Thellohet kriza bardheblu, Kukësi bën “kurban” Tiranën…
Kukësi zhyt Tiranën në krizë, teksa e ka mposhtur dje me rezultatin e pastër 4-0. Shanset e kryeqytetasve për të kaluar në raundin tjetër janë të pakta, ndërsa për kuksianët, kualifikimi në Kupën e Shqipërisë është një formalitet. Një humbje që trondit bardheblutë, por që çon në delir një Kukës të tërë. Për këta të fundit, kjo është një fitore historike, madje janë ekipi që u ka shkaktuar humbjen më të thellë kryeqytetasve në këtë kompeticion. Popoviç dhe Allmuça kanë shënuar nga dy gola secili. Në këtë përballje kanë qenë të gjithë titullarët bardheblu, me përjashtim të Gilman Likës, i cili është ruajtur nga ndonjë dëmtim në fushën me bar sintetik të Kukësit. Sidoqoftë, kjo nuk ka ndikuar shumë në rrjedhën e lojës së zhvilluar, pasi vendësit ishin më kërkues e më të qartë.
KUKËSI- TIRANA 4-0
GOLAT: Popoviç 26′, 60′, Allmuça 85′, 87′
KUKËSI: Halili, Peqini, (Brahja 90′), Malakarne, Malota, Hallaçi, Allmuça, Musolli, Progni, Alikaj (Biskup 70′), Malindi, Popoviç, (Y.Hoxha 76′). Trajner: A.Cungu
TIRANA: I.Lika, Pisha, Dushku, Ahmataj, Taku (F.Hoxha 27′), Muçollari, Ferraj (Karabeci 70′), Muça, Pashaj, Çota (Peposhi 46′), Morina. Trajner: A.Lekbello
KARTONË TË VERDHË: Malota 32′, Biskup 70′, Musolli 90’/ Pashaj 30′, Karabeci 88′, Hoxha 88′, Dushku 90′
VËZHGUES: Mëhill Shkëmbi (Shkodër);
DELEGAT: Prek Pjetrushi (Lezhë)
GJYQTARET: L.Alla, D.Sala, D.Koreshi (LushnjëMINUTAT
25′ Allmuça kroson një top në zonë, aty ku ndodhet shtatlarti Popoviç. Sulmuesi kërcen mbi mbrojtjen dhe portierin mik, duke e dërguar topin drejt e në rrjetë dhe 1-0.
60′ Popoviç përfiton nga gabimet e mbrojtjes tiranase dhe depërton në zonë, portieri Lika tenton të ndalojë topin, por prekja e tij vetëm sa e ka vonuar të shkojë në rrjetë dhe të shënojë golin e dytë dhe 2-0.
85′ Malindi, elegant në lojën e tij, pason topin në zonë për Allmuçën, që s’e ka të vështirë të trefishojë rezultatin dhe 3-0. 87′ Allmuça kontrollon bukur topin, gjuan dhe realizon një supergol, 4-0.
Pjesa e parë Në dhjetë minutat e para, Kukësi e shfaq hapur dëshirën për të fituar këtë takim. Vendësit qarkullojnë mirë topin, por pa rrezikuar. Progni, Malindi e Popoviç kombinohen mirë, por nuk gjejnë dot portën e Likës. Në minutën e 13-të, Tirana ekzekuton dy goditje, njëra pas tjetrës, nga këndi i majtë i sulmit të saj, por pa rezultat. Mirëpo Kukësi është më konkret, teksa pas disa rasteve të dështuara, në minutën e 25-të gjen golin. Allmuça kroson një top në zonë, aty ku ndodhet shtatlarti Popoviç. Sulmuesi kërcen mbi mbrojtjen dhe portierin mik, duke e dërguar topin drejt e në rrjetë dhe 1-0. Tirana pëson goditjen e parë, mundohet të reagojë, por trau pengon një gjuajtje të Çotës. Megjithatë kjo pjesë mbyllet me të njëjtin rezultat.
