Thirrje etnike dhe këngë shqiptare, ja si do mbështetet Partizani
Flamuj të Partizanit dhe të Shqipërisë, simbole kombëtare dhe thirrje etnike. Kjo do të jetë pak a shumë atmosfera që do të krijojnë tifozët shqiptarë që do të jenë të pranishëm sot në “Marienlyst Stadion” për të mbështetur Partizanin në ndeshjen ndaj Stromsgodset. Rinor Kryeziu është një prej organizatorëve të tifozërisë për sfidën e sotme që zbardh të gjitha detajet e asaj çfarë pritet të ndodhë sot në Dramen të Norvegjisë. Kosovari nga Gjakova prej një viti jeton dhe punon në këtë qytet. Në një prononcim telefonik për gazetën “Panorama Sport”, ai tregon gjithçka në lidhje me organizimin e tifozërisë.
Detajet “Sapo u mësua shorti i Ligës së Europës dhe fakti që ndeshja e parë do të luhej në Norvegji, nisëm menjëherë përgatitjet. Me komunikimet dhe telefonatat që kemi pasur gjatë këtyre ditëve, presim që të jemi rreth 300 tifozë në stadium. Kryesisht do të jenë nga qytete të ndryshme të Norvegjisë dhe Suedisë. Një fakt që na penalizon për sa i përket numrit është se shumë prej shqiptarëve që jetojnë në këto vende kanë nisur pushimet. Shumica e atyre që do të jenë të pranishëm në stadium janë shqiptarë nga Kosova. Kemi marrë masat dhe do të ketë mbështetje maksimale për Partizanin, ashtu siç do të kishte edhe për ekipe të tjera shqiptare që mund të ishin nga Maqedonia. Mund t’ju them se do të ketë flamuj kuqezi të Shqipërisë dhe sigurisht thirrje etnike.
Do të ketë edhe simbole të Partizanit njëkohësisht, por banderolat kryesore të klubit të kuq nuk mund të jenë të pranishme, pasi tifo-grupi ‘Ultras Guerrils’ nuk arriti të jetë i pranishëm. Do të këndojmë këngë shqiptare dhe do ketë thirrje për ‘Shqipërinë e Madhe’. Sigurisht, kundër Serbisë nuk do të ketë të tilla, pasi nuk duam t’i faktorizojmë ata në këtë moment”, shprehet Kryeziu. Më tej, ai flet në lidhje me grumbullimin e tifozëve dhe marshimin drejt stadiumit
. “Grumbullimi do të nisë në orën 15:00 te ‘Lauritz Bar’ dhe për tri orë të gjithë tifozët do të kenë mundësi të mblidhen së bashku nën ritmet e muzikës shqiptare. Në orën 18:00, do të nisë marshimi drejt ‘Marienlyst Stadion’. Një biletë në sektorin ku do të qëndrojmë ne tifozët shqiptarë kushton rreth 23 euro. Për sa i përket tifozërisë kundërshtare, ata janë të qetë dhe nuk pritet që të ketë probleme. Me sa jam informuar, janë marrë masat nga ana e policisë dhe gjithçka do të shkojë normalisht. Besojmë shumë te një fitore e Partizanit dhe shpresojmë që të arrijë të kualifikohet në turin tjetër”, përfundon rrëfimin për gazetën Rinor Kryeziu.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"