, ndërsa shpresoj të riaftësohem shpejt. Ndërkaq, i uroj suksese skuadrës në transfertën ndaj Luftëtarit”. Mungesa e këtyre dy lojtarëve do t’ia vështirësojë shumë gjërat Likës.
Mancaku – Sipas sulmuesit tjetër të skuadrës, Bledar Mancaku, edhe pse do të kenë dy mungesa, objektivi mbetet po i njëjtë: në Gjirokastër vetëm për fitore. “Është vërtetë një fatkeqësi e madhe, fakti që nuk do të kemi në dispozicion për arsye dëmtimi dy lojtarë kryesorë si: Xhafaj dhe Da Silva. Megjithatë, edhe ata që do t’i zëvendësojnë, mendoj se janë në lartësinë e duhur për të ndihmuar skuadrën të arrijë objektivin. Me të vërtetë Danieli është një ndër lojtarët më të rëndësishëm në formacionin, por së bashku me Eminhazerin dhe pjesën tjetër të skuadrës do të bëjmë të pamundurën që të mos ndihet mungesa e tij, por edhe e Da Silvës”. Ndonëse në këtë përballje do të mungojë një nga sulmuesit që pritej të shënonte, Mancaku thotë se këtë gjë do mundohen ta bëjnë ai dhe partneri i tij Eminhazeri: “Ndaj Luftëtarit në krah do të kem një sulmues si Eminhazeri dhe të dy do përpiqemi që të shënojmë. Besoj se do t’ia dalim mbanë”.

EMINHAZERI
Isa Eminhazeri do të ketë rastin që t’i tregojë aftësitë e tij në ndeshjen ndaj Luftëtarit. “Do përpiqem të jap më të mirën time: në radhë të parë për ta ndihmuar ekipin që të arrijë objektivin, dhe së dyti për të treguar vlerat e mia. Danieli është një lojtar shumë i rëndësishëm, ndërsa është mjaft e vështirë për ta zëvendësuar atë. Gjithsesi, unë u premtoj të gjithëve se do bëj gjithçka që të mos ndihet mungesa e tij.
Leonidha Musaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"