Pjesa e dytë Fraksioni i dytë nis me lojë të bukur të Prognit dhe Musollit, ndërkohë që miqtë me Takun dhe Peposhin dështojnë para mbrojtjes vendëse. Është Popoviç, që në minutën e 60-të përfiton nga gabimet e mbrojtjes tiranase dhe depërton në zonë, portieri Lika tenton të ndalojë topin, por prekja e tij vetëm sa e ka vonuar të shkojë në rrjetë dhe të shënojë golin e dytë, dhe 2-0. Enkel Alikaj, në një ditë të mirë ka dhënë sërish sinjale të forta në drejtim të portës mike, ndërkohë që Allmuça duket më në formë se kurrë. Në të 72′-n Tirana ka rastin me të mirë për të shënuar me anë Karabecit, por portieri kuksian Halili e grushton mrekullisht. Në këto momente kemi një zgjim të Tiranës, pasi dy minuta më vonë është Dushku që rrezikon me kokë, por portieri kuksian ndalon prekjen e rrjetës. Lekbello realizon disa ndërrime me qëllim që të korrigjojë diçka. Mirëpo, udhëzimet e trajnerit ndryshojnë pak gjëra në fushën e lojës, ndërkohë që Cungu i jep efikasitet lojës dhe më lëvizjet në mesfushë. Malindi, elegant në lojë, në të 85-n minutë e fut topin në zonë për Allmuçën, që s’e ka të vështirë të trefishojë rezultatin, dhe 3-0. I gjithë stadiumi është në këmbë. Deliri kaplon vendësit dhe bën më apatikë miqtë. Kukësi nuk vonon që të japë goditjen finale për Tiranën, teksa në të 87′-n, sërish Allmuça realizon një supergol, dhe 4-0. Tirana, e tronditur dhe e befasuar njëkohësisht, e ka të pamundur që të ndryshojë diçka, pasi edhe minutat shtesë janë të pamjaftueshme për të bërë mrekullinë. Kukësi është i tëri në festë, ndërkohë që te Tirana pritet “tërmet”.
Tagani: Stoli lëkundet, një humbje e turpshme
Tronditet Tirana dhe pankina e Lekbellos. Kur pritej kthesa pas tri barazimeve radhazi në kampionat, bardheblutë jo vetëm që nuk bëjnë autokritikë, por pësojnë një humbje të turpshme në Kukës. Katër gola të pësuar, gjë që nuk ka ndodhur në historinë e këtij klubi në këtë kompeticion. Do të merren masa, e kjo është më shumë sesa e sigurt. I pari që lëkundet është trajneri Artur Lekbello. Një shkarkim i mundshëm i tiji është në prag, megjithatë gjithçka do të vendoset në mbledhjen që pritet të zhvillohet sot. Salih Tagani, administratori i Tiranës, i kontaktuar nga “Panorama Sport” fill pas mbylljes së atij 90- minutëshi, shprehet i tronditur nga rezultati. Madje paralajmëron se masat nuk do të mungojnë. “Do të bëjmë një mbledhje urgjente. Në pamundësi për ta zhvilluar sot (dje), me shumë mundësi do bëhet nesër (sot). Të gjithë duhet të japin shpjegime mbi këtë humbje, që nuk mund të quhet veçse e turpshme. Duke filluar nga trajneri dhe i gjithë stafi teknik”, – kështu e nisi deklaratën e tij kreu i klubit.
Trajneri Vendi i punës për Artur Lekbellon lëkundet jo pak. Një gjë të tillë e pranoi vetë administratori i klubit. Nuk mund të jap një vendim konkret, pasi para se të merret një i tillë, do të analizohet me detaje gjithçka nga vetë drejtuesit, por edhe bordi. Ndoshta Tirana e Lekbellos mund të ketë dhe një shans në Korçë, por kjo nuk është e sigurt. “Do të diskutohet me detaje. Sigurisht që posti i trajneri lëkundet, pasi është një humbje që nuk mund të tolerohet. Tirana është thuajse jashtë këtij trofeu me këtë rezultat, çka për ne është e paimagjinueshme. Fajtor jemi të gjithë, por duke qenë se është pikërisht stafi teknik që drejton dhe trajnon ekipin, përgjegjësia më e madhe bie mbi të”, – tha kreu i klubit mbi pozicionin e trajnerit pas kësaj goditjeje.
