Thellohet kriza, Tirana humb edhe ndaj Laçit. Gallo drejt largimit, pritet një i huaj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2013 | 13:13

Thellohet kriza, Tirana humb edhe ndaj Laçit. Gallo drejt largimit, pritet një i huaj

Tirana-Laci 0-0LAÇI-TIRANA 1-0
GOLI: Kastrati 15′
LAÇI: Llani, Kastrati, Buljan (Nino 71′), Teqja, Sefgjini, Nimani, Zefi (Danaj 67′), Veliaj, Vucaj, Tanushi (Shazivari 53′), Bërkiç; Trajner: S.Nica.
TIRANA: Sejdo, Kërçiku, Kaja, Pashaj, Vrapi, Peposhi (Kurti 53′), Taku, Karabeci (Sorra 84′), Limani (Cake 73′), Çota, Semedo; Trajner: A.Gallo.
KARTONË TË VERDHË: Vucaj 42′, Shazivari 95’/ Pashaj 93′
VËZHGUES: Sokol Jareci (Tiranë)
DELEGAT: Hito Hitaj (Tiranë)
GJYQTARET: K.Meta, G.Qirici, N.Bregasi (Tiranë)

MINUTAT
4′ Goditje këndi për Tiranën, Pashaji tenton me kokë, por Llani pret.
14′ Karabeci në hyrje të zonës godet me forcë topin, që nuk kontrollohet siç duhet nga Llani, e më pas shkon në këmbët e Semedos, i cili godet, por portieri këtë herë neutralizon gjithçka
15′ Goditje këndi për laçianët, Vucaj merr në zotërim topin, godet, por topi kthehet nga Pashaji te këmbët e Kastratit, që gjuan dhe shënon, 1-0.
31′ Goditje dënimi, Vucaj ekzekuton, por grushton Sejdo.
32′ Karabeci tenton nga distanca, por është Llani që grushton në goditje këndi.
34′ Veliaj kombinohet me Tanushin. Ky i fundit futet në zonë, godet, por topi devijohet nga mbrojtja mike.
38′ Goditje këndi për vendësit. Kros në zonë e Buljan me kokë godet mbi tra.
40′ Veliaj tenton nga distanca, por grushton portieri.
45′ Sërish Veliaj, por këtë herë gjuajtja e tij largohet më vështirësi nga Sejdo për në goditje këndi.
45+1′ Kroson Vucaj nga goditja e këndit e Nimani zhytet me kokë, por topi i gjuajtur prej tij përfundon jashtë.
46′ Vucaj në hyrje të zonës godet diagonal dhe Sejdo me vështirësi e devijon topin për në korne.
47′ Goditje dënimi për Laçin. Gjuan Vucaj, por pret Sejdo.
50′ Kërçiku hedh një top në zonë për Peposhin, i cili zhytet me kokë, por topi përfundon jashtë.
55′ Lëviz mjaft bukur Bërkiç, pason për Shazivarin, që godet fort diagonal, por sërish është Sejdo shpëtimtari.
60′ Nimani kombinohet me Vucajn, që godet fort, por pret Sejdo.
63′ Taku në hyrje të zonës laçiane godet, por topi përfundon ngjitur me shtyllën pingule të portës së mbrojtur nga Llani, pa mundur të gjejë rrugën e rrjetës.
70′ Karabeci tenton nga distanca, por Llani është në gatishmëri dhe largon rrezikun.
74′ Shazivari lëshon një predhë në hyrje të zonës, por Sejdo grushton për në goditje këndi.
79′ Dy raste të pastra për laçianët. Fillimisht është Nimani që rrezikon, e më pas Bërkiç në një aksion personal nuk arrin ta mposhtë Sejdon.
84′ Goditje dënimi për Laçin, ekzekuton Vucaj, por Sejdo grushton sërish.

Laçi thellon krizën e Tiranës. Kurbinasit fitojnë 1-0 ndaj bardhebluve, të cilët vazhdojnë të mos reagojnë, duke blinduar fundin e tabelës. Vendësve u ka mjaftuar një gol i shpejtë i Kastratit në të 15-ën minutë, për të vulosur rezultatin. Për laçianët, kjo ishte fitorja e pestë në shtëpi dhe me të njëjtin rezultat. Në fakt, bardhezinjtë patën mundësitë të shënonin edhe më shumë, por portieri Sejdo bëri një paraqitje të mirë dje. Sulmi vazhdon të çalojë, pasi e ka të vështirë që jo vetëm të krijojë, por edhe ta dërgojë topin në rrjetë. Sigurisht, kjo edhe për meritë të mbrojtjes kurbinase, e cila u kthye në një barrikadë. Me këtë fitore, bardhezinjtë arrijnë të thyejnë “tabunë” Tirana, përballë së cilës pas katër vitesh marrin fitoren e parë.
Pjesa e parë Në një stadium të boshatisur ka nisur sfida Laçi-Tirana. Pavarësisht këtij fakti, dukej qartë se të dy ekipet ishin të motivuar për të kërkuar fitoren. Të parët që e kanë rrezikuar portën ishin miqtë, me anë të Pashajit, por pa gjetur kuadratin. Mirëpo vendësit reagojnë shpejt, duke u kundërpërgjigjur me anë të Tanushit, por sulmuesi laçian vonohet në goditje. Loja vijon të luhet e shpejtë dhe bardheblutë i afrohen golit me Semedon. Më tej provon edhe Karabeci, por Llani largon rrezikun. Veliaj pason bukur për Tanushin, godet ky i fundit, topi shkon drejt Sejdos që nuk e kontrollon dot, por rreziku largohet prej Pashajit. Nga kjo korne do vinte edhe goli i avantazhit për bardhezinjtë. Në të 15-ën minutë Vucaj merr në zotërim topin, e godet, por ai kthehet pa dashur nga Pashaji te këmbët e Kastratit, i cili gjuan saktë dhe zhbllokon rezultatin në 1-0. Tirana mundohet të bëjë diçka, por e ka të vështirë, pasi vendësit nuk lënë hapësira. Minuta e 31-të do të sillte një tentativë të Vucajt nga një goditje dënimi, por Sejdo është në gatishmëri dhe grushton në korne. Kundërpërgjigjet një minutë më pas Karabeci, por Llani nuk lejon prekjen e rrjetës. Bardhezinjtë janë më të qetë dhe dalin shpesh përpara e janë të rrezikshëm. Fillimisht është Buljan që rrezikon me kokë, e më pas me radhë Veliaj dhe Nimani, por pa gjetur golin deri në fund të kësaj pjese të parë.
Pjesa e dytë Ky 45-minutësh ka nisur vrullshëm për vendësit, teksa Vucaj mundohet të dyfishojë rezultatin, por portieri largon rrezikun. Është sërish kapiteni që tenton të befasojë, por Sejdo pret sërish. Miqtë kundërpërgjigjen me një aksion të shpejtë në kahun e djathtë, ku Kërçiku hedh një top në zonë për Peposhin, që zhytet me kokë, ndonëse nuk gjen kuadratin. Janë sërish vendësit që rrezikojnë, Nimani kroson për Bërkiç, por ky i fundit i hap rrugën topin që po shkonte në këmbët e Vucajt, tenton shkodrani, por Sejdo shmang rrezikun. Është Taku, që tenton më vonë, por gjuajtja e tij kalon ngjitur me shtyllën pingule të portës së mbrojtur nga Llani. Minuta e 64-t do sillte një ndalim të lojës, pasi një dyluftim i Semedos me Zefin detyron mesfushorin laçian të lërë fushën e lojës, për t’u transportuar me autoambulancë drejt spitalit të qytetit të Laçit për të marrë ndihmën e duhur mjekësore. Loja vijon normalisht dhe është Karabeci që tenton sërish nga distanca, por Llani është në pozicion. Gjuajtjes së Karabecit i kundërpërgjigjet Shazivari, që në hyrje të zonës lëshon një predhë me të majtën e tij, por Sejdo grushton sërish. Bardheblutë mundohen të bëjnë diçka, por e kanë tepër të vështirë ndaj një Laçi të mirëvendosur në fushë, ndaj edhe rezultati mbetet i pandryshuar.

MË I MIRI
Saimir Kastrati ka qenë dje një ndër lojtarët më të mirë në fushë. Ai u tregua efikas jo vetëm në mbrojtje, por edhe në sulm, duke shënuar golin me vlerën e tri pikëve. Gjithashtu, një paraqitje të mirë ka bërë edhe Olsi Teqja, i cili kreu më së miri detyrat në fushë. Pas nuk mbeten as Vucaj me Veliajn, që ishin tepër krijues në ofensivë. Sakaq, nga ana e bardhebluve, duhet të veçohet Sejdo, i cili me pritjet e tij evitoi disa gola të sigurt.

MË PAK AKTIVI
Sulmi bardheblu vazhdon të jetë pika më e dobët e Tiranës. Për të disatën ndeshje ata nuk dinë as të krijojnë, e aq më pak që ta shtyjnë topin në rrjetë. Semedo u pa vetëm në një rast në pjesën e parë, kur humbi një rast të mirë shënimi, ndërsa më pas u neutralizua nga mbrojtja kurbinase duke qenë totalisht në hije. Në të njëjtat kushte ishte edhe Çota, i cili në fakt dje luajti në krahun e djathtë, më së shumti si mesfushor.

Stavri Nica ne Vllaznia-Laci 3-0“E merituam, por mund të shënonim më shumë”
Trajneri i Laçit, Stavri Nica, është pa dyshim i kënaqur me këtë fitore. Ai thekson se skuadra e meritoi, pasi e kërkoi me ngulm këtë trepikësh. Nga ana tjetër, tekniku tregon se lojtarët e tij e kishin vlerësuar tej mase kundërshtarin, çka bëri që të ishin më efikasë në fushën e lojës. Gjatë deklaratës së dhënë për mediat, në fund të takimit, ai shprehet se mendjen tashmë e ka te Alfred Zefi, i cili u dëmtua. “Kemi fituar një ndeshje që e kishim vlerësuar maksimalisht. E merituam, sepse dominuam në fushë. Këtë pjesë nuk mund ta diskutojmë. U shfaqëm efikasë në të gjitha drejtimet, pavarësisht se gjithçka u vendos nga një gol dhe që në fillim të pjesës së parë. Por në këtë moment vëmendja jonë dhe e imja në veçanti është e fokusuar vetëm te Zefi dhe dëmtimi që ai pësoi. U detyrua të linte fushën e lojës pas një përplasjeje me Semedon, sepse pësoi dëmtim në fytyrë e kryesisht në sy. Normalisht, pas kësaj ndodhie fitorja për momentin kalon në plan të dytë, pavarësisht se na gëzon dhe na jep qetësi. Duhej të kishim shënuar më shumë ndoshta, sepse mundësitë për ta bërë diçka të tillë i kishim. Por tashmë që ky 90-minutësh përfundoi, nuk na mbetet tjetër veçse të mendojmë për sfidën e radhës, e cila do vlerësohet me të njëjtin intensitet prej nesh. Tashmë renditemi në vendin e katërt, por për të ruajtur këtë pozicion pa diskutim që kërkohen fitore të tjera”, – përfundoi numri një i stolit të Laçit, Nica.

Kastrati i lumtur: Gol me shumë vlera
Saimir Kastrati është pa dyshim njeriu gol për këtë ndeshje. Mbrojtësi arriti të futej me mjaft lehtësi në zonën e miqve, duke bërë më së miri rolin e sulmuesit. Ai ndihet i lumtur për golin, të cilin ia dedikon shokut të tij, Zefit, i cili u dëmtua dhe nuk mundi që ta përfundonte krejt ndeshjen. “Kemi arritur të fitojmë ndaj Tiranës, duke marrë tri pikë mjaft të vlefshme. Ky fakt normalisht na qetëson në punën tonë, pasi vazhdimësia lehtëson realizimin e objektivave. Sigurisht që të gjithë jemi të kënaqur me këtë fitore, por mendoj se duhej të shënonim më shumë, sepse vetëm kështu do mund të shmangnim tensionin e minutave të fundit. Gjithsesi, tani le të përqendrohemi te Partizani. Goli? Normalisht më gëzon, pasi ishte edhe i pari për mua në këtë sezon, plus që kishte edhe vlerën e tri pikëve. Ky gol i shkon Zefit, që urojmë të mos ketë probleme pas asaj përplasjeje në fushë dhe të kthehet sa më shpejt në fushën e blertë”, – tha Kastrati.

Zefi dëmtohet në sy, përfundon në spital
Mesfushori i kurbinasve, Alfred Zefi, nuk ka mundur dot që ta mbyllë takimin e djeshëm ndaj Tiranës. Laçiani ka marrë një goditje në fytyrë nga Semedo gjatë një dyluftimi. Teksa sulmuesi i bardhebluve ishte në kontroll të topit, mesfushori bie dhe fytyra e tij përfundon në gjurin e kundërshtarit. I gjithë ky episod ndodhi në minutën e 64-t, çka bëri që loja të ndërpritej për disa minuta, pasi në fushë u futën stafet mjekësore të të dyja skuadrave. Zefi u detyrua të lërë fushën e lojës për t’u transportuar me autoambulancë fillimisht në spitalin e qytetit të Laçit, ku ka bërë edhe disa grafi. Më tej është zhvendosur drejt kryeqytetit, për një kontroll më të specializuar. Lojtari pas kësaj goditjeje ishte nxirë në fytyrë, më saktë në sy, e nuk dihet nëse ka pësuar ndonjë frakturë. Megjithatë, mjekët konfirmojnë se nuk ka asgjë të rëndë, kësisoj pritet që së shpejti t’i bashkohet ekipit në seancat stërvitore.

Laci-Tirana 1-0, gallo ne plan te pareGallo drejt largimit, pritet një i huaj
Humbja e pestë radhazi pritet të sjellë shkarkimin të Alpin Gallos. Vetëm sot do të sqarohet e ardhmja e trajnerit të Tiranës. Drejtuesit konfirmojnë për gazetën se do të ketë një mbledhje mes tyre dhe teknikut, ku do të flitet për këtë çështje. Sakaq, gjatë paradites pritet që të ketë një takim me një trajner të huaj, emri i të cilit nuk bëhet ende i ditur. Një opsion është Zllatko Daliç, megjithatë mund të jetë edhe dikush tjetër. Pas 90-minutëshit me Laçin kanë nisur të lakohen shumë emra. Është menduar edhe një rikthim i mundshëm i Nevil Dedes, por ka dalë si kandidat edhe Shkëlqim Muça. Megjithatë, donatorët duket se nuk e kanë pranuar këtë të fundit. Gjasat janë që, nëse i huaji me të cilin do të takohen sot do të japë një përgjigje pozitive, atëherë ai mund të prezantohet gjatë mesditës.
Trajneri – Vetë Alpin Gallo e ka të qartë se pozicioni i tij është tepër i lëkundur pas kësaj disfate. Për mediat, ai thotë se është i hapur që të diskutojë me drejtuesit dhe sqaron se me këto rezultate as ai nuk ndihet komod. “Kemi zhvilluar një ndeshje në kushte mjaft të mira, në një ambient mjaft korrekt dhe në fund fitoi ekipi që e meritoi. Pas këtyre humbjeve, sigurisht që unë nuk e ndjej veten komod. Sa i takon së ardhmes sime në krye të Tiranës, sigurisht pas këtyre rezultateve është normale që të jetë objekt diskutimi. E normalisht edhe unë do të diskutoj me donatorët për të parë se çfarë mund të bëhet më mirë për të ardhmen e kësaj skuadre. Nëse mendohet që dikush mund ta bëjë më mirë punën, sigurisht unë do të hap rrugën në mënyrë që Tirana të rikthehet. Të gjithë duam reagimin e kësaj skuadre. Njerëzit nuk janë mësuar ta shohin në këtë gjendje, por aktualisht ne kemi shumë probleme. Të gjithë e dinë se boshti i skuadrës së sezonit të shkuar u prish dhe se nuk është e lehtë të ndërtosh një ekip fitues në një kohë të shkurtër. Donatorët u afruan në momentet e fundit, kur po startonte sezoni i ri, duke e bërë tepër të vështirë punën e gjithsecilit në këtë klub”, – përfundoi trajneri i skuadrës kryeqytetase, Gallo.

As 10 milionë lekët nuk sollën ndryshimin
Tirana nuk reagon as kur premtohen 10 milionë lekë premio. Nëse do të kishin fituar, ata do përfitonin një shumë jo të vogël, çka u ishte premtuar pak ditë më parë prej tre donatorëve të skuadrës. Duket se futbollistët nuk çalojnë te pjesa financiare, por u mungon qetësia dhe janë të rënduar psikologjikisht. Vendi i fundit u ka thelluar krizën dhe tashmë e kanë të vështirë që të dalin nga bataku. Vetë lojtarët në bisedën me mediat tregojnë se nuk po dinë të dalin nga kjo gjendje. E kanë të qartë se kështu nuk vazhdohet më, madje ndihen të turpëruar pasi, veç fundit, kanë katër javë që nuk arrijnë të fitojnë.
VLADIMIR PRENGA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"