Teuta vijon merkaton, rinovon shkodrani Ansi Nika
Ansi Nika do të qëndrojë edhe një sezon te Teuta. Marrëveshja përfundimtare është arritur dje mes presidentit Edmond Hasanbelliu dhe mesfushorit 23-vjeçar. Prej ditësh e ardhmja e shkodranit ishte në pikëpyetje, pasi në përfundim të sezonit i kishte përfunduar kontrata me “djemtë e detit”. Për më shumë se një muaj, Nika u vendos në qendër të merkatos së shumë klubeve në Shqipëri, por në fund mesfushori i djathtë vendosi të rinovojë me Teutën. Disa ditë më parë u përfol për një rikthim të tij te Vllaznia, por ishte vetë presidenti Hasanbelliu, që dje hodhi poshtë këto zëra dhe konfirmoi arritjen e akordit me mesfushorin shkodran. Në këtë mënyrë, të paktën edhe për vitin tjetër, Nika do të jetë pjesë e Teutës, me të cilën ka kaluar plot katër sezone radhazi. Nika ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të Teutës sezonet e fundit, duke fituar shumë shpejt edhe simpatinë e tifozerisë durrsake. Ndërkohë, Altin Hoxha është lojtari i radhës që i shtohet organikës së klubit të Teutës. Në fakt, është më shumë një rikthim në shtëpi për mesfushorin, pasi ka qenë i huazuar te Besa. Me ardhjen e një grupi të madh lojtarësh të huaj që solli kompania zvicerane te Teuta vitin që shkoi, mesfushori u huazua te kavajasit. Drejtuesit e klubit pohuan dje për gazetën se mesfushori do të vazhdojë të mbetet në Durrës, duke iu bashkuar kështu edhe rikthimit të Shaqir Stafës e Alfred Deliallisit. Altin Hoxha është produkt i akademisë së Teutës, klub me të cilin ka zhvilluar 97 ndeshje që prej vitit 2009, ku ka shënuar edhe dy gola. Në këtë mënyrë, shtohet numri i lojtarëve që do të jenë pjesë e Teutës sezonin e ri. Ndërtimi i ekipit ka filluar nga reparti i mbrojtjes për të kaluar më pas drejt mesfushës. Por, presidenca durrsake ka theksuar se do të ketë të tjera afrime në ekip. Në ditët e para të grumbullimit pritet t’i bashkohen skuadrës edhe dy lojtarë nga kampionati kosovar.
Roland Gjini