Masat Jo më larg se dy ditë më parë, Tagani tha se nëse nuk vjen kthesa në dy ndeshjet e radhës, pra me Kukësin dhe Skënderbeun, ekipi do të penalizohet financiarisht. Kur pyetet nëse do të ketë gjoba për ekipin, ai përgjigjet: “Kur deklarova një gjë të tillë dhe vendosa se do të aplikonim gjobat, nuk e kisha menduar se do humbnim realisht. Masat financiare mendova se do të sillnin reagimin ekipit. Pra, një disfatë të tillë as që e kisha çuar në mendje. Përgjegjësia është e të gjithëve, duke filluar nga drejtuesit, pra nga unë, për të përfunduar te lojtari më i fundit. Megjithatë do ta analizojmë në detaje këtë ndeshje të zhvilluar në Kukës, pasi është e papranueshme. Ndoshta mund të mbyllnim një sy për një humbje 1-0, apo 2-0, por 4- 0 është me të vërtetë shumë. Nuk kapërdihet lehtë. Dhe nuk di se si do të shkojë ekipi në Korçë, pasi morali besoj se është i rënë. Përgjigje më konkrete do të merren pas mbledhjes që do të zhvillojmë”, – tha në përfundim Salih Tagani.
Lekbello: Përgjegjësia edhe e imja, kthesa gati e pamundur
Artur Lekbello duket i dorëzuar. Trajneri i Tiranës, pas humbjes 4-0 të pësuar në Kukës, është shfaqur pa shpresa. Ka mbajtur përgjegjësitë e veta, madje ka shokuar duke deklaruar se: “Nëse do e dinim që do humbnim kështu, më mirë të mos kishim ardhur”. Fjalë që demoralizojnë dhe tronditin mbarë ambientin bardheblu. Ai e ka cilësuar këtë si një nga përballjet më të dobëta. E në fakt është e tillë, dhe jo vetëm e Tiranës së tij, por e të gjitha kohërave. “Ishte një ndër ndeshjet më të dobëta që ka zhvilluar Tirana. Edhe sikur të kishim ardhur me ekipin e të rinjve, katër gola nuk do t’i kishim pësuar. Përgjegjësi kam edhe unë, sepse jam pjesë e ekipit. Bëmë gabime elementare që s’mund t’i bëjnë lojtarët e klasit tonë. Gjynah që erdhëm në këtë fushë dhe luajtëm kështu. Më mirë të mos kishim ardhur fare”, – tha tekniku. Më tej, ai e cilëson fitoren e ekipit vendës, pra Kukësit, si të merituar, duke vlerësuar edhe golat. “Rezultati i ndeshjes është i drejtë dhe golat e shënuar janë më se të merituar. Nuk duhet nënvlerësuar askush, pasi të gjithë skuadrat në fushë janë të barabarta”, – shtoi më tej numri një i stolit kryeqytetas, i cili në krye të Tiranës, veç kësaj humbjeje të parë, ka arritur vetëm 2 fitore (një në kupë e një në kampionat) dhe katër barazime (një në kupë dhe tri në kampionat). A ka shpresa Tirana për të kaluar në turin tjetër? Shifrat të bëjnë të pashpresë. Një gjë të tillë e thotë edhe vetë trajneri, i cili e konsideron të pamundur kthimin e këtij rezultati. “Kualifikimi i Tiranës është shumë i vështirë, gati i pamundur me këtë rezultat, megjithëse në futboll të gjitha rezultatet janë të hapura”, – përfundoi Lekbello.
Rekordi negativ i Tiranës
Kjo është e para herë gjatë historisë së klubit të Tiranës që pëson një humbje kaq të thellë në kompeticionin e Kupës së Shqipërisë. Bardheblutë deri më dje nuk kishin humbur kurrë me rezultatin 4-0, e aq më pak të mos shënonin. Në kampionat edhe kanë humbur me shifra të tilla, por kurrë në këtë trofe. Ky është një rekord negativ për 14 herë fituesit e kupës, e ndaj kjo disfatë cilësohet e turpshme dhe pritet që të shkaktojë “tërmet” në radhët e kryeqytetasve. Ndërsa për kuksianët ky rezultat është më shumë se pozitiv, madje mund të quhet edhe historik.
