Teutë heroike, ndal korçarët me 10 lojtarë. Josa: Po mendojmë edhe për dy përforcime
SKËNDERBEU – TEUTA 1-1
GOLAT Morina 62’/ Xhafaj 45+3′
SKËNDERBEU: Shehi, Ademir (Fagu 77′), Bicaj, Gvozdenoviç, Arapi, Muzaka, Orelesi, Shkëmbi, Dimo (Tomiç 79′), Ribaj (Morina 46′), Pejiç. Trajner: Mirel Josa
TEUTA: Rizvani, Idrizaj, Osmani, Jakupi, Da Silva, Nika, Hodo, Dosti (Mustafaji 75′), Ahmataj, Mancaku (Deliallisi 55′), Xhafaj (A.Hoxha 89′). Trajner: Gugash Magani
KARTONË TË VERDHË: Dimo 66′, Pejiç 94’/ Nika 52′
KARTON I KUQ: Da Silva 11′
DELEGAT: Millan Baçi (Tiranë)
VËZHGUES: Sokol Jareci (Tiranë)
GJYQTARET: R.Sadiku, R.Preça (Elbasan), R.Avdo (Tiranë)
MINUTAT
7′ Kundërsulm i shpejtë i Skënderbeut nga krahu i djathtë. Muzaka jep një pasim brenda zone për Pejiçin, i cili gjuan, por topi përplaset në shtyllë dhe më pas është Osmani që largon rrezikun.
25′ Xhafaj rrotullohet bukur në zonën korçare dhe pason për Mancakun, që për pak shënon, por është Shehi që shpëton portën.
30′ Muzaka merr një inkursion nga krahu i djathtë dhe më pas futet në qendër, ku gjuan fuqishëm me të majtën, por jashtë.
35′ Goditje dënimi për Teutën nga një distancë e largët. Ahmataj kroson në zonë dhe aty Xhafaj devijon topin me kokë, por Shehi pret pa vështirësi.
43′ Aksion spektakolar i Skënderbeut me protagonist Ademir dhe Muzakën. Ky i fundit futet në zonë dhe pason te Dimo, që gjuan fluturimthi me të majtën, por Rizvani bën mrekullinë, duke grushtuar topin.
45′ Arapi jep një top të gjatë, duke nxjerrë krejtësisht të lirë Ribajn, por sulmuesi bën më të vështirën, duke goditur me kokë afër portës dhe topi përfundon në rrjetën e jashtme.
45+3′ Mancaku rrëmben një top në gjysmëfushë dhe më pas shërben shkurt për Idrizajn në krahun e djathtë. Vlonjati i Teutës me shumë zgjuarsi shkëputet dhe afër zonës kroson menjëherë në krahun tjetër, duke gjetur të lirë Xhafajn, i cili me kokë kryen një veprim spektakolar, teksa gjunjëzon portierin Shehi, 0-1.
58′ Arapi jep një top të gjatë në zonë, aty ku portieri Rizvani bën një dalje të gabuar dhe Orelesi përfiton, duke gjuajtur me kokë drejt portës së boshatisur, mirëpo afër vijës fatale është Osmani që shpëton Teutën duke larguar rrezikun.
62′ Ademir dhe Shkëmbi kombinojnë mirë në mesfushë dhe kapiteni më pas hedh një top të gjatë në zonë, aty ku Pejiç fiton dyluftimin me Osmanin dhe devijon topin, që shkon në këmbët e Morinës. Më pas sulmuesi tiranas gjuan menjëherë dhe përtej grushtimit të Rizvanit, topi shkon në rrjetë, 1-1.
70′ Arapi kroson në zonë, duke gjetur të lirë Muzakën në krahun e djathtë, që gjuan me kokë dhe topi, pasi preket nga Rizvani, përplaset në shtyllë e më pas largohet nga Jakupi.
Teuta merr një pikë në Korçë, edhe pse me 10 lojtarë për më shumë se 80 minuta. Spektakël në fushë e tribuna, tension, kartonë të verdhë e të kuq, por edhe gola të bukur. Ndeshja e djeshme mes dy kryesuesve, Skënderbeu e Teuta, i ka kënaqur tifozët, por në fund ata që kanë buzëqeshur më shumë për sa i përket rezultatit kanë qenë durrsakët e Gugash Maganit. Një ndërhyrje e parregullt e brazilianit Da Silva në dëm të Muzakës, ka bërë që gjyqtari Sadiku të ndëshkonte me karton të kuq lojtarin e Teutës që në minutën e 11-të. Ky episod prishi ekuilibrat në fushë, por një supergol i Daniel Xhafaj në limitin e pjesës së parë krijoji iluzionin se Teuta nuk do e kishte problem edhe me një futbollist më pak. Pjesa e dytë ishte e gjitha për korçarët, por goli i Mario Morinës nuk mjaftoi për një fitore të bardhekuqve.