Cungu: Dominuam, jemi me një këmbë në turin tjetër
Armando Cungu është pa diskutim i lumtur për këtë fitore. Ai së bashku me stafin teknik kanë bërë një punë të shkëlqyer, pasi të fitosh 4-0 me Tiranën nuk është pak. Pas ndeshjes, shkodrani i stolit kuksian tregon se e kishin vlerësuar së tepërmi këtë takim, megjithatë ende nuk mendon se kualifikimi është çështje e mbyllur. Ai saktëson se janë për t’u luajtur edhe 90 minuta të tjera dhe pas këtij dueli, do të nisë festa. “Këtë ndeshje e kishim vlerësuar maksimalisht, për vetë emrin dhe traditën që ka ekipi i Tiranës. E kemi konsideruar si një përballje të parakohshme, por shorti është short, dhe duhet t’i bindesh. Megjithatë, sot (dje) treguam se ishim ne zot në fushë, e dominuam lojën nga minuta e parë deri në të fundit dhe realizuam katër gola. Ky rezultat është vendimtar për ecurinë tonë në këtë kompeticion, ose më saktë në takimin e kthimit, të cilin do ta vlerësojmë sërish, sepse kemi edhe 90 minuta për të luajtur”, – tha në përfundim Cungu.
Gjici, premio e përgëzime skuadrës
Presidenti Safet Gjici ka përgëzuar lojtarët dhe stafin në dhomat e zhveshjes dhe nuk ka nguruar as të shkëmbejë batuta me Allmuçën, prej të cilit kishte kohë që priste këtë shpërthim. Ai u ka komunikuar se do të shpërblehen për këtë sukses, pasi të fitosh 4-0 përballë Tiranës nuk është pak, e për më tepër as nuk e kishin menduar. I pyetur nga mediat, në përfundim të këtij takimi ai pohoi edhe një herë faktin se do të shpërndahet premio, ndonëse nuk e caktoi shumën. Megjithatë, ka paralajmëruar se në rast fitoreje edhe kundër Teutës, ekipi do të marrë shpërblim edhe më të lartë se ai ndaj bardhebluve. “Jam shumë i kënaqur me rezultatin, me ekipin dhe me stafin, por edhe me tifozërinë që na mbështeti. Kjo ishte ndeshja më e bukur që kemi bërë deri tani. Golat na gëzuan pa masë, sepse jemi mësuar të luajmë, por golat na kanë munguar. Ekipi do të ketë një premio për këtë fitore historike, por nëse fitohet me Teutën, do të jetë më e lartë”, – tha Gjici.
Serbi Popoviç: Nuk kam shpërthyer ende
Loja e tij po vjen gjithnjë e në rritje, e këtë po e vërteton me golat e shënuar. Problematik për mbrojtësit kundërshtarë falë aftësisë për të kapur topat, sidomos në ajër, kjo falë edhe shtatlartësisë së tij. Ai është golashënuesi më i mirë i ekipit me tre gola në Superligë dhe dy në kupë, dhe për këtë është tejet i lumtur. “Ishte një fitore e rëndësishme, pasi tashmë jemi një hap larg kualifikimit dhe kjo është meritë e një pune të madhe. Jam shumë i gëzuar që me golat e mi munda të gëzoj tifozët dhe presidencën, bashkë me stafin. Unë po vij gjithnjë e më në formë dhe po përshtatem dita-ditës me lojën e ekipit. Mendoj se kam shumë më shumë për të dhënë, por ka kohë për ta treguar. I falënderoj shokët që më ndihmuan të realizojë ata dy gola. Të gjithë jemi bashkë pjesë e fitores”, – tha sulmuesi i kuksianëve.
“Golat, për djalin dhe besimtarët myslimanë”
Igli Allmuçës i mjaftojnë vetëm dy minuta për të lënë shenjën e tij në këtë ndeshje dhe fitore historike. Për të ky ka qenë një takim i përjetuar ndryshe, pasi përballej me të shkuarën, duke qenë se edhe ka luajtur te Tirana. Për mesfushorin ky ishte një sukses dhe golat ia dedikon djalit të tij, por edhe besimtarëve myslimanë. Sot kremtohet Kurban Bajrami, prandaj Allmuça, si një mysliman i devotshëm, këtë dopietë ia dedikon kësaj feste: “Dy golat e mi ia dedikoj fillimisht djalit tim, Kejsanit. Por, nesër (sot) është festë dhe unë si besimtar i uroj gjithë myslimanët dhe tifozët tanë kuksianë: Gëzuar Bajramin! Dy gola për këtë festë nuk janë pak. Fitorja kundër Tiranës është më shumë se e rëndësishme, pasi me rezultatin 4-0 shkojmë thuajse të kualifikuar në kryeqytet”, – tha duke përfunduar Allmuça.
JONUZ HALLACI / ADELA MERKO