Pjesa e parë – Starti është i denjë për një ndeshje klasi mes dy skuadrave, që udhëheqin kampionatin shqiptar. Sulme dhe kundërsulme, por edhe gabime foshnjarake para portës, veçanërisht nga ana e korçarëve. Skuadrat e nisin lojën me skemën 4-4-2, por me ndryshimin që te Teuta ky variant bëhej shpesh 4-4-1-1, pasi Mancaku ishte më i tërhequr se Xhafaj në sulmin durrsak. Pejiç ka shansin të zhbllokojë rezultatin, por përballë Rizvanit nuk tregohet i saktë në shënjestër, teksa topi godet shtyllën. Teuta zbret frikshëm nëpërmjet kundërsulmeve, ndërsa rastet më të pastra në 10 minutat e para i krijon Skënderbeu. Një galopim i Muzakës e detyron Da Silvën të shkaktojë faull dhe si lojtar i fundit ai ndëshkohet me të kuq. Planet e Maganit prishen, teksa Ahmataj kthehet në mbrojtje, ndërsa Mancaku bën rolin e një fantazisti të mirëfilltë. Kur pritej që Skënderbeu ta kishte më të lehtë zhbllokimin e rezultatit, ndodh e kundërta. Teuta mobilizohet dhe me 10 lojtarë arrin të kontrollojë lojën. Durrsakët çuditërisht janë më të qetë, ndërsa korçarët gabojnë edhe në atë që e kanë si pikën më të fortë: qarkullimin e topit. Gjithsesi, në pesë minutat e fundit të këtij fraksioni Skënderbeu i afrohet golit me Dimon, por Rizvani bën mrekullinë dhe, kur pritej vërshëllima, është Xhafaj që tregon se po kalon një rini të dytë. Një krosim i Idrizajt kthehet në gol nga vlonjati, që gjuan me kokë dhe e detyron Shehin që të nxjerrë topin nga rrjeta.
Pjesa e dytë – Josa bën ndryshimin e parë, duke larguar Ribajn dhe futur në fushë Morinën. Starti i 45 minutave të dyta gjen një Skënderbe shumë kërkues. Teuta mundohet të mbrohet mirë dhe të kundërsulmojë, por nuk është në ritmin e pjesës së parë. Korçarët krijojnë një volum të madh loje, duke përqendruar gjithçka nga krahët. Arapi dhe Soza shndërrohen në sulmues, teksa krosojnë shpesh në zonë. Pas një goli të Morinës, që u anulua për pozicion jashtë loje, sulmuesi arrin të barazojë më pas, duke dhënë shpresat për një fitore të Skënderbeut. Në të vetmin rast gjatë ndeshjes, mbrojtja durrsake gabon në qendër, teksa Osmani dhe Jakupi lënë të lirë shtatshkurtrin tiranas. Kampionët në fuqi shtojnë presionin dhe i afrohen golit të dytë, por këtë herë ndalen nga shtylla. Muzaka, ndër më të mirët në fushë, është i pafat. As minutat shtesë nuk sjellin ndryshime dhe sfida mbyllet 1-1, në një lojë ku gjithçka ishte e hapur deri në fund.
MË I MIRI
Renato Arapi dhe Gjergji Muzaka për Skënderbeun, si dhe Bledar Hodo e Daniel Xhafaj për Teutën ishin lojtarët më të mirë gjatë ndeshjes së djeshme. Krahas tyre nuk duhet lënë pa përmendur paraqitja e mbrojtësit të durrsakëve, Hektor Idrizaj, i cili ka një meritë të veçantë te goli i parë. Një prezantim mbresëlënës bëri edhe sulmuesi Mario Morina, që ndryshoi lojën e korçarëve.MË PAK AKTIVI
Ademir Soza dhe Pero Pejiç vazhdojnë të jenë larg formës së tyre. Nëse për brazilianin ndoshta ka ndikuar dëmtimi në paraqitjen larg pritshmërisë, e kundërta mund të thuhet për kroatin. Sulmuesi vazhdon të shpërdorojë përpara portës, duke mos pasur qetësinë e duhur. Një paraqitje jo në nivelin e pritur bëri edhe Bicaj, ndërsa te Teuta larg formës ishte mesfushori Ahmataj.
Josa: Duhej sulm cinik, po mendojmë për dy përforcime
Kreu i pan kinës korçare, Mirel Josa, priste më shumë nga skuadra e tij në takimin e djeshëm. “Në pjesën e parë duhet të ishim më të qetë, veçanërisht që nga momenti kur Teuta luajti me 10 futbollistë. Nuk u treguam të duruar, veçanërisht në qarkullimin e topit, teksa s’shkuam në sulm me pasime graduale. Kjo nuk ndodhi, në mënyrë që Teuta të mbyllej më tepër në zonën e saj dhe ne të gjenim momentin për ta goditur. Në krahun e djathtë tonin nuk u veprua mirë, sidomos në 45 minutat e para. Në pjesën e dytë korrigjuam shumë, veçanërisht me futjen e Morinës, i cili kontrollon mirë zonat dhe vepron mirë nga krahët, por gjithashtu shërben për shokët. Megjithatë, me këtë mossaktësi që kemi përpara portës, nuk ishte çudi që ne mos shënonim. Këtu ka meritë edhe portieri e mbrojtja kundërshtare, por sërish unë nuk jam i kënaqur me rezultatin 1-1. Me volumin e lojës që bëmë dhe goditjet drejt portës, duhet të kishim shënuar më shumë. Gjithsesi, shënjestra nuk duhet vënë vetëm te sulmi, pasi gola humbën edhe mesfushorët. Tashmë nuk na mbetet gjë tjetër veçse të gjejmë zgjidhjet tona në takimet e radhës. Kemi lënë pikë me dy ekipe pretendente si Kukësi dhe Teuta, por për mua rival quhet ndeshja e radhës. Çdo ndeshje ka vështirësitë e saj, por ne duhet të jemi më cinikë për të shënuar, qoftë nga sulmuesit apo mesfushorët”, – u shpreh fillimisht trajneri për “Supersport”. I pyetur nëse Skënderbeu ka nevojë për përforcime në janar, ai shtoi: “Është ende shpejt të flasim për blerje, por në vende kyçe duhet të marrim dy lojtarë shqiptarë, veçanërisht në krahët e mesfushës dhe sulm. Limiti i futbollistëve të huaj na ka hapur probleme për ndërtimin e formacionit, por s’kemi çfarë të bëjmë”.
“Më kënaq barazimi, por do jetë Teutë më e fortë”
Trajneri i Teutës, Gugash Magani, pas ndeshjes deklaroi se është i kënaqur me barazimin në Korçë. “Mund të them se sot (dje) në Korçë na u duk vetja sikur luajtëm në Durrës. Ishte gjithçka korrekte, qoftë për sa u përket tifozërive në shkallët e stadiumit, ashtu edhe lojtarëve në fushë. Ne ishim të bindur që do të futeshim në fushë për të fituar ndeshjen, por megjithatë futbolli ka të papriturat e veta dhe që në minutën e 11-të u gjendëm në disavantazh numerik. Kjo na detyroi të bënim disa ndryshime për sa i përket rreshtimit në fushë. Në 10 minutat e para ne ishim më superiorë se Skënderbeu, ndërkohë që arritëm të shënonim kur ishim me një futbollist më pak. Kur je në këtë inferioritet numerik dhe për më tepër ke përballë skuadrën kampione në fuqi, mendoj se edhe një pikë është shumë. Në këto kushte, unë jam i kënaqur me këtë barazim që morëm në transfertë. Dua të theksoj se nuk është ende Teuta që pretendoj të kem dhe ajo që më bind plotësisht. Kemi mundësi për më tepër dhe jo për të bërë modestin, por sot (dje) patëm edhe raste për të dyfishuar rezultatin, ashtu sikur edhe mund ta pësonim. Në pjesën e dytë Skënderbeu krijoi një volum të madh loje”, – u shpreh fillimisht Magani. I pyetur për vazhdimësinë, ai shtoi: “Pas tre-katër ndeshjeve skuadra do të jetë më mirë, por sigurisht rezultatet e mira të ngrenë edhe moralin, pasi ndikojnë shumë në ekip. Besoj se jemi në rrugë të mbarë, por një ditë do të mundemi edhe ne. Shpresoj që kjo të ndodhë sa më vonë. Unë nuk kam thënë që do të jemi kampionë, pasi do një organikë shumë të pasur. Kam folur me presidentin dhe në merkaton e dimrit mund të bëjmë ndërhyrjet, por për momentin s’mund të japim emra”.
“Rivalë deri në fund”
Korçari i Teutës, Tefik Osmani, pas ndeshjes deklaroi: “Është gjithmonë një kënaqësi të vish të luash në Korçë, përballë ekipit dhe tifozëve të qytetit ku je formuar si futbollist. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij qyteti dhe falënderoj tifozët për duartrokitjet. Sa i përket ndeshjes, kartoni i kuq sigurisht që ia ndryshoi ritmin lojës, pasi në dhjetë minutat e para të takimit ishim disi më mirë. Loja më pas mori tjetër rrjedhë dhe Skënderbeu ishte më mirë nga ne. Kjo është një pikë e fituar me meritë. Do të jemi pretendentë, së bashku me Skënderbeun”.
Morina, gol me dedikim
Mario Morina shënoi dje golin e parë me fanellën bardhekuqe. “Mendoj se takimin e nisëm mjaft mirë dhe dominuam, por pësuam një gol në të vetmen zbritje të kundërshtarit. Në aspektin individual jam i kënaqur, pasi kam arritur të zhbllokohem, por për fat të keq një gol tjetër më është anuluar. Golin ia dedikoj babait tim, si dhe Klodian Duros, që ishte i pranishëm në stadium. Për ishekipin tim, Tiranën, mund të them se ndiej keqardhje për gjendjen që po kalon, por unë tani mendoj vetëm për Skënderbeun”.
“Duhej të kishim fituar”
Për Ademir Sozën, Skënderbeu dje duhej të kishte fituar. “Mendoj se janë dy pikë të humbura për ne, pasi kemi dominuar një takim nga fillimi deri në fund, pavarësisht se ekipi kundërshtar kishte një lojtar më pak. Kemi pasur pak fat, sepse ashtu siç rrodhën ngjarjet, duhej të kishim fituar me dy apo tre gola diferencë. Mendoj se edhe Teuta është një ekip i fortë dhe pretendent po ashtu si ne. Tani duhet ta harrojmë këtë takim dhe të përqendrohemi te ndeshja kundër Kastriotit në transfertë, ku një hap tjetër fals nuk na lejohet”, – deklaroi mbrojtësi brazilian.
HODO BËN HEROIN
Mesfushori i Teutës, Bledar Hodo, sakrifikoi dje për më shumë se 60 minuta. Ai luajti i fashuar në kokë pas një përplasjeje me Orelesin. Në minutën e 27-të durrsaku u dëmtua keqazi në pjesën e ballit. Madje qëndroi duke u mjekuar jashtë fushe për 5 minuta, ndërkohë që, si për ironi të fatit, Teuta luajti me 9 lojtarë në këtë fraksion kohor, nisur edhe nga fakti që kishte dalë fillimisht me karton të kuq mbrojtësi brazilian Da Silva.
GOLAT E ANULUAR
Në takimin e djeshëm u anuluan dy gola që, në bazë të pamjeve filmike, i japin të drejtë asistentit Avdo. Fillimisht në minutën e 55- të Morina shfaqet i vetëm në zonë dhe arrin të shënojë pas goditjes me të djathtën, por që ishte pak më i avancuar se kundërshtari. Në minutën e 72-të, Pejiç fut bukur kokën pas një krosimi në zonë dhe e dërgon topin në rrjetë. Ky rast ishte më i dukshëm, pasi kroati ishte shumë më i avancuar se kundërshtarët.
Kartoni i kuq
Teuta luajti dje për më shumë se 80 minuta me një lojtar më pak. Në minutën e 11-të, Muzaka fiton duelin e shpejtësisë me brazilianin Da Silva, por ky i fundit e pengon dhe mesfushori rrëzohet në afërsi të zonës. Gjyqtari Sadiku ndëshkon me karton të kuq lojtarin e Teutës dhe akordon goditje dënimi për Skënderbeun. Vendimi i kryesorit ishte i drejtë, çka u pranua pas ndeshjes edhe nga vetë trajneri i durrsakëve, Gugash Magani.
BASTI PËR DARKËN
Darka për këtë radhë shtyhet mes Shkëmbit dhe Osmanit, të cilët para takimit kishin vendosur si bast që kush do të humbiste ndeshjen, do të paguante në restorant. Por, gjithçka është anuluar, për arsye se Osmani duhej të udhëtonte drejt familjes së tij për disa impenjime të tjera. “Le t’ia lëmë ndeshjes së kthimit darkën dhe të shohim se kush do e paguajë atë”, – ka thënë Osmani, ndërkohë që ndeshja dje nuk pati fitues.
LLAZI